Një 45-vjeçar nga Lezha, protagonist i një kamere të fshehtë të një emisioni televiziv, është arrestuar nga policia e Lezhës.
Ai është vënë në pranga për veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Vepra të turpshme”.
“Në lidhje me rastin e publikuar në emisionin ‘Piranjat’, në televizionin ABC News Albania, në të cilin është trajtuar rasti i një shtetasi që dyshohet se ka ngacmuar seksualisht nje shtetase 15 vjeçe dhe ka kryer veprime të turpshme ndaj saj, ju bëjmë me dije se: Pas publikimit të këtij rasti, shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë ndaluar, për veprat penale ‘Ngacmimi seksual’ dhe ‘Vepra të turpshme, shtetasin K.Gj., 45 vjeç, banues në fshatin Tale, person me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes”, njofton policia.
“Vijojnë hetimet për verifikimin dhe dokumentimin e rasteve të tjera të kësaj veprimtarie kriminale, që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme”, thuhet më tej në njoftim.