Pas publikimit të draftit paraprak të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, “Monitor” iu drejtua grupeve të interesit, për të marrë disa mendime për ndryshimet e propozuara dhe situatën e subjekteve të vogla
Shoqatat e biznesit, ekspertët dhe Dhomat e Tregtisë, pohojnë se çmimit e larta të mallrave të konsumit kanë goditur xhiron e biznesit të vogël. Rënia e konsumit vijon edhe te baret dhe restorantet. Grupet e interesit rekomandojnë se zbatimi i ndryshimeve fiskale për tatimin mbi të ardhurat është i gabuar, pasi do të nxisë informalitetin, emigrimin dhe falimentimet.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë pritet që këtë javë të prezantojë për konsultim te grupet e interesit draftin përfundimtar të ligjit për tatimin e të ardhurave. Drafti paraprak po has shumë debate.
Ekspertë fiskalë, shoqata biznesi dhe Dhomat e Tregtisë, pohuan për “Monitor” se ndryshimet vijnë në një periudhë kur xhiroja e bizneseve është e paqëndrueshme për shkak të rritjes së çmimeve.
Për ekspertët fiskalë, ndryshimet janë arnime që i bëhen ligjit, duke krijuar pabarazi deri në rrezikimin për të falimentuar bizneset e vogla. Për grupet e interesit, ndryshimet e shpeshta fiskale njëzëri cilësohen të dëmshme për klimën e sipërmarrjes dhe realizimin e kontratave afatgjatë.
Ndryshimet do të nxisin informalitetin te bizneset e vogla
Ndryshimet në projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” synojnë që të zgjidhin problematikën e krijuar me shmangien e tatimit mbi pagën, ku shumë profesionistë dilnin nga listë-pagesat, dhe regjistroheshin si të vetëpunësuar, duke përjashtuar nga norma e tatimit mbi të ardhurat 0% që aplikohet për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar, si dhe entitetet me të ardhura deri në 14 mln lekë në vit të vetëpunësuarit, të cilët furnizojnë shërbime profesionale. (Lista analitike e shërbimeve profesionale përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave).
Pas zbritjes së disa shpenzimeve, profesionistët e lirë do të tatohen njësoj si të punësuarit me pagë. Në anën tjetër, nisma është e paqartë me ndryshimet për biznesin e vogël, pasi parashikon që pronarët e të gjithë bizneseve të vogla në vend do të paguajnë 13% për të ardhurat vjetore deri në 2,4 mln lekë dhe për të ardhurat mbi 2,4 mln lekë, tatimi do të jetë 23%.
Ndërkohë, tatimi mbi të ardhurat e bizneseve të tjera të vogla do të vijojë të jetë zero deri në vitin 2029, por pronarët e tyre do të paguajnë sërish tatim mbi të ardhurat personale! (një njëfarë mënyre, apo në tjetrën, duket se pronarët e subjekteve të vogla do të paguajnë më shumë, ndonëse tatimi për biznesin e vogël do të vijojë të jetë zero).
Problem mbetet edhe një nen, që i njeh të drejtën individit tregtar, ose të vetëpunësuar, që nuk i kalon 10 mln lekë në vit, të ketë të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme, nga 35-90%, pa mbajtur regjistrime në kontabilitet, por duke u përcaktuar apriori.
Për ekspertin fiskal, Ahmet Gjinishi, miratimi i draftit do të sjellë regresin e të gjitha përpjekjeve të deritanishme të formalizimit të biznesit të vogël, duke bërë dallime që disa profesione të klasifikohen “luksoze” dhe të tatohen më shumë se të tjerët.
Ndryshime kaq të shpeshta në legjislacione tatimore e fiskale, sipas tij, e gjejnë pa përgatitur jo vetëm ekonominë tonë, ku bizneset nuk janë ende në gjendje të përballojnë tatime dhe shpenzime afrofe, por edhe vetë administratën, e cila duhet të reformohet e të përditësohet sërish.
“Teknologjia po ndikon çdo ditë e më shumë në jetët tona, duke na kushtëzuar sjellje të reja. Ka shumë persona që kur mundohen të shfletojnë faqe nga një libër a një revistë lëvizin gishtin, si të ishin në kursor inteligjent. Përditësimet që u bëjmë aparaturave inteligjente në fakt, më tepër se sa japin përmirësime në programim, na nxjerrin jashtë përdorimit dhe sikur bëhen posaçërisht që të ndërrojmë aparaturat.
Kjo gjë po ngjet kudo. Disa nga politikëbërësit tanë bëjnë përditësime ligjore aq shpesh, sa që nuk kuptohet mirë qëllimi i tyre, a është për të arnuar ligjin e mëparshëm a për të përzgjedhur qytetarët tatimpagues, të cilët duhet të dalin jashtë përdorimi (largohen nga vendi).
Nisma e fundit është drafti i përgatitur për Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat. Sërish në vëmendje të objektivit janë profesionet e lira, qofshin këta individë, tregtarë a të vetëpunësuar (person fizik) apo entitete (person juridik). Që në nenet e para të draftit jepen përkufizime të reja mbi perceptimin e ri të terminologjisë ligjore të përdorur.
Gjithçka që nuk ka qenë parashikuar në ligj, apo sjell përmirësim të tij, është e mirëpritur. Përshtatjet duke arnuar ligje që të rëndojë një kategori më pak apo më shumë se të tjerët, duke krijuar pabarazi, i bëjnë këto ligje të jenë të destinuara të ndryshohen sërish. Premtimet politike elektorale po mundohen të krasiten nga ustallarë pa zanat, të cilët deri dje akuzonin shqiptarët (punë ka, por s’ka profesionistë) si të paaftë për të fituar një vend pune të denjë.
Tani që dolëm nga një periudhë e vështirë pandemie dhe fatkeqësish natyrore, ku edhe qeveria mbështeti në mënyrën e saj shtresat e prekura, një nismë dhe premtim politik ishte edhe rimëkëmbja e biznesit të vogël, ku dita-ditës po lulëzonin edhe profesionet e lira.
Tatim zero për ata të cilët nuk gjenerojnë të ardhura më tepër se 14 mln në vit. Kjo përkrahje solli çeljen e shumë bizneseve të reja, të cilët filluan të formalizoheshin, duke deklaruar të ardhura reale, duke deklaruar familjarët dhe të punësuarit e tjerë, duke marrë forcë për të shtuar dhe për të rritur investimet e tyre.
Duke parë trendin e rritjes së deklarimeve të të ardhurave brenda një 3-vjeçari, 50% e këtyre bizneseve do të ishte i destinuar të bëhej/klasifikohej me të ardhura më lart se 14 mln (ky mendohej të ishte dhe synimi i politikave). Premtimi ishte 10-vjeçar.
Sot, në një kohë që jo vetëm nuk po arrijmë të rimëkëmbemi, por po na godet dhe rritja e çmimeve dhe e kostove të biznesit në përgjithësi, na vijnë edhe propozime të reja ligjore, të cilat sikur duan të na thonë që ëndrra e keqe nga sapo dolët nuk është asgjë përpara këtij realiteti të hidhur që po ju pret.
Ne duartrokasim kur nafta për jahtet luksoze jepet për marketing të vendit tonë, por edhe kur subvencionohet një sektor si ai i peshkimit, duke i hequr taksa e tatime, apo kur thërriten investitorë me pesë yje të investojnë tek ne (për qiellgërvishtës të financuara me para të dala jo nga ekonomia shqiptare), duke i ndihmuar me statuse të privilegjuara investitorë strategjikë, apo kur sektori informatik i software-ve të tatohet më pak se të tjerët dhe gjithçka është normale.
Por, kur vjen radha tek individi intelektual shqiptar, ai nuk është në fokusin e politikës, por ajo i trembet edhe më shumë atij, nëse do të arrijë të fitojë pavarësi financiare. Lufta e klasave po sillet sërish në çështje dite. Në momente të ndryshme, vendime politike të shpejtuara janë vënë re edhe nga vetë qeveria, e cila me urtësi ka ditur të bëjë një hap pas, duke treguar pjekuri dhe maturi”, pohon Gjinishti.
Edhe kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, në një reagim në rrjetet sociale, pohoi se nëse drafti paraprak përfundon si variant final, Shqipëria duket se po vijon me praktika të paqarta tatimore, mungesë konsultimi publik dhe arnime ligjore me ndryshime çdo vit.
“Një reflektim i thellë mbi sistemin tatimor, me një ligj të ri bashkëkohor, do t’u jepte fund praktikave jo-efektive të tatimit mbi të ardhurat!
Në nëntor të 2021, Dhoma Amerikane ka shprehur pranë Ministrisë së Financave, por dhe publikisht, shqetësimin në lidhje me përmbajtjen e Paketës Fiskale 2022.
Rekomandimet tona mbi Tatimet janë të qarta në Paketën e Rekomandimeve të Axhendës së Investimeve që i kemi dërguar qeverisë. Duke u nisur nga drafti që qarkullon nëpër media, mesa duket, rekomandimet tona nuk janë marrë parasysh. Do të jemi në pritje të draftit zyrtar, por varianti i publikuar në media nuk përputhet me frymën konstruktive të ngritur mes grupeve të punës të AmCham-it dhe Ministrisë”, nënvizoi ai.
Bie xhiroja te bizneset e vogla
Rritja e çmimeve të mallrave të shportës ka frenuar konsumin. Eksperti fiskal, Ahmet Gjinishi, njëkohësisht dhe mbajtës i bilanceve kontabël të shumë bizneseve të vogla, thotë se kjo kategori nuk ka qëndrueshmëri të xhiros. “Momentalisht, bizneset janë duke përjetuar një situatë të paqëndrueshme, duke qenë të pasigurt në lidhje me të ardhmen e kostove direkte.
Rritja e çmimeve ka bërë që bizneset të mos ndërtojnë dot kontrata dhe raporte bashkëpunimi afatgjatë. Çmimet, të cilat ngrihen vazhdimisht, u japin gjithashtu pasiguri edhe në investime afatgjatë. Të gjithë janë në pritje të një stabiliteti, qoftë kjo nga klima ndërkombëtare, por edhe nga reformat apo politikat mbështetëse të qeverisë”.
Vijon rënia e konsumit në bare dhe restorante
Konsumi edhe te lokalet dhe restorantet vijon tkurrjen. Sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, situata është ndikuar nga ulja e të ardhurave të konsumatorit, për shkak të rritjes së çmimeve të shportës.
“Kriza e rritjes së çmimeve dhe rënies së konsumit po ndihet nga të gjitha bizneset, por te baret dhe restorantet po ndihet më tepër. Xhiroja në këto subjekte është në nivelin mediokër, pasi konsumatori nuk zotëron shumë të ardhura nga rritja e çmimeve të mallrave të shportës. Në pjesën dërrmuese të subjekteve, xhiroja është e paqëndrueshme.
Një ditë mund të kenë xhiro të kënaqshme, dy ditë të tjera është me rënie. Pra ritmi i aktivitetit nuk është normal. Gjithashtu baret dhe restorantet e zonës së ish- Bllokut dhe përreth në kryeqytet prisnin një përmirësim të aktivitetit nga mbajtja e ndeshjes së Konferencës së Ligës.
Por nuk ndodhi asgjë, pasi numri i tifozëve që erdhën nga jashtë nuk ishte aq i lartë sa u deklarua. Pjesëmarrja u fry mediatikisht. Përveç kësaj, itinerari i lëvizjes të tifozëve të huaj u përcaktua me skenar nga forcat e policisë”.
Për baret dhe restorantet në bregdet, z. Jahaj thotë se ka rritje të xhiros nga sektori i turizmit. Në këto struktura, sipas tij, pritet të shtrenjtohen çmimet e shërbimeve, pasi bizneset po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore. “Për strukturat në bregdet pritet të rritet numri i turistëve për fundjavë.
Në Durrës ka pasur fluks turistësh që në muajin maj, dhe kjo është pozitive për sektorin e turizmit, por edhe për baret dhe restorantet. Por tashmë në këtë sektor është problem gjetja e fuqisë punëtore.
Shumë drejtues të bareve dhe restoranteve po marrin fuqi punëtore nga jashtë. Kostoja e mbajtjes së tyre është e dyfishtë, pasi u paguhet fjetja, ushqimi dhe paga. Parashikohet që vitin e ardhshëm, shërbimi turistik të shtrenjtohet, sepse mungon fuqia punëtore”, nënvizon z. Jahaj.
Në këtë periudhë kur në lokale dhe restorante po thellohet rënia e xhiros, përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve vlerëson se ndryshimet e shpeshta fiskale, përveçse nuk sjellin dobi, tregojnë se qeveria nuk arrin të mbajë një politikë fiskale apo strategji afatgjatë të qëndrueshme. “Për sa kohë që ministritë dhe ekspertët përkatës nuk marrin masa që të pyesin të gjitha grupet e interesit për ndryshimin e politikave fiskale, teknikisht asgjë të mirë nuk do të ketë për bizneset”, thotë z. Jahaj.
Rënia e konsumit në këto sipërmarrje filloi të reflektohet që në muajt shkurt-mars, kur pati rritje të çmimeve të produkteve të shportës, por edhe të lëndëve të para nga importi. Ndërsa rritja e çmimeve të ushqimeve shtoi presion për shtrenjtim të çmimeve në bare dhe restorante. Konsumi pati zvogëlim edhe vitin e kaluar, për shkak të pandemisë.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve nënvizuan se Covid-19 për baret dhe restorantet për vitin 2021 krijoi një model të ri të sjelljes së klientit, pasi shumica prej tyre u mësuan të konsumojnë kafene dhe vaktin kryesor në zyra dhe shtëpi dhe për këtë arsye, konsumi ra ndjeshëm.
Në vend ka rreth 14 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit. Vetëm në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka 18% të të punësuarve në biznesin e vogël.
Biznesi i vogël, i rrezikuar nga ndryshimet fiskale
Për kryetarin e Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë Durrës, Alban Isteri, është shqetësuese që drafti i tatimit mbi të ardhurat godet të ardhurat e shtresës së mesme, siç janë personat e vetëpunësuar, biznesi i vogël dhe profesionet e lira që ofrojnë shërbime. Sipas tij, kjo do të ndikojë te falimenti i biznesit të vogël, duke favorizuar lulëzimin e të mëdhenjve.
“Miratimi i kësaj nisme do të ndikojë në rritjen e eksodit, sidomos të vetëpunësuarit e profesioneve të lira. Një pjesë e bizneseve të vogla të sektorit të shërbimeve të vogla do të falimentojnë ose do të rrisin çmimet, sepse kjo është një taksë e fshehur.
Për t’i mbijetuar krizës dhe barrës së rënduar tatimore, bizneset do të jenë të detyruara që, ose do të rrisin çmimet ose do të rigrupohen në bizneset e mëdha, sepse nuk do të përballojnë këtë taksë.
Tatimi mbi të ardhurat te të vetëpunësuarit dhe biznesi i vogël është i papërballueshëm. Në pamundësi për ta lënë zero këtë taksë, do të ishte më e drejtë të përcaktohej tatimi fiks për xhiron për biznesin e vogël. Të ardhurat e biznesit të vogël në buxhetin e shtetit janë në nivele të ulëta. Te këta tatimpagues është më i rëndësishëm ndikimi social për punësimin”.
Aktualisht biznesi i vogël, sipas tij, ka rënie të xhiros për shkak të tkurrjes së konsumit. “Kjo është fasha që e ka ndier më tepër rënien e konsumit. Janë në vështirësi për shkak të rritjes së lëndës së parë, që blihet tek importuesit.
Në këtë situatë, t’i vendosësh këtë taksë do të përkeqësojë klimën e të bërit biznes dhe do të ulet numri i bizneseve të vogla. Në anën tjetër, nëse do të taksohet kjo kategori, do të ketë rënie automatikisht të konsumit të përgjithshëm, sepse personat fizikë janë në numër të lartë”, thekson z. Isteri. /Monitor/