Nga Boldnews.al
Para pak ditësh, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, e drejtuar nga Ergys Verdho, bëri një tender 1 milionë USD për një sistem satelitor të parashikimit të motit. Verdho “sfidoi” hapur Ramën, i cili premtoi vitin e kaluar se do të dërgonte në orbitë dy satelitë “Albania 1” dhe “Albania 2”.
Por, Rama nuk ka mundur që t’i dërgojë deri më tani, teksa Verdho e bëri tenderin dhe shpalli fituesin. Tani, KESH pritet që të menaxhojë më mirë prurjet në kaskadat, pavarësisht se gjatë kësaj kohe kjo korporatë është akuzuar për keqmenaxhim, pasi shet energji me çmim të lirë dhe e blen disa herë me shtrenjtë. Por, me tenderin e radhës, edhe këto “problematika” duket se do të fashiten! Verdho, pasi e ndriti te ARRSH-ja, po ia “bën gropën” edhe KESH-it, pasi po shpenzon para’ pa kufij.
Sipas dokumenteve që disponon Boldnews.al, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka hapur një tender me objekt “krijimi i programit të menaxhimit të aktivitetit të operimit tregtar”. Fondi limit për këtë tender është plot 198.000.000 lekë pa TVSH, ose me TVSH rreth 2 milionë euro.
“Afati kohor për implementimin do të jetë 60 ditë, nisur nga data e nënshkrimit të kontratës. Mirëmbajtja do të jetë 1 vit nga momenti i lëshimit të certifikatës së marrjes në dorëzim të sistemit” thuhet në dokumentin e këtij tenderit.
Në dokumente thuhet se afati për paraqitjen dhe hapjen e ofertave, sipas parashikimeve në nenin 42 pika 6 të LPP shkurtohet, pasi jemi në “gjendje emergjente”. Më tej thuhet se Këshilli i Ministrave e ngarkon Kompaninë KESH sh.a që për qëllime të furnizimit me të gjitha sasitë e nevojshme për nevojat e furnizuesit të shërbimit universal ka të drejtë të marrë me qira asete gjeneruese termike të energjisë të shkëmbejë/depozitojë apo të kryejë transaksione shit-blerje të energjisë në tregun e lirë.
“Në zbatim të akteve të mësipërme, KESH sh.a ka filluar importin e energjisë elektrike për plotësimin e kërkesës së shoqërisë FSHU sh.a prej datës 1 janar 2022 dhe në vijim. Me qëllim optimizmin e kostove të blerjes së energjisë elektrike, KESH sh.a është i detyruar të ndjekë në dinamikë çmimet e bursave të energjisë elektrike dhe në vijim të hapë procedura të blerjes së energjisë elektrike.
Ky proces është shumë i shpeshtë brenda javës/muajit, pasi edhe nevoja për energji elektrike nga FSHU sh.a është e ndryshueshme në varësi të konsumit të vendit. Në kushtet e mësipërme dhe ku prioritet ka sigurimi i energjisë elektrike me kosto sa më të ulët është e nevojshme që procesi i blerjes së energjisë elektrike të bëhet me sistem elektronike, kjo me qëllim kapjen në kohë më të shpejtë të sinjaleve të tregut të energjisë elektrike si dhe rrjedhimisht uljen e kostove për blerje energjie elektrike” thuhet në dokumente.
Në dokumentet shoqëruese, KESH shkruan se “është identifikuar nevoja për të investuar në teknologjinë e informacionit, më konkretisht në digjitalizimin, unifikimin dhe harmonizimin e aktiviteteve të shit-blerjes së energjisë elektrike”.
Sipas saj, më konkretisht, nëpërmjet një programi modular softëare do të mundësohet digjitalizimi dhe automatizimi i procesit të shitblerjes që nga momenti i publikimit të procedurave tenderuese të shitjes dhe blerjes së energjisë elektrike nga ana e KESH, ku të gjithë operatorëve vendas apo të huaj tu mundësohet të japin ofertat e tyre për këto procedura, marrjen e ofertave online nëpërmjet programit, gjenerimin e faturave financiare, ekzekutimin e tyre në përputhje me regjimin tatimor, fiskalizimi i faturave dhe arkëtimet e transaksioneve, regjistrimi i të gjitha të dhënave të transaksioneve financiare në këtë program.
“Programi gjithashtu do të bëjë të mundur sugjerimin në mënyrë automatike të ofertave me të favorshme për KESH për të maksimizuar të ardhurat dhe për të ulur shpenzimet” thuhet në këto dokumente.