Qeveria miratoi sot vendimin për të rimbursuar me 100 lekë për litër shoqëritë e transportit qytetas dhe ndërqytetas, masë kjo për të përballuar rritjen e çmimit të naftës.
Sipas vendimit, kjo shumë do të rimbursohet për të gjitha shoqëritë e transportit qytetase, rrethqytetase dhe ndërqytetase për një periudhë tremujore: mars, prill, maj 2022.
“Kompensimi bëhet për shumën e konsumimit të karburantit për periudhën: mars, prill, maj 2022, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2021, për secilën nga shoqëritë”, thuhet në VKM.
Për të realizuar këtë vendim, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë i shtohet fondi prej 430 mln lekë.
Kriteret dhe dokumentacioni
1. Kërkesa për të përfituar kompensimin financiar, të përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, bëhet nga subjekti çdo muaj pranë administratës tatimore nën juridiksionin e së cilës është regjistruar, e cila bën verifikimin e dokumentacionit të paraqitur.
2. Subjektet kërkuese duhet të paraqesin pranë administratës tatimore, nën juridiksionin e së cilës janë regjistruar, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën, sipas shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Kopjen e licencës përkatëse të vlefshme për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas;
c) të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS;
ç) Emrin e bankës, ku subjekti përfitues ka llogarinë rrjedhëse bankare;
d) IBAN-in e llogarisë bankare (jo më shumë se 28 karaktere dhe në monedhën lekë);
dh) Shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën: mars, prill, maj, të vitit 2021 dhe 2022;
e) Shoqëritë, që përveç aktivitetit të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, ushtrojnë edhe aktivitete të tjera, përveç kopjeve të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën: mars, prill, maj, të vitit 2021 dhe 2022, duhet të paraqesin edhe:
i. vetëdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas;
ii. kopje të fletëdaljeve të karburantit gjatë muajve mars, prill, maj, të viteve 2021 dhe 2022, të përdorur për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, sipas targave të mjeteve.
3. Kërkesat nga subjektet paraqiten pas datës 10 (dhjetë), të muajit pasardhës, duke filluar nga muaji prill 2022.
4. Në rastin kur konstatohen se në dokumentet e dorëzuara nga subjekti janë të paplota apo kanë mangësi, administrata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve pune, e kthen kërkesën me qëllim plotësimin e dokumentacionit.
5. Administrata tatimore, pas verifikimit të dokumentacionit të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, dërgon pranë degës përkatëse të thesarit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune, urdhërshpenzimet, duke bashkëlidhur listën përmbledhëse të subjekteve përfituese, sipas bankave të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë e tyre bankare.
6. Për shoqëritë e regjistruara pas muajit maj, të vitit 2021, si vlerë reference për kompensim do të merret vlera më e lartë e konsumit të karburantit, për periudhën janar-shkurt 2022.
7. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore mund të kryejnë edhe verifikime në vend, në rast konstatimi të pasaktësive në dokumentacionin e paraqitur në kërkesë.
8. Struktura e thesarit në degë, mbas marrjes së urdhërshpenzimit me listën e përfitueseve, sipas pikës 5, të këtij kreu, kryen pagesën brenda 5 (pesë) ditëve pune.
1. Kërkesat për kompensim do të pranohen deri në datën 1 gusht 2022.
2. Efekti financiar prej 430 000 000 (katërqind e tridhjetë milionë) lekësh, sipas pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi, përballohet nga fondi i kontigjencës për paketën e rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës, miratuar për vitin 2022.