Nga Boldnews.al
Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka vendosur përjashtimin për të marrë pjesë në tendera publikë për dy vjet kompaninë farmaceutike “Fedos”, për shkak se “ka keqinformuar autoritetin kontraktor me qëllim kualifikimin në procedurën e prokurimit”.
Episodi zë fill në vitin 2014 dhe ka kaluar në disa faza gjyqësore, pas ankimit të kompanisë së penalizuar.
Në Shkurt të vitit 2022, Gjykata e Lartë vendosi përfundimisht t’i jepte të drejtë Agjencisë së Prokurimit Publik.
Kjo e fundit, në 19 Maj 2022 vendosi përfundimisht përjashtimin e “Fedos” nga tendera publikë për 14 muaj, duke qenë se 10 muaj pezullim janë konsumuar që në vitin 2014.
“Kontrata sekrete”
Kompania farmaceutike “Fedos” është një prej operatorëve ekonomikë që fitoi një “kontratë sekrete” me qeverinë shqiptare, për pajisjet mbrojtëse anti-covid.
Në 6 Prill 2020, Qeveria “Rama” miratoi Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 276, për “Miratimin e kontratës me objekt “Blerje materiale mjekësore në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së virusit covid-19”, me palë Ministrinë e Drejtësisë dhe kompaninë “Fedos” shpk.
Vlera e kësaj kontrate nuk është bërë publike, por, gjithësesi, praktikat e ngjashme treguan në vijimësi se qeveria u dha “kontratat sekrete” shoqërive që ishin pranë saj.
Pavarësisht vlerësimeve pozitive nga qeveria, disa prej këtyre kompanive që fituan “kontrata sekrete”, nuk duket se kishin integritetin maksimal.
Më herët, Prokuroria e Tiranës urdhëroi arrestimin dhe vendosi nën hetim penal për kontrabandë biznesmenin Sokol Topçiu, administrator i shoqërisë “Farma Net Albania”, e cila kishte siguruar një kontratë “sekrete” me qeverinë shqiptare për maskat Covid-19.
Tashmë, është radha e “Fedos” shpk që të penalizohet për veprime të saj anti-ligjore.
Përjashtimi
“Boldnews.al” ka mësuar se Agjencia e Prokurimit Publik ka nisur një hetim administrativ për kompaninë “Fedos” shpk në pronësi aktuale të Orion Struga, në vitin 2014, në vijim të verifikimit të dokumentave për tenderin “Blerje dhe venie në punë pajisje ekzaminimi për okulistikë”, të zhvilluar nga Qendra Shëndetësore e Specialitetit nr.1, Tiranë, në qershor 2013.
Në vijim të verifikimeve, APP arriti në konkluzionin se “Fedos” shpk kishte “keqinformuar autoritetin kontraktor me qëllim kualifikimin në procedurën e prokurimit”.
Në bazë të këtij konkluzioni, Agjencia e Prokurimit Publik vendosi përjashtimin e “Fedos” shpk për dy vjet nga pjesëmarrja në tendera publikë.
Kompania private e ankimoi vendimin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.
Gjatë procesit gjyqësor, kompania pranoi se kishte dorëzuar dokumenta të pasaktë për tender, por se kjo ishte kryer nga një “punonjës i papërgjegjshëm, i cili ishte shkarkuar nga detyra”.
Gjykata e shkallës së parë pranoi kërkesën e kompanisë “Fedos” dhe e rrëzoi vendimin për përjashtimin e saj nga tenderat.
APP iu drejtua Gjykatës Administrative të Apelit. Edhe kjo e fundit, në Mars 2015, i dha sërish të drejtë kompanisë private.
Agjencia e Prokurimit Publik nuk tërhiqet dhe, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit, ushtrojnë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Çështja mbeti pezull për disa vite, për shkak të mos-funksionimit të Gjykatës së Lartë.
Pas rikthimit në aktivitet, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë shqyrtoi ankesën e APP-së.
“Boldnews.al” ka lexuar vendimin e Gjykatës së Lartë. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, kolegji i gjyqtarëve vendosi shfuqizimin e vendimeve të gjykatave administrative më të ulta, duke lënë në fuqi vendimin e Agjencisë së Prokurimit Publik për përjashtimin e kompanisë “Fedos” shpk për dy vjet nga pjesëmarrja në tendera publikë.