Me një vendndodhje shumë të favorshme dhe çmime të përballueshme, Shqipëria është një mundësi e shkëlqyer europiane për turizmin shëndetësor në krahasim me destinacionet e largëta si Tajlanda, Dubai, Brazili apo Meksika. Por, me vështirësitë e shkaktuara nga kriza e Covid, informalitetin dhe abuzimet me çmimet, vendit tonë i duhet më shumë se sa çmimet e lira për të qenë alternativë tërheqëse në vitet në vijim…
Në rrugën kryesore të ish-Bllokut në kryeqytet, burrat që shërohen nga procedurat e mbjelljes së flokëve mund të dallohen lehtësisht me fasha rreth kokës. Po ashtu, edhe disa vajza me fasha në hundën e tyre. Të dyja grupet e të rinjve kanë të përbashkët faktin që…nuk flasin shqip! Maji dhe qershori janë periudhat tipike kur shohim të huaj rrugëve të kryeqytetit, të cilët kanë ardhur për një arsye më shumë se sa shëtitjet që po bëjnë.
Duke pasur parasysh rregullat që ndryshuan pas 1 majit për Covid, Shqipëria me turizmin mjekësor që ofron, është përshtatur me normalitetin e ri. Nga trajtimet e zakonshme dentare te procedurat kirurgjikale estetike dhe procedurat minimale invazive, vizitorët shqiptarë dhe ndërkombëtarë po tregojnë interes në rritje për t’u ndier më të shëndetshëm, më të rinj dhe më të lumtur me trupin e tyre.
Edhe pse ende modeste në tregun ndërkombëtar të kujdesit shëndetësor, Shqipëria ka filluar të tërheqë çdo vit, gjithnjë e më shumë turistë. Hyrjet e turistëve mjekësorë në Shqipëri janë dyfishuar në vitin 2020.
Edhe pse shifra zyrtare e konfirmuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) është modeste (1437), rritja prej 54% duket premtuese, sidomos po të marrim në konsideratë se sipas aktorëve të tregut, matja e hyrjeve për turizëm mjekësor është shumë më e lartë nga se deklarohet.
Spitalet private në Shqipëri kanë përmirësuar koordinimin e tyre me agjencitë turistike vendase dhe të huaja për të ofruar paketa turistike mjekësore. Për më tepër, po investojnë më shumë në marketing, për të arritur te klientët në tregje të reja potenciale. Por, tregu vijon të mbartë problematika.
Dritan Gremi, drejtues i “Gremi Clinics”, thotë për “Monitor” se, informaliteti vijon të jetë “Thembra e Akilit” për sektorin në vendin tonë.
“Në këto kushte, imazhi që përcjellim te pacientët e huaj, është ai i një vendi ku gjërat bëhen me pak para, ku mbizotëron informaliteti, çka nuk është aspak pozitive për një vend që aspiron të jetë anëtar i BE”, – pohon ai, i cili shton se ka shumë struktura që abuzojnë me cilësinë dhe çmimet fiktive.
Turizmi dentar, “mbreti” i kërkesave
Historia moderne e turizmit shëndetësor në Shqipëri filloi me qytetarët ndërkombëtarë që kërkonin punë dentare. Ai bazohej më shumë në sugjerimet personale, sesa në fushata specifike promovuese.
Deri më tani, Shqipëria nuk duket se ka ndonjë strategji zyrtare për promovimin e turizmit mjekësor, ndërsa strukturat private kanë bërë tentativat e tyre ndër vite për këtë qëllim. Ndaj, shërbimet që shpesh kombinojnë turizmin dentar me pushimet promovohen nga sektori privat.
Arsyeja kryesore e suksesit të turizmit dentar është se kursimet mund të jenë deri në 90 për qind në disa raste. Kush është një turist i mundshëm dentar? Kushdo që nuk ka mbulim sigurimi dentar, mund të marrë në konsideratë opsionin për një pushim mjekësor.
Bazuar në një anketë mbi barrierat ndaj shëndetit oral në Shtetet e Bashkuara dhe disa vende europiane, më pak se gjysma e amerikanëve kishin sigurim dentar në 2016-n.
Të njëjtat raporte tregojnë se mbulimi dentar, sipas vendit, varionte nga normat më të larta të mbulimit në Gjermani (98%), Republika Çeke (96%), Danimarkë (92%) dhe Holandë (87%) te Greqia (57%), SHBA (48%) dhe Spanja (31%) në mes dhe në shkallët më të ulëta të mbulimit në Zvicër (21%) dhe Itali (21%).
Nga një hulumtim nga strukturat private mjekësore në Tiranë bëhet e ditur se shërbimet dentare janë shërbimi më i kërkuar nga të huajt në vendin tonë, vit pas viti. Ndjekur më pas nga ndërhyrje si zvogëlimi i hundës, rritja e gjoksit dhe mbjellja e flokëve.
Çfarë preferohet?
Oriela Cano, nga marketingu i Spitalit Amerikan dhe Hygeia, thotë për “Monitor” se, trajtimet më të zakonshme janë kirurgji kozmetike, kirurgji dentare dhe ortopedike. Por, ajo shton se, edhe kirurgjia kardiovaskulare, operacionet laparoskopike dhe trajtimet për fertilitetin dhe obezitetin janë kërkesa në rritje.
Duke marrë në konsideratë situatën e pandemisë, znj. Cano shton se, turizmi shëndetësor pati rënie, në gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri. Por, sipas saj, disa shërbime si turizmi dentar dhe ai estetik nuk kanë qenë shumë të kufizuara. Madje edhe gjatë këtij viti, ka filluar ndjeshëm të rritet numri i vizitorëve për shërbimet që duan të marrin, sidomos ato afër rajonit.
Sa u përket klientëve, ajo shton se, përzgjedhja për shërbime shëndetësore, ka qenë jo vetëm nga pacientë me kombësi të huaj të cilët jetojnë në Shqipëri, por edhe nga një numër i konsiderueshëm pacientësh, të cilët jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe kanë zgjedhur dhe u janë drejtuar spitaleve të tyre për të marrë trajtim shëndetësor.
“Ndonëse ka një profil të ulët në kujdesin shëndetësor ndërkombëtar, Shqipëria është tërheqëse për turistët. Potenciali më i afërt i turizmit mjekësor janë fëmijët e emigrantëve, të cilët mbajnë kontaktet me vendin e origjinës dhe e vizitojnë shpesh, por jo vetëm, pasi pacientë të huaj kanë zgjedhur spitalin ‘Hygeia’, për shkak të ekselencës së mjekëve dhe infrastrukturës spitalore”, -thotë znj. Cano.
Ajo shton, se nga viti në vit, ky numër është në rritje duke përmendur pacientët që vijnë për kirurgji plastike si për standardet, mjekët, gjithashtu edhe për çmimet që gjejnë. “Turizmi dentar, është shumë i zhvilluar, kemi pacientë nga shumë shtete të Europës që vijnë për shkak të çmimit, kohës së shkurtër dhe cilësisë së shërbimit.
Fertilizimi IN VITRO, IVF është po gjithashtu shumë i kërkuar nga pacientët shqiptarë që jetojnë jashtë, por dhe pacientë të huaj na zgjedhin, pasi cilësia e shërbimit është po aq e mirë sa ajo që ofrohet në klinikat më të mira perëndimore.
Çmimet për një ndërhyrje të tillë janë disi më lirë krahasuar me tarifat e vendosura nga klinikat në Bashkimin Europian. Ndaj dhe në vendin tonë, nuk duhet të presësh në radhë e të vendosësh emrin në listë për një kohë të gjatë”, – përfundon znj. Cano.
Gent Dulja, drejtues i agjencisë “Medical Tourism Albania”, thotë për “Monitor” se, pas pandemisë, situata duket më e mirë. Sipas tij, turistët e huaj kanë nisur të vijnë, gjërat duken më pozitive.
“Pjesa më e madhe janë për turizëm dentar, pasi siç dihet, çmimet këtu janë më pak se gjysma në vendet europiane. Megjithatë, problematikat janë të shumta. Vendi ynë nuk ka një sistem të mirëfilltë, ose një ligj që rregullon këtë sektor dhe për mendimin tim, duhet të ketë një ligj, në modelin e shteteve si Turqia, pasi do të mundësonte formalizim dhe rregullim të sektorit të turizmit mjekësor, përfshirë këtu skemën e kompanive të sigurimit”, – thotë z. Dulja.
Ai shtoi në fund se, kriza Rusi-Ukrainë ka ndikuar në këtë sektor, pasi vetëm javën e shkuar kanë pasur tre anulime, për shkak të situatës jo të sigurt ekonomike.
Preferencat e të huajve
Turizmi dentar, është shumë i zhvilluar, kemi pacientë nga shumë shtete të Europës që vijnë për shkak të çmimit, kohës së shkurtër dhe cilësisë së shërbimit. Fertilizimi IN VITRO, IVF është po gjithashtu shumë i kërkuar nga pacientët shqiptarë që jetojnë jashtë, por dhe pacientë të huaj
Ndikimi i pandemisë Covid-19
Pandemia e Covid-19 ndikoi ndjeshëm në industrinë e turizmit mjekësor, veçanërisht në gjysmën e parë të 2020-s. Shkaqet kryesore të kësaj rënieje ishin zbatimi i kufizimeve të udhëtimit dhe shtyrja globale e shumicës së procedurave në përpjekje për të minimizuar përhapjen e sëmundjes.
Gjatë verës 2020, ngarkesat globale aktive të Covid-19 ranë përkohësisht, duke lejuar rifillimin e procedurave. Ndërsa udhëtimet ndërkombëtare kanë rifilluar, po ashtu ka rinisur edhe kërkesa për turizëm mjekësor. GlobalData vlerëson se ky treg do të rikthehet plotësisht në nivelet e para pandemisë deri në fund të vitit 2022.
Sipas Euromonitor International, turizmi global do të ndikohet me 6.9 miliardë dollarë në vitin 2022, për shkak të një kolapsi të turizmit rus dhe ukrainas. Ndikim do të ketë edhe turizmi mjekësor.
Marrë nga: Monitor