Duke refuzuar t’i bashkohet nismës “Ballkani i Hapur”, Kosova humb një lëvizje më të lirë të qytetarëve dhe mallrave, si dhe një treg më të madh për prodhuesit vendorë, thotë Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, me seli në Prishtinë.
Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Ajo është iniciuar nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019.
Nisma, që fillimisht është quajtur “Mini-Shengen”, sipas iniciuesve të saj, parasheh lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis të tria vendeve.
Me gjithë thirrjet e iniciuesve, tri vende të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina – vazhdojnë të kundërshtojnë të bëhen pjesë e nismës.
Zyrtarët në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, kanë argumentuar se një nismë e tillë është “pa vizion” dhe “e rrezikshme”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.
Ymeri thotë se Kosova në nismën “Ballkani i Hapur” do të plasohej si shtet i pavarur, ashtu si edhe shtetet e tjera pjesëmarrëse, dhe se do të bëhej pjesë e barabartë e marrëveshjeve që zbatojnë ato.
“Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova i ka vështirësitë më të mëdha sa i përket qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave. Në këtë drejtim, konsideroj se Kosovës i konvenojnë më së shumti nismat rajonale”, thotë Ymeri për Radion Evropa e Lirë.
Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka lëvizje të lirë në Bashkimin Evropian.
Qytetarët e saj nuk mund të lëvizin lirshëm as në Serbi e Bosnje – dy vende që nuk e njohin pavarësinë e shtetit, të shpallur në shkurt të vitit 2008.
Ymeri thotë se hyrja e Kosovës në “Ballkanin e Hapur” do të nënkuptonte zgjerim të tregut për të.
“Sa më i gjerë që është tregu, aq më atraktiv do të ishte për investitorët”, vlerëson ai.
Marrëveshjet e “Ballkanit të Hapur”
Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Marrëveshjet, mes tjerash, përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.
Udhëheqësit e tri shteteve kanë planifikuar që gradualisht të krijojnë edhe një treg të përbashkët për 12 milionë banorë – aq sa kanë të tria vendet bashkë.
Nga 1 janari i vitit 2023, ndërkaq, është rënë dakord që edhe kontrollet kufitare midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të hiqen.
Përfaqësuesit e tri vendeve pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje të reja edhe këtë javë.
Ata po takohen më 6 dhe 7 qershor në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Për herë të parë, në cilësinë e vëzhguesve, marrin pjesë edhe përfaqësues të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, por jo të Kosovës.
Pse Kosova është kundër?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në Ohër, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.
Ky proces është një iniciativë e nisur në vitin 2014, nga
kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, me qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin evropian.
Në një deklaratë të mëhershme, Kurti ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Në letrën dërguar Kovaçevskit, Kurti ka ftuar homologun maqedonas që “të punojmë së bashku për të parandaluar Serbinë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”.
Duke e komentuar këtë deklaratë, njohësi i çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut, Xhelal Neziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se “një nismë që përbëhet nga shtete që janë anëtare të NATO-s, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e në të cilën pritet të inkuadrohen edhe shtete të tjera si Mali i Zi, nuk mund të jetë projekt që do t’i mundësojë Rusisë të shtrijë ndikimin e saj në rajon”.
Gërxhaliu: Bashkëpunimi rajonal nuk ka alternativë
Profesori i ekonomisë në Kosovë, Safet Gërxhaliu, thotë se bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor nuk ka alternativë.
Sipas tij, në “Ballkanin e Hapur” duhet të jenë të përfshira të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, për të qenë funksional.
Si i plotë, thotë Gërxhaliu, “Ballkani i Hapur” do të ishte “një mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik të rajonit, tregun e përbashkët rajonal, investime të huaja, rritje të këmbimit tregtar mes vendeve anëtare, turizëm, edukim dhe shumë mundësi tjera”.
Gërxhaliu shton se për të funksionuar iniciativat rajonale, Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë sa më shpejt marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, e që do të përfshinte edhe njohjen reciproke.
Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë se Kosova do të përfitonte nga përfshirja në “Ballkanin e Hapur”.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai merr shembull marrëveshjen e “Ballkanit të Hapur” për qasje të lirë në tregun e punës.
“Liderët e shteteve, që janë pjesë e një iniciative të tillë, kanë folur për benefitet e shkëmbimit edhe të njerëzve, do të thotë nga njëri shtet në tjetrin brenda sezoneve të caktuara… Brenda një viti, ndoshta një shtet ka fuqi punëtore të bollshme, të panevojshme për tregun e brendshëm, që mund të zhvendoset në një shtet tjetër të Ballkanit”, thotë Zeka.
A do të përfshihet Mali i Zi në “Ballkanin e Hapur”?
Duke arsyetuar mospjesëmarrjen e tyre në “Ballkanin e Hapur”, përfaqësuesit politikë të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës kanë thënë, deri më tash, se nuk bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë e rrugës së tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i zgjedhur në muajin prill, ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në këtë nismë.
Në një samit të mbajtur në fund të majit në Mal të Zi, Abazoviç dhe presidentja e Kosovës, Osmani, kanë replikuar me njëri-tjetrin, pikërisht për shkak të kësaj nisme.
Abazovi# ka thënë se një pjesë e shoqërisë në Mal të Zi e kundërshton “Ballkanin e Hapur” vetëm për shkak të rolit të Serbisë në të.
“Ata nuk e kanë problem nismën, por e kanë problemin personal”, ka thënë Abazoviç.
Ndaj komenteve të tij ka reaguar Osmani, duke thënë se Kosova është e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal, porse mospajtimi i Kosovës me nismën e “Ballkanit të Hapur” duhet të respektohet.
Për mospjesëmarrje në këtë nismë, Kosovën e ka kritikuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se ajo “merret me teori konspirative, në vend se të jetësojë bashkëpunimin”.
Shtetet e Bashkuara, përmes të të dërguarit të tyre për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë shprehur bindjen se nëse “Ballkani i Hapur” nuk përfshin të gjashtë shtetet e rajonit, nisma nuk do të funksionojë.
Në një konferencë të nismës, që është mbajtur në nëntor të vitit të kaluar në Beograd, Escobar ka thënë se iniciativat rajonale duhet të jenë në mënyrë të barabartë të hapura për të gjitha shtetet. /Rel