Nga Klodian Tomorri
Një muaj më parë në ekstraktin e kompanisë që ka koncesionin e markimit të karburanteve u shfaq papritmas një pronar i ri. Një shtetase turke e quajtur Nerve Korkmaz rezulton se është bërë pronarja e re e koncesionit duke zotëruar 99.3 për qind të aksioneve. Koncesioni i markimit zotërohet nga kompania GFI Albania. Por vetë GFI zotërohet nga një kompani e quajtur Global Petroleum Partners AG e regjistruar në Delaware të SHBA-ve. Zonja Korkmaz ka blerë pikërisht kompaninë mëmë në Delaware.
Nerve Korkmaz nuk është një personazh i panjohur në Shqipëri. Disa vite më parë ajo ishte përfaqësuesja e donatorëve turq në klubin e futbollit Flamurtari dhe bashkëpuntorja e ngushtë e biznesemit vlonjat Sinan Idrizi. Pra zonja Korkmaz është në fakt Sinan Idrizi dhe ortakët e tij nga Turqia.
Shitjet e aksioneve dhe ndërrimi i pronësisë së bizneseve janë transaksione normale, që ndodhin çdo ditë në treg. Por në këtë rast ndërrimi i pronësisë ka nga pas kulisa.
Në rrethet e ngushta të qeverisë ka disa javë që qarkullojnë zëra se koncesioni i markimit do të zgjatet, në një skemë të ngjashme me atë të aeroportit të Rinasit. Tashmë kjo histori ka më shumë se sa zëra.
Marrëveshja e koncesionit të markimit është nënshkruar në 27 shkurt të vitit 2013. Ky koncesion ka një afat 10 vjeçar dhe përfundon në shkurt të vitit tjetër. Pra një koncesion, të cilit i ka mbetur më pak se një vit afat ndërron pronësi. Zakonisht transaksione të tilla nuk ndodhin pa marrë më parë garanci për zgjatje të koncesionit.
Së dyti, flirti turk me koncesionin e markimit është i hershëm. Në Maj të vitit 2020 në Turqi shpërtheu një skandal i madh, kur një nga biznesmenët më të fuqishëm atje, Adnan Polat, kallëzoi penalisht Sinan Idrizin. Sipas Polat, Idrizi i kishte marrë 3.5 milionë euro si parapagesë për blerjen e koncesionit të markimit, një transaksion për të cilin kishte dhënë garanci vet kryeministri Edi Rama.
Por blerja nuk u realizua dhe sipas biznesmenit turk, Idrizi nuk ia ktheu më paratë mbrpasht. Çështja u gjyka në gjykatat turke, të cilat i rrëzuan akuzat e Polat duke e shpallur të pafajshëm Sinan Idrizin. Tani, dy vjet më vonë, partnerët turq të Sinan Idrizit dalin sërish në skenë tek markimi.
Nuk dihet nëse pas zonjës Korkmaz është Adnan Polat apo ndonjë tjetër grup biznesi në Turqi. Por transaksioni për të cilin, tre vjet më parë sipas biznesmenit të fuqishëm turk, kishte hyrë personalisht si garant Edi Rama, tashmë është realizuar.
Ai i markimit ka qenë një nga koncesionet më të akuzuara nga Partia Socialiste dhe Edi Rama personalisht gjatë kohës që ishte në opozitë. Zoti Rama u zotua se koncesioni do të anullohej duke e cilësuar atë si një aferë të madhe korruptive ku ishte përfshirë direkt familja e Sali Berishës.
Por pas ardhjes në pushtet, ashtu si për shumë koncesione të tjera, edhe për markimin Edi Rama ndryshoi 180 gradë qëndrim. Tashmë markimi, jo vetëm që nuk është më koncesion korruptiv në sytë e kryeministrit, por vetë ai, sipas akuzave të biznesmenit turk, ka hyrë garant për ndryshimin e pronësisë.
Me shumë gjasa, qeveria do të zgjasë edhe me 10 vjet të tjera koncesionin e markimit ashtu siç bëri me aeroportin e Rinasit. Në krizën më të rëndë të çmimeve të naftës, qytetarët shqiptarë do të vazhdojnë të paguajnë taksën private të markimit sa herë që furnizojnë automjetet e tyre. Me një ndryshim. Tani paratë nuk do të shkojnë më në arkën e Ismail Mulletit apo njerëzve që ishin pas tij. Por do të shkojnë në llogarinë e Nerve Korkmazit apo njerëzve që qëndrojnë pas saj. Dikur Edi Rama thoshte se pas Ismail Mulletin ishte familja e Sali Berishës. Tani pyetja shtrohet. Kush është pas Nerve Korkmazit? Sepse ashtu si monopolet, edhe koncesionet janë të këqij, për sa kohë nuk janë të tutë.
/MCN/