Teksa ekonomia e vendit në vitin 2021 u rrit me ritmet të larta të dy dekadave të fundit me mbi 8,5%, bujqësia sektori më i madh i ekonomisë shënoi rritjen më të ulët në krahasim me sektorët e tjetër me vetëm 0.28%.
Sipas të dhënave të INSTAT, ritmet e rritjes në sektorin e bujqësisë ishin më të ulëtat në 24 vite (që nga viti 1997).
Dobësitë në bujqësi u reflektuan edhe në eksportet e prodhimeve të fushës perime dhe zarzavate, të cilat gjatë vitit të kaluar shënuan 8,8 miliardë lekë me rënie me 0.4 për qind në raport me vitin 2020.
Zarzavatet janë produkti më i eksportuar nga grupi i ushqimeve me një rritje të shpejtë vitet e fundit si rrjedhojë e investimeve në sera dhe shtimit të sipërfaqes se mbjellë. Nga viti 2010 në vitin 2021 eksportet e zarzavateve u shumëfishuan, duke arritur një vlerë prej 8,8 miliardë lekësh nga 464 milionë lekë më 2010.
Por tre vitet e fundit sektori bujqësisë dhe prodhuesit në sera po kalojnë në vështirësi për shkak të ndryshimit të shpeshtë të skemës kombëtare të mbështetjes financiarë, rritjes së kostos së lëndëve të para dhe mungesës së fuqisë punëtore.
Gjatë këtij viti prodhimi bujqësor pritet të tkurrjet më tej duke shkuar drejt vlerave negative pasi, bujqit në zonat më prodhuese të vendit, Fier, Lushnje, Berat kanë reduktuar mbjelljet si rezultat i kostove të larta dhe çmimeve të ulëta të shitjes.
Të dhënat e tregtisë së jashtme për muajt janar-shkurt 2022, treguan se eksportet e plehëruesve për bujqësinë shënuan rritje me mbi 1400 për qind, në një kohë që importet kishin pësuar rënie drastike, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Burimet nga tregu bënë të ditur se, tregtarët po rieksportojnë stoqet dhe furnizimet në Kosovë dhe Serbi prej mungesës së interesit në tregun vendas. Heqja e subvencioneve dhe vënia e TVSH mbi inputet, të kombinuara me çmimet e larta të plehëruesve në tregjet ndërkombëtare i bënë të papërballueshme blerjet nga fermerët shqiptare, shpjeguan të njëjtat burime.
Fermerët kanë lajmëruar pakësim të mbjelljeve këtë sezon. Vladimir Çela i cili zotëron një nga format më të mëdha në zonën e Fierit tha se fermerët kanë mbjellë më pak sera. Shkak u bënë çmimet e larta të mbjelljeve të dyta dhe borxhet e larta në furnitorët e inputeve, tha Cela.
Edhe pjesa tjetër e zinxhirit nuk janë optimistë, sidomos eksportuesit. Si rrjedhojë e heqjes së skemës së subvencionit të TVSH-së. Kompanitë e grumbullimit dhe eksportit të fruta-perimeve në vend pohojnë se nuk presin rritjen vitin në vijim.
Historikisht bizneset bujqësore, sidomos fermat prodhuese, kanë vuajtur nga norma të ulëta të fitimit, por së fundmi rritja e kostove të lëndëve të para dhe mungesa e tregut po lë pa mbjellë qindra hektarë tokë për sezonin tjetër. Në zonat e Fierit dhe Lushnjës, këtë vit, ureja shitet 120% më shtrenjtë dhe nitrati gati 250% më shumë se vitin e kaluar./B.Hoxha
/Monitor.al/