Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
“Gjuha që përdori në takimin e 18 marsit 2022, publikisht, kundër Shteteve të Bashkuara, nuk është e përshtatshme, diplomatikisht, as e denjë për një Kryeministër të Shqipërisë. Si udhëheqës i Shqipërisë (një vend mike e Shteteve të Bashkuara), është turp të talleni dhe të ironizoni me Amerikën, ashtu siç bëtë në tubimin e 18 marsit, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së re midis dy universiteteve në fjalë.”
Herët ose vonë do ndodhte edhe kjo në Shqipërinë e çudirave. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është tallur publikisht, pa kursyer fjalë, as inat ndaj Amerikës, madje edhe në prani të Ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim. Rasti ishte një ceremony, që u zhvillua me 18 mars në një prej sallave të Universitetit Bujqësor në Tiranë për nënshkrimin e një marrëveshje midis Universitetit të Bujqësisë (UBT) dhe Universitetit të Miçiganit të Shteteve të Bashkuara. Nëqoftëse dikush mendonte se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane 32 vjet pas rivendosjes së tyre me 15 Mars, 1991 dhe në prag të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës në fillim të shekullit të kaluar të paktën duke përjashtuar periudhën e zezë të regjimit të Enver Hoxhës- konsiderohen si diçka e shenjtë dhe se janë aq të veçanta dhe të paprekshme për dy popujt tanë – mendoni mirë edhe njëherë! Think again!
Sidoqoftë, siç shihet nga videoja që pason Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural | Facebooke – (Shikoni 5-minutat e fundit të videos për subjektin e këtij shkrimi modest). Çdo gjë duket se shkoi mirë. Fillimisht, folën të gjithë, që ishin në program të flisnin, përfaqësues të dy universiteteve, si dhe Ambasadorja amerikane, Z. Kim dhe më në fund edhe Kryeministri Rama. Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, duke e lidhur nënshkrimin e marrëveshjes midis dy universiteteve, me 100-vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, tha: “Nuk mendoj se ka mënyrë më të përshtatshme për të festuar 100 vjet së bashku. Si shumë prej jush e dine: janë bërë 100 vjet që kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria vendosën, zyrtarisht marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Dhe është shumë e përshtatshme që, ndërsa festojmë 100 vjet së bashku, ne bëjmë diçka që mishëron vërtet rritjen, aktin e punimit të tokës së bashku, kultivimin e ushqimit së bashku, mbështetjen e njëri-tjetrit. Prandaj ne jemi shumë të kënaqur që shohim nënshkrimin e këtij Memorandumi Mirëkuptimi sot”,- është shprehur Zonja Kim.
Por, ndërsa Zonja Kim po fliste me të gjitha tonet pozitive për marrëveshjen dhe për marrëdhëniet dy palëshe, dukej se Kryeministri i Shqipërisë po vlonte brenda vetes, i zemëruar për diçka, me Amerikën. Rama nuk tregoi se pse ishte aq i trazuar dhe çfarë po e shqetësonte që të ishte aq kritik dhe ironik, deri në tallje, ndaj Shteteve të Bashkuara. Por: më në fund u “shfry”, nxorri inatin, duke folur rëndë dhe duke ofenduar Amerikën para trupit akademik të universitetit shqiptar, (të cilët zgërdhiheshin nga komentet e Edi Ramës si dikur kur Enver Hoxha kritikonte Amerikën në Kongreset e Partisë Komuniste), studentëve afganë e shqiptarë, përfaqësuesve të Universitetit të Michiganit, zyrtarëve të USAID, të cilët sipas gjasave nënshkruan edhe çekun për këtë marrëveshje. Kryeministrit shqiptar nuk ia ndiente fare! Ai, në fjalën e tij paralajmëroi afganët që të mos “mërziteshin” se “përtej oqeanit”, (në Amerikë) “nuk do t’ju trajtojnë kaq mirë sa ju trajtojnë këtu”…se, “SHBA po marrin jo aq (afganë) sa premtuan, por një pjesë, se e kanë një çikë të zakontë që premtojnë shumë dhe bëjnë më pak se ç’premtojnë, kur vjen puna tek gjërat konkrete. Por kur vjen puna tek standardet dhe vlerat ata na japin pa pushim gjatë gjithë kohës dhe nga ato kanë shumë. Ne i marrim me kënaqësi dhe po qe puna për standarde, për vlera, për predikime, i kemi këtu. Nuk ka ditë natë, që na japin me bujari të madhe, çfarë duhet të bëni dhe kur vjen puna tek gjërat konkrete japin, por një çikë më me kujdes, se nuk kanë të shkretët, nuk janë në pozitë që të japin shumë, s’ka problem. Na vjen shumë mirë që sot jemi të gjithë bashkë këtu, edhe me ambasadoren. Më pëlqeu shumë ajo pjesa që tha rektori, se ju garantojmë zonja ambasadore,(m’u kujtua koha kur vinte sekretari i partisë dhe thoshte ai dekani i vjetër, ju garantojmë se do punojmë që partia dhe populli të jenë krenarë për ne). Edhe ne ju garantojmë, patjetër. Faleminderit shumë, këto kisha unë dhe suksese. Rroftë miqësia shqiptaro-afgane”, ka uruar me ironi Rama, me këtë rast.
“Populli amerikan është i durueshëm: duron dhe falë, por as nuk harron. Për shumicën e shqiptarëve kudo e sidomos për komunitetin shqiptaro-amerikan marrëdhëniet midis popullit amerikan dhe shqiptar janë të shenjta për shumicën e shqiptarëve kudo.”
Yuri Kim: “Çfarë nuk shkon me ty?” (What’s wrong with you”), ka reaguar Zonja Kim, shoqëruar me të qeshurat e saja, megjithëse nuk kishte asgjë për t’u qeshur pas ironizimit dhe kritikave të Edi Ramës ndaj marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. “Jam e sigurtë që nuk ishte përkthimi korrekt. Dëgjova diçka të çuditshme”! Ishte reagimi i Zonjës Kim. Në vend që të kundërshtonte fjalët ofenduese të Edi Ramës kundër Amerikës dhe të mbronte nderin e vendit që ajo përfaqëson si dhe ndihmat (financiare dhe të tjera) që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë dhe japin për Shqipërinë, jo vetëm këto 30-vite tranzicion, por edhe gjatë 100-viteve të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane: pasi siç është shprehur dikur Fan Noli, Shqipëria është një vend që, “i ka aq shumë borxh Amerikës”.
Nuk dha asnjë përgjigje të mëtejshme Zonja Kim. Këtu përfundoi ofendimi publik i Kryeministrit Rama ndaj Shteteve të Bashkuara dhe ndaj Zonjës Kim. Unë kam qenë kritik i Zonjës Kim për shumë gjëra të veprimtarisë së saj në Tiranë gjatë dy viteve të kaluara, sidomos për perceptimin e një numri të madh shqiptarësh, si dhe të opozitës, e të qenit palë me qeverinë Rama për shumë çështje, përfshirë mos dënimin e krimeve të komunizmit dhe mospërballimin e Shqipërisë me të kaluarën e saj komuniste, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste evropiane. Koha po e tregon se kisha të drejtë. Bazuar në miqësinë e ngushtë që mund të kenë këta të dy si shokë ose miq, mund të jetë që Edi Rama i justifikon këto ofendime ndaj Zonjës Kim dhe SHBA-ave si diçka midis nesh, ose si bisedë kafeneshë. Por sa për kujtesë: Në atë tubim, Zonja Kim ishte përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Zonja Kim nuk ishte aty si, “Sekretare e Partisë së Punës”, të Shqipërisë, siç aludoi Rama. Normalisht, në Shqipëri, ajo as nuk duhet të flasë në emër të ndonjë partie, personi ose interesi tjetër, përveç Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendit që përfaqëson. Prandaj, si një shtetas shqiptaro-amerikan, – në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane – i bëj thirrje Z. Rama, t’i kërkojë falje Zonjës Kim dhe nëpërmjet saj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjuha që përdori në takimin e 18 marsit 2022, publikisht, kundër Shteteve të Bashkuara, nuk është e përshtatshme, diplomatikisht, as e denjë për një Kryeministër të Shqipërisë. Si udhëheqës i Shqipërisë (një vend mike e Shteteve të Bashkuara), është turp të talleni dhe të ironizoni me Amerikën, ashtu siç bëtë në tubimin e 18 marsit, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së re midis dy universiteteve në fjalë – Shtetet e Bashkuara – Shqipëri, sidomos kur bie në përvjetorin e 100-të të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Me këtë rast mungonte, fatkeqësisht, edhe reagimi i duhur i Zonjës Kim. “What’s wrong with you”, nuk mjaftonte me këtë rast.
Ndërkohë, Ambasada amerikane në Tiranë dha një lajm të mirë për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, duke njoftuar këtë javë se vlefshmëria e vizave për aplikantët shqiptarë të kualifikuar për viza të reja turistike dhe biznesi në Amerikë do të zgjatet nga 3 vjet në 10 vjet, gjë që do të thotë se vizat turistike dhe të biznesit të dhëna pas ditës së sotme, do të jenë të vlefshme për udhëtime deri në vitin 2032. Jam dakort se, ashtu siç thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, ky është një lajm i jashtëzakonshëm, ndërsa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Është ky një lajm që u prit me kënaqësi edhe nga të gjithë shqiptarët kudo, përfshirë komunitetin shqiptaro-amerikan, në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Por ky lajm i mirë nuk largon aspak shijen e keqe që lanë në gojët tona kritikat dhe ironia e Edi Ramës në llogari të Amerikës, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes midis Universitetit Shtetëror të Miçiganit dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës më 18 mars, 2022, ku ishin të pranishëm Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim dhe Kryeministri Edi Rama. Fatkeqësisht tubimi u shndërrua në një skenë të turpshme dhe ofenduese për marrëdhëniet midis dy vendeve tona në këtë 100-vjetor të vendosjes së tyre në vitin 1922. Nuk më mbetet tjetër veçse të bëj thirrje: Mos u tallni me marrëdhëniet amerikano-shqiptare, sidomos në një përvjetor si ky. Dhe mos ofendoni Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan me mosmirënjohjen tuaj arrogante ndaj të gjithave që Amerika ka bërë për Kombin shqiptar gjatë më shumë se 100-viteve të kaluara. Mirënjohja është një virtyt civil dhe shoqëror. Populli amerikan është i durueshëm: duron dhe falë, por as nuk harron.
“Mos u tallni me marrëdhëniet amerikano-shqiptare, sidomos në një përvjetor si ky. Dhe mos ofendoni Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan me mosmirënjohjen tuaj arrogante ndaj të gjithave që Amerika ka bërë për Kombin shqiptar gjatë më shumë se 100-viteve të kaluara. Mirënjohja është një virtyt civil dhe shoqëror.”
Për shumicën e shqiptarëve kudo e sidomos për komunitetin shqiptaro-amerikan marrëdhëniet midis popullit amerikan dhe shqiptar janë të shenjta për shumicën e shqiptarëve kudo. Prandaj, ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes midis Universitetit Shtetëror të Miçiganit dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës më 18 mars, 2022 me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama dhe Ambasadores amerikane në Tiranë u kthye në një skenë të turpshme, ofenduese dhe jo diplomatike ndaj Amerikës! E padenjë për dy kombet tona mike që nuk krijon një atmosferë aspak të mirë në marrëdhëniet dypalëshe, sidomos në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Një jubilar historic, që meriton të festohet nga të gjithë ne.
Por, njëkohësisht, mos harroni se shumë shqiptarë kanë dhënë jetën për këto marrëdhënie midis dy kombeve tona, shumë janë dënuar dhe ekzekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, vetëm e vetëm, sepse mbronin vlerat, liritë dhe demokracinë amerikane, ose thjesht, vetëm e vetëm se dëgjonin Zërin e Amerikës gjatë viteve. Të paktën ndaj këtyre viktimave të komunizmit për hir të së vërtetës të tregohet pak më shumë respekt për këto marrëdhënie, të paktën në publik dhe në këtë 100-vjetor!