Rritja e kostove për ushqimin e bagëtive po vë në sfida serioze blegtorët në Shqipëri. Në Qarkun e Gjirokastrës, që njihet për mbarështimin e bagëtive të imta po ulet ndjeshëm numri i krerëve duke rrezikuar pakësimin e prodhimit të qumështit. Në disa rajone blegtorët kanë protestuar javët e fundit duke kërkuar mbështetje nga qeveria ndërsa Ministria e Bujqësisë ka nisur takime këshilluese për poltikat në këtë sektor.
Asllan Gërbi, një blegtor në Valare të Gjirokastrës, përgatitet të lëshojë delet nga stani në kullotë ndërsa flet gjithnjë e më shumë për vështirësitë në mbarështimin e bagëtive me të cilat merret familjarisht prej 30 vitesh.
“Unë e kam pasur një mijë krerë tufën dhe kam zbritur në gjashtëqind dhe jam drejt asaj që do ta ul akoma numrin e krerëve. Deri në vjeshtë do ta ul tufën sepse nuk i mbaj dot”, thotë ai.
Asllani thotë më tej se e shet një litër qumësht deleje me rreth 1 dollarë një çmim që pothuasje s`ka ndryshuar në raport me vitet e tjera, ndërsa kostot e sigurimit të lëndës ushqimore për bagëtitë janë rritur ndjeshëm sidomos këtë vit.
“Unë marr nga bashkëfshatarët e mij toka me qera me njëzetë mijë lekë dynimi. Meqënëse unë marr disa hektarë sepse kam tufa të mëdha ka një shtrenjtim të gjërave dhe çmimet u rritën gati dyfish dhe trefish si pwr plehrat dhe punimin e tokws. Me shpenzimet që kemi për lëndën ushqimore për bagëtitë jemi këtë vit edhe më keq dhe dimërimin e bagëtive nuk e arrijmë ta sigurojmë”, thotë ai.
Shteti duhet të luajë rolin e tij si rregullator, thotë Asllani duke folur për disa nga mundësitë e ndihmës ndërkohë që më parë ka marrë mbështetje të pjeshme me sumbvencionimin e naftës.
“Shteti ka pasur toka të lira dhe u ka dhënë atyre që nuk janë fermerë tokat për t`i shfrytëzuar me qera disavjeçare dhe nuk ia jep atij që i takon bujkut apo blektorit. Megjithatë shteti edhe na ka parë duke na sumbvencionuar. Unë marr rimbursim nafte vetëm për tokat që kam vetë në pronësi sepse për tokat me qera nuk më sumbvencionojnë. Por nuk i përballon dot kostot.”, thotë zoti Asllan Gërbi.
Prej disa javësh blegtorët kanë zhvilluar protesta në disa rajone në Shqipëri duke kërkuar veçanërisht rritjen e çmimit të qumështit që ata shesin tek njësitë përpunuese. Sipas tyre një litër qumësht shitet sa një litër ujë dhe kjo nuk u lejon atyre fitime në mbajtjen e bagëtive.
Adriatik Danaj, një përpunues i vogël në fshatin Asim Zeneli në Gjirokastër, thotë se kjo është e pamundur pasi vetë përpunuesit kanë kosto të rritura dhe nuk mund ta blejnë qumështin me çmim më të lartë nga barinjtë.
“Të gjitha janë vështirësi. Që kur ngrihesh në mëngjes dhe fillon nga puna duhet të shkosh të marrësh naftën, për të grumbullluar qumështin në terrene të largëta mendon si është çmimi sot. Do shkosh të marrësh gazin, çmimi i të cilit është dyfishuar, se ne me gaz punojmë. Për të shkuar më tej tek situata tjetër për të mbledhur qumështin tek blektorët të cilët kanë edhe ata të tyret jo po pse me këtë çmim…”, thotë zoti Adriatik Danaj.
Zoti Danaj i sheh mundësitë e mbështetjes nga shteti tek zbutja e tatimit për përpunuesit dhe mbështetja me sumbvencione për vetë blegtorët.
“Ne jemi shumë të ngarkuar me tatimin e Vlerës së shtuar. 20% i TVSH-së nëse nuk do na e mbante shteti do na jepte mundësi të rrisnim çmimin e blerjes së qumështit tek barinjtë. Po kështu edhe tek blegtorët shteti duhet të sumbvencionojë për një litër qumësht.Vjen një situatë e vështirë që këtu do ngelet pa bagëti. Edhe disa të rinj që nisën këto vite të ngrenë tufa do të dekurajohen sepse nuk dalin me fitim”, thotë ai.
Ministria e Bujqësisë ka nisur një proces këshillimi me grupe blegtorësh dhe me përpunuesit e qumështit duke premtuar përmirësimin e politikave mbështetëse.
Krenar Veliu në sektorin e Gjirokastrës të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë thotë se blegtoria ka sfidat e saj sidomos për bagëtitë e imta.
“Blegtoria është e gjitha në zonat rurale, por nuk është në qendër të fshatit por në lartësitë e maleve. Sidomos në periudhën e verës tufat shtegëtojnë në kullota verore, në rrethe të tjera si në Korçë dhe në Ersekë dhe në Sarandë në pjesën dimërore. Duke qenë blegtori e imët ajo përballet edhe më vështirësi si në rastin e verës së kaluar që ishte e thatë dhe blegtoria u largua nga malet për arsy të mbarimit të ujit në lera dhe zbriti në luginë. Blegtoria përballet kwshtu edhe me vështirësi ekonomike të tregut edhe me vështirësi të natyrës”, thotë zoti Veliu.
Sipas të dhënave zyrtare numri i bagëtive të imta ka ardhur në rënie vit pas viti në Shqipëri dhe rrjedhimisht edhe prodhimi i qumështit.
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave kjo rënie, si për numrin e deleve dhe të dhive është mbi 10 % në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019.
Një numër njësish të përpunimit të qumështit në Shqipëri po importojnë sasi qumështi nga vendet e rajonit, kryesisht nga Serbia, pasi vjen me çmim më të ulët sepse këto vende kanë sumbvencione më të mëdha për bujqësinë dhe blektorinë. Ndërkohë , sipas të dhënave zyrtare edhe importimi i qumështit pluhur u rrit nga .
Të dhënat e Drejtorisë së Doganave flasin se gjatë vitit 2021 importi i qumështit të lëngshëm u rrit në 16,2 milionë kg nga 11,4 milionë që ishte në vitin 2020.Vetëm nga Serbia u importuan në Shqipëri në vitin 2021 rreth 6,1 milonë kg qumësht I lëngshëm nga 1,5 milionë që ishte importuar në vitin 2020. /VOA