Për Presidentin Aleksandër Vuçiç, vendi i Serbisë është në Bashkimin Evropian dhe vendi duhet të vazhdojë në rrugën që të çon drejt BE-së, por në të njëjtën kohë duke mbrojtur interesat dhe specifikat e saj.
Pasi një sondazh i djeshëm tregoi se për herë të parë shumica e serbëve nuk e mbështesin anëtarësimin e Beogradit në BE, Vuçiç tha: Ne duhet të mbrojmë atë që është e jona dhe pavarësinë tonë vendimmarrëse, të paktën deri sa të anëtarësohemi në BE. Sepse çdo gjë është ndryshe kur je anëtar i një blloku, por edhe atëherë askush nuk të privon zërin, as trurin, as gjuhën tënde.
Duke ju referuar sondazhit, Vuçiç tha se besonte se një nga shkaqet lidhej me presionin nga Bashkimi Evropian për çështjen e Kosovës dhe sanksionet ndaj Rusisë, të cilave Beogradi refuzon t’i bashkohet.
Për mosvendosjen e sanksioneve, vuri në dukje Vuçiç, Serbia paguan një çmim të lartë.
Sondazhi i Ipsos, i publikuar dje zbuloi se 43.8% i thanë jo anëtarësimit të Beogradit në BE, ndërsa 34.39% tha në po. 21% e të intervistuarve thanë se nuk kanë një mendim ose nuk duan ta zbulojnë atë.