Nga Boldnews.al
Gjyqtarja e Tiranës, Blerina Muça, vendosi t’i japë të drejtën grupit të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj për të ankimuar vendimin e kolegut të saj, Agron Zhukri, i cili njohu aktet e Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit 2021, në bazë të të cilit Partia Demokratike drejtohet nga Komiteti i Rithemelimit.
Vendimi i gjyqtares Muça shkaktoi reagimin e menjëhershëm të përfaqësuesve ligjorë të Rithemelimit, por edhe ekspertëve ligjorë, të cilët e konsiderojnë atë në shkelje të ligjit procedurial dhe praktikës gjyqësore.
Ekspertët që e njohin me detaje konfliktin gjyqësor mes demokratëve, rendisin disa pika, mbi bazën e të cilave vlerësojnë se gjyqtarja Muça ka gabuar duke legjitimuar grupin e drejtuar nga Alibeaj për të bërë ankim në Gjykatën e Apelit kundër Komitetit të Rithemelimit.
1. Procesi nuk ka “palë”
Ankimi nuk përmbush asnjë nga kriteret e përcaktuara në mënyrë rigoroze në ligj.
Konkretisht, personi që ka paraqitur ankimin, në rastin konkret Alibeaj, nuk është palë në proces në kuptim të ligjit (422/a KPrC) dhe as nuk është përfaqësues legjitim i ndonjë pale në procesin e shqyrtimit të kërkesës.
Kontrolli mbi legjitmimin që bën Gjykata në këtë rast nuk është substancial, por vetëm formal/procedurial, pra verifikon nëse ankohet një palë që formalisht ka qenë në proces apo jo.
2. Standartet e ndryshme
Gjyqtarja Blerina Muça ka mbajtur të njëjtin standart më herët.
Komiteti i Rithemelimit ndërhyri në procesin gjyqësor të iniciuar nga Lulzim Basha, për regjistrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Korrikut 2021.
Gjyqtarja Muça, e cila po shqyrtonte kërkesën e Bashës, nuk e mori aspak në shqyrtim ndërhyrjen e Komitetit të Rithemelimit, pikërisht për faktin se ky grupim nuk ishte dhe nuk mund të merrte cilësinë e “palës” në proces.
Dhe, rrjedhimisht, as nuk mund të kundërshtonte kërkesën e depozituar nga përfaqësuesit e Lulzim Bashës.
Pra, për të njëjtat arsye, e njëjta gjykatë, madje e njëjta gjyqtare, ishte e detyruar të mbante të njëjtin standart, duke mos e legjitimuar z.Alibeaj në paraqitjen e ankimit.
Gjykata e Tiranës e ka të konsoliduar praktikën për mospranimet e ankimeve nga palë të cilat nuk legjitimohen
3. Praktika e konsoliduar
Ky standart është tashmë i vendosur nga Gjykata e Tiranës.
Gjyqtari Ervin Pollozhani, në një çështje të regjistruar në Gjykatën e Tiranës në Tetor të vitit 2021, ndër të tjera shprehet:
“…Pra nuk ka një vendim të posaçëm nga kjo gjykatë për pranimin ose jo të kërkesave të futjes ose jo të tyre si palë ndërgjyqëse në këtë proces, në mënyrë që më pas, sipas përcaktimeve proceduriale mbi të drejtën e ankmit të parashikuara nga Neni 194/2, të K.Pr.Civile të mund të ushtrohej e drejta e ankimit..”
4. Alibeaj nuk është “palë”
Krahas praktikës së konsoliduar të Gjykatës së Tiranës, ka edhe një vendim mbi çështjen konkrete, në të cilën grupimi që përfaqësohet nga z. Alibeaj, nuk mund të merrte cilësinë e “palës” në procesin e iniciuar nga Grupi i Rithemelimit.
Partia Demokratike, e drejtuar nga Lulzim Basha, kërkoi nga Gjykata përjashtimin e gjyqtarit Agron Zhukri nga shqyrtimi i kërkesës së Komitetit të Rithemelimit, me argumentin e “konfliktit të interesit”.
Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit Zhukri u shqyrtua nga kolegu i tij, Arben Konstandini.
Ky i fundit, në vendimin për rrëzimin e kërkesës për përjashtimin e Zhukrit, deklaron ndër të tjera:
“… Gjykata konstatoi se kerkuesi, Partia Demokratike e Shqipërisë e përfaqësuar nga Kryetari i PDSH-së Z. Lulzim Basha, nuk është palë në procesin civil Nr.1346/2021, ku si palë kërkuese në këtë proces është Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të P.D. Për pasojë, nuk legjitimohet në ngritjen e kësaj kërkese për përjashtimin e gjyqtarit Agron Zhukri nga shqyrtimi i çështjes Nr.1346/2021″.
Pra, edhe një gjyqtar tjetër, në rastin konkret Arben Kostandini, nuk e ka njohur si “palë” grupin e Partisë Demokratike që qëndron përballë Komitetit të Rithemelimit.
5. Alibeaj nuk ka tagër përfaqësimi
Zhvillimet e vrullshme statutore brenda Partisë Demokratike kanë sjellë ndryshime të rëndësishme, të cilat, megjithëse nuk pranohen nga palët, kanë fuqi juridike.
Sipas ekspertëve që njohin me detaje çështjet e fundit ligjore brenda PD-së, mbajnë qëndrimin se Enkelejd Alibeaj, edhe në rast se do të kishte të drejtë ligjore për ankim, nuk ka tagër përfaqësimi të Partisë Demokratike.
Kuvendi Kombëtar i 11 Dhjetorit, që zgjodhi si drejtues Komitetin e Rithemelimit, vendosi ndër të tjera edhe shkarkimin nga detyra të kryetarit Lulzim Basha, Kryesisë dhe nënkryetarëve, ndër të cilët edhe Enkelejd Alibeaj.
Duke qenë se ndryshimet e Statutit të Partisë hyjnë në fuqi menjëherë dhe në gjykatë thjesht “vërtetohen si fakt”, rezulton që Enkelejd Alibeaj nuk është zyrtarisht nënkryetar i Partisë Demokratike që prej 11 Dhjetorit 2021.
Po ashtu, edhe caktimi i tij si “kryetar i komanduar” nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, sërish nuk plotëson kriteret formale, pasi ky caktim i përkohshëm duhet bërë nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike.
Megjithatë, pavarësisht këtyre problematikave proceduriale, gjyqtarja Blerina Muça vendosi t’i njohë Alibeajt të drejtën e ankimit në Gjykatën e Apelit kundër vendimi të kolegut të saj, Agron Zhukri, për të njohur Komitetin e Rithemelimit si drejtues të përkohshëm të Partisë Demokratike.
Për më tepër, sipas njoftimit të Gjykatës së Tiranës, vendimi më i fundit i gjyqtares Muça është i pa-ankimueshëm.
Për këtë pikë, ekspertët e Komitetit të Rithemelimit kanë qëndrim tërësisht të kundërt dhe po përgatiten që ta ankimojnë në Gjykatën më të lartë.