A ka shanse për armëpushim? Fokusi i Putinit aktualisht është përqëndruar tek lindja e Ukrainës. Sipas analistëve Rusia mund t’i ndalë luftimet, vetëm nëse merr plotësisht rajonet e Donjeckut dhe Luhanskit.
Nga Christian Mölling dhe András Rácz
Se cilat janë qëllimet e luftës e që duhen ndjekur, për këtë nuk ka një ujdi në Perëndim. As për pyetjen tjetër, se me çfarë mjetesh do të merrte fund kjo luftë. Në Gjermani dominon mendimi, se konflikti mund të zgjidhet politikisht. Prandaj përmendet gjithnjë opcioni i negociatave si alternativë.
Aktualisht sundon logjika ushtarake
E kështu për një zgjidhje politike të konfliktit do të flitej vetëm atëherë, kur të vendosej dimensioni ushtarak në betejën e luftës. Nëse luftimet vazhdojnë pa marrje territoriale dhe qeveritë duhet të paguajnë një çmim politik të lartë për luftën, atëherë mund të ketë një shans që të deklarohen si të arritura qëllimet e luftës dhe të paktën të vendoset një armëpushim i përkohshëm. Kjo do të sillte një status quo territoriale. Arritja e një marrëveshjeje paqeje duket pa gjasa, kjo për shkak të një sërë çështjeve të pazgjidhura si Krimeja apo të të ashtuquajturave Republika të Donjeckut dhe Luhanskut, të cilave Rusia ua njohu pavarësinë.
Rifitimi i territoreve i vështirë
Duket shumë pak realiste, që Ukraina të rimarrë të gjitha territoret e humbura që nga viti 2014, madje as ato të humbura nga shkurti 2022. Por për fat të mirë po aq jorealiste është që Rusia të triumfojë mbi të gjithë Ukrainën. Pa një mobilizim të gjerë, Rusia nuk ka forca të mjaftueshme infanterie që të vazhdojë ofensivën e saj kaq të intensifikuar përtej muajve të verës. Objektivi më i vogël territorial i Rusisë është pushtimi i të gjithë rajoneve përreth Donjeckut dhe Luhanskit. Moska është madje e detyruar të arrijë këtë objektiv për shkak se e njohu pavarësinë e tyre si republika popullore. Kurse tek territoret e tjera, pjesë të Kharkivit, Saporishjas etj, Rusia mund të diferencojë dhe të jetë fleksibël.
Pushtimet ruse nuk do të avancojnë
Rusia gati e ka pushtuar të gjithë rajonin e Luhanskit dhe do të vazhdojë luftimet që të marrë edhe pjesën e Donjeckut. Por pas kësaj ushtria ruse është e konsumuar. Çdo ofensive tjetër strategjike si psh kundër Odesës do mund të përjashtohej. Kështu që pas fundit të betejës në Donbas, edhe Moska do të ketë interes që të përpiqet me një formë të uljes së konfliktit. Por deri atëherë ushtria ukrainase do të jetë goditur rëndë, infrastruktura do të jetë shkatërruar, shoqëria e lodhur dhe ekonomia do të jetë e varur nga ndihmat perëndimore.
Ky mund të jetë një moment, kur mund të arrihet një armëpushim, që do të mbështetej në masë të gjerë në një status quo territoriale. Vërtet Ukraina nuk do të njohë humbjen e territoreve, por një ngrihje e përkohshme mund të jetë e mundur. E përkohshme në kuptimin, që gjithçka do të vare, se si do të jenë zhvillimet e ardhshme në Kremlin. Një udhëheqje ruse pas Putinit do të ndodhej para vendimit, nëse ia vlen kontrolli i pjesëve të rajoneve Kherson, Saporishja e Kharkiv aq sa të durohen me vite sanksionet.
Këtyre zhvillimeve të mundshme i shtohet edhe mundësia e konfliktit të vazhdueshëm në nivele më të vogla. Ukraina mund të përpiqej të sfiliste pushtuesit rusë përmes sulmeve të vazhdueshme dhe ta bënte kështu të mundur kthimin e territoreve të pushtuara.
Alternativat e tjera shumë pak të mundura
Ndryshime të mëdha do ishin të mundura, vetëm nëse presidenti rus do jetë i detyruar të dorëzojë postin për një periudhë të shkurtër kohe. Një pasues do të kishte më shumë hapësirë veprimi, dhe ndoshta edhe interesa të tjera.
Ose vërtet Rusia vërtet shpall gjendjen e luftës dhe mobilizon shpejt shumë ushtarë që t’i dërgojë në front. Rusia do të mundej kështu të merrte shumë më tepër territor ukrainas se aktualisht, por me një çmim shumë të lartë në jetë njerëzish. E kjo alternativë do të pritej shumë keq në shoqërinë ruse.
*Christian Mölling është zëvendësdrejtor i Institutit “Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme”, DGAP. Si pikërëndesa të punës së tij janë politika e përbashkët e sigurisë dhe e mbrojtjes së BE dhe NATO-s.
*András Rácz është ekspert për Rusinë dhe për çështje të sigurisë në “Shoqatën Gjermane për Politikën e Jashtme.