Publikohen të tjera detaje nga dosja e SPAK, ku i penduari Nuredin Dumani, i akuzuar për 17 vepra penale, ndër to 4 vrasje, ka rrëfyer për krimet e të paktën 10 viteve të fundit.
Sipas Faxnews, që ka publikuar pjesë nga dosja, dëshmitë e dhëna nga Nuredin Dumani dhe Henkriko Hoxhaj, të cilët aktualisht janë të arrestuar, mund të çojnë në zbardhjen e mjaft krimeve.
Ndërkohë ditën e sotme, SPAK ka kryer 18 arrestime, ndaj anëtarëve të grupeve kriminale.
Përfundime të gjykatës:
Duke iu referuar çështjes objekt gjykimi, rezulton se:
27.1 Nga sa parashtruam më lart ekziston dyshimi i arsyeshëm se të hetuarit kanë konsumuar veprat penale të cilat ju janë atribuuar. Në pjesën e rrethanave të faktit janë pasqyruar të gjitha faktet penale, personat të cilëve ju atribuuohen këto fakte, rolin e secilit prej tyre si dhe provat mbi bazën e të cilave krijohet dyshimi i arsyeshëm se fakti penal ka ndodhur dhe ai është kryer nga të dyshuarit. Gjykata vlerëson se, karahas akteve shkresore, një provë e rëndësishme e cila është në harmoni me ato shkresore, janë deklarimet e shtetasve Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj. Gjykata vlerëson se sikurse është sqaruar gjerësisht në pjesën e rrethanave të faktit deklarimet e shtetasve Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani janë në harmoni me njëra tjetrën dhe nuk rezulton të ketë kundërthënie, për fakte të cilët të dy japin deklarime.
Lidhur me vrasjen e shtetasit Elvis Dedaj, gjykata vlerëson se, faktet e pohuara nga shtetasi Nuredin Dumani janë në harmoni me provat e administruara në fashikull. Kështu, ky shtetas referon se akti është kryer nga shtetasi Henrik Hoxhaj dhe Festim Qoli. Shtetasi Nuredin Dumani, referon si moment njohje me shtetasin Festim Qoli, ditëlindjen e këtij të fundit, duke referuar dhe datën konkrete e cila sikurse rezulton nga aktet e administruara përputhet (referohet fundi i muajit Dhjetor). Po kështu, edhe shtetasi Henrik Hoxhaj si moment të njohjes me shtetasin Nuredin Dumani referon ditëlindjen e mikut të tyre të përbashkët. Gjykata çmon se, deklarimet e shtetasit Nuredin Dumani lidhur me vrasjen e shtetasit Elvis Dedaj në harmoni me provat e tjera krijojnë dyshime të arsyeshme se vepra është kryer nga shtetasit të cilëve i është atribuuar.
Rezulton se deklarimet e shtetasit Nuredin Dumani, lidhur me vrasjen e së ndjerës Fatmira Dedaj, janë në harmoni me provat shkresore të administruara gjatë hetimit në kuadër të procedimit penal lidhur me këtë ngjarje. Rezulton se shtetasi Nuredin Dumani referon se Festimi Qoli kishte planifikuar të ikte jashtë shtetit në momentin e ngjarjes dhe e tillë rezulton edhe nga të dhënat e sistemit TIMS, lidhur me këtë shtetas. Po kështu, ai shpjegon mekanizmin e vrasjes së të ndjerës, i cili përputhet me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor. Shtetasi Nuredin Dumani shpjegon së ndjerës i kanë marrë çantën për t’u dukur si grabitje sepse kështu donte Festimi dhe ky deklarim përputhet pasi gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk i është gjetur çanta të ndjerës.
Po kështu, shtetasi Nuredin Dumani shpjegon rolin që kishte në këtë ngjarje vëllai i shtetasit Festim Qoli, shtetasi Petrit Qoli dhe djali i xhaxhait të tij, shtetasi Agron Qoli. Gjykata vlerëson se, dekarimet e shtetasit Nuredin Dumani në raport me provat shkresore të cilat janë cituar hollësisht në pjesën e rrethanave të faktit, janë të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se vepra penale ndaj shtetases Fatmira Dedaj është kryer nga shtetasit të cilëve j’u është atribuuar fakti penal.
27.2 Nga deklarimet e shtetasve Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani, së bashku me provat e tjera shkresore të administruara, është zbardhur mekanizmi i një sërë ngjarjesh me shtrirje Elbasan-Durrës-Tiranë. Të hetuarit kanë vepruar në bashkëpunim në formë e veçantë të grupit të strukturuar kriminal dhe sipas një plani të paracaktuar. Hetimet e kryera nga Prokuroritë pranë Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për këto ngjarje kriminale kanë evidentuar ekzistencën e disa grupeve të strukturuara kriminale të cilët kanë shtrirje gjeografike kryesisht në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Këta grupe kriminale janë dedikuar në veprat penale në dëm të jetës dhe shëndetit si edhe në drejtim të pasurisë.
Rezulton nga aktet e administruara dhe deklarimet e shtetasve Henrik Hoxhaj e Nuredin Dumani, se ata janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale dhe nëpërmjet pohimit të tyre lidhur me faktin kanë dhënë të dhëna të rëndësishme lidhur me bashkëpunëtorët e tyre. Gjykata, vlerëson se, për secilin prej fakteve penale janë pasqyruar në pikën e parë rrethanat, provat shkresore dhe deklarimet e shtetasve, duke çmuar se në këtë moment porocedural ka dyshime të arsyeshme të bazuar në prova se për secilin episod shtetasit e dyshuar janë ata të cilëve i është atribuuar nga organi procedues secili prej fakteve penale.
27.3 Nuk rezulton të ketë ndonjë shkak padënueshmërie për secilin prej autorëve të dyshuar për secilin prej fakteve penale, të cilët janë madhor dhe të përgjegjshëm para ligjit. Gjithashtu, nuk rezulton të ketë ndonjë shkak shuarje të veprave penale, të cilat nuk rezultojnë të jenë dekriminalizuar, amnistuar etj. Po kështu, nuk rezulton të ketë ndonjë shkak shuarje të dënimit të tyre.
27.4 Neni 228 pika 3 i K.Pr.Penale parashikon “3. Masat e sigurimit personal vendosen: a) kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, bazuar në rrethana fakti që duhet të tregohen posaçërisht në arsyetimin e vendimit; b) kur i pandehuri është larguar ose ekziston rreziku që ai të largohet; c) kur për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet”. Gjykata çmon se, në rastin objekt gjykimi, plotësohen të tre kushtet për caktimin e masës së sigurimit.
Për shkak të rrezikshmërisë së veprave penale, rrethanave të kryerjes të secilës së prej tyre dhe rolit të secilit prej personave nën hetim ekziston rreziku që ata të ndikojnë në marrjen dhe/ose vërtetësinë e provave dhe nëpërmjet ndikimit të tyre të cenojnë ecurinë e këtij procesi. Po kështu, për shkak të llojit të veprave penale (vepra penale kundër jetës, shëndetit dhe pasurisë), marzhit të dënimit si dhe statusit të personave nën hetim ekziston rreziku të largohen duke pamundësuar zhvillimin normal të procedimit dhe ky rrezik është konkret duke pasur parasysh dhe mënyrën sesi kanë ecur procedimet deri në momentin që janë marrë deklarimet e shtetasve Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani.
Gjithashtu, duke u nisur nga akitviteti i tyre, bashkëpunimi në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, lidhjet që kanë këta shtetas, mënyra sesi veprojnë, ekziston rreziku që të kryejnë vepra penale po njësoj të rënda ose më të rënda.