Inflacioni në rritje dhe pritshmëritë e zymta që ka krijuar lufta në Ukrainë e shtynë Bankën e Shqipërisë të ndryshonte kursin e politikës monetare. Norma bazë e interesit u rrit, për herë të parë pas 11 vjetësh, duke sinjalizuar se epoka e normave të ulëta historike të interesit është drejt fundit.
Së fundmi, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ndryshoi kursin e politikës monetare, për herë të parë pas 11 vjetësh.
Norma bazë e interesit u rrit nga niveli minimal historik prej 0.5%, ku qëndronte që nga shpërthimi i pandemisë, në 1%. Guvernatori, Gent Sejko, e argumentoi vendimin për rritjen e normës bazë me forcimin dhe zgjatjen në kohë të pritshmërive inflacioniste mbi ekonominë shqiptare.
Nëse deri në muajin shkurt, parashikonte një kthim të inflacionit në objektiv vitin e ardhshëm, lufta në Ukrainë dhe paniku që ai ka shkaktuar në tregjet e mallrave, i ka ndryshuar në mënyrë thelbësore parashikimet.
Sipas skenarit të ri bazë të Bankës së Shqipërisë, inflacioni do të qëndrojë i lartë gjatë gjithë vitit 2022, me pritshmëri të orientuara drejt intervalit 5-6%.
Këshilli Mbikëqyrës ka arritur në konkluzionin se inflacioni mund të fillojë rënien vetëm vitin e ardhshëm dhe të kthehet në objektiv, ndoshta, në tremujorin e fundit 2023. Banka e Shqipërisë parashikon se vala inflacioniste do të frenojë rritjen ekonomike në nivele më të ulëta krahasuar me projeksionet e mëparshme, por beson se kjo rritje do të qëndrojë sidoqoftë në territor pozitiv.
“Përditësimi i parashikimeve afatmesme tregon se ekonomia shqiptare do të vuajë pasojat e goditjes. Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike, krahasuar me vlerësimet tona të mëparshme.
Megjithatë, vlerësimet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në afatin e mesëm. Po ashtu, projeksionet tona tregojnë se rritja ekonomike do të mbetet në territor pozitiv, edhe në rast se goditja rezulton më e fortë se vlerësimet aktuale” – tha Sejko.
Rritja e normave të interesit këtë vit ishte më se e pritshme, duke parë sinjalet e qarta inflacioniste që nisën që vitin e kaluar. Vetë Banka e Shqipërisë e kishte paralajmëruar disa herë një lëvizje të tillë.
Megjithatë, deri para shpërthimit të luftës në Ukrainë, shumica e ekspertëve e prisnin një lëvizje të tillë më të ngjashme në gjysmën e dytë të këtij viti. Por, rreziqet shtesë që ka shtruar tensioni gjeopolitik, me sa duket, e kanë bindur Bankën e Shqipërisë për një veprim më të shpejtë në kohë.
Megjithatë, në artikulimin e vet, Banka Qendrore tenton të nënvizojë se politika monetare ngelet në territor stimulues. Kjo nënkupton se norma bazë mbetet poshtë nivelit të saj natyror apo neutral, i kuptuar si ai nivel i normës bazë me të cilin ekonomia vepron pranë niveleve të rritjes potenciale, pa nxitur apo pa frenuar rritjen e çmimeve.
Norma natyrore e interesit vlerësohet me teknika të tërthorta të matjes dhe është e ndryshueshme në varësi të ciklit të ekonomisë. Për momentin aktual, Banka e Shqipërisë nuk ka publikuar vlerësime për nivelin e normës natyrore të interesit, por në të gjitha rastet, Guvernatori Sejko ka shmangur termin “shtrëngim”, duke iu referuar rritjes si “përshtatje” e stimulit monetar me kushtet dhe projeksionet e reja.
Inflacioni 3.9%, por ky është vetëm fillimi
Që prej tremujorit të fundit të vitit të kaluar, inflacioni ka shfaqur një tendencë të qartë në rritje. Mbështetur në të dhënat e INSTAT, në muajin shkurt, inflacioni vjetor arriti në 3.9%, nga 2.4% në muajin tetor të vitit 2021. Për produktet më sensitive, ato ushqimore, inflacioni ka arritur në nivelin 6.9%.
Ky është një tregues i rëndësishëm, sidomos për shtresën më të varfër të popullsisë, ku shpenzimet për ushqim zënë një peshë shumë të lartë në buxhetet familjare.
Për një familje të varfër, shtrenjtimi i ushqimeve ka një efekt më të rëndësishëm nga sa mund të ketë inflacioni mesatar, i shprehur si ndryshim vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit. Duke pasur parasysh ecurinë e çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare dhe inflacionin më të lartë në ekonomitë partnere, kryesisht në Eurozonë, pritshmëritë janë qartësisht për një inflacion më të lartë në vazhdim.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Presioneve të Huaja inflacioniste (TPH) në ekonomi shënoi një rritje me 10.9%. Ky tregues llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe indeksit të Kursit Nominal Efektiv të Këmbimit (KNEK) për periudhën përkatëse.
KNEK mat kursin e këmbimit të Lekut kundrejt valutave të partnerëve kryesorë tregtarë të vendit. TPH, në tremujorin e fundit, është rritur me rreth 1.6 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e tretë. Në fakt, mbiçmimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron ka luajtur rol në zbutjen e inflacionit të importuar nga jashtë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e çmimeve të huaja të mallrave u shpejtua më tej dhe arriti në 15.8% në tremujorin e fundit të vitit 2021. Por, nga ana tjetër, Leku vijoi mbiçmimin në kursin nominal efektiv të këmbimit. Mbiçmimi i KNEK në terma vjetorë rezultoi 4.9% në tremujorin e katërt të vitit 2021, në rritje nga niveli 3.3% i tremujorit të mëparshëm.
Forcimi i Lekut e ka zbutur si rrjedhojë Treguesin e Presioneve të Huaja inflacioniste në nivelin e sipërcituar prej 10.9%. Rritja është transmetuar edhe në prirjen rritëse të inflacionit total përmes kanalit të komponentit të importuar të tij.
Kontributi i inflacionit të importuar në tremujorin e fundit 2021 arriti në 46%, ndërsa një vit më parë kishte qenë 40%. Banka e Shqipërisë pret që presionet e huaja inflacioniste do të vijojnë të ushtrojnë presion rritës mbi inflacionin gjatë gjithë vitit 2022.
Nga analizat historike, Banka e Shqipërisë ka konstatuar se Treguesi i Presioneve të Huaja inflacioniste i paraprin zhvillimet në komponentin e inflacionit të importuar me rreth 3-5 muaj. Rrjedhimisht, rritja e ndjeshme e tij në dy tremujorët e fundit të vitit 2021 pritet të sjellë kontribut në rritje të mëtejshme të inflacionit të importuar në pjesën e parë të këtij viti.
Ndërkohë, inflacioni në Eurozonë, që është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, ka vazhduar të rritet. Në muajin shkurt të këtij viti, inflacioni vjetor arriti në 5.9%, i ndikuar sidomos nga produktet energjetike.
Vala inflacioniste e muajve të fundit ka bërë që pritjet për inflacionin të rriten në tremujorin e katërt, sidomos mes konsumatorëve. Bazuar në vrojtimet e kryera nga Banka e Shqipërisë, rritja është më e dukshme për konsumatorët me 1.4 pikë përqindjeje krahasuar me një tremujor më parë.
Tashmë, pritja mesatare mes konsumatorëve për inflacionin pas një viti ka kaluar nivelin e 6%. Ndërkohë, bizneset duket se janë ndikuar më pak nga vala inflacioniste në pritshmëritë e tyre. Në tremujorin IV 2021, pritja e bizneseve për inflacionin pas një viti është rritur me vetëm 0.1 pikë përqindjeje dhe ende ndodhet pak më poshtë se objektivi prej 3% i Bankës Qendrore.
Edhe agjentët financiarë kanë rishikuar gjithashtu për lart inflacionin e pritur në të ardhmen. Ata presin që inflacioni pas një viti të jetë 2.7%, ose 0.5 pikë përqindje më shumë se pritjet e një tremujori më parë.
BSH: Nuk është vetëm inflacion kalimtar nga oferta
Një nga dilemat e mëdha me valën inflacioniste që përfshiu ekonominë globale, që prej gjysmës së dytë të vitit të kaluar, ishte nëse bankat qendrore duhet të reagonin ndaj saj.
Një pjesë e ekspertëve mendonin se, përderisa inflacioni u detyrohej kryesisht faktorëve të ofertës dhe kryesisht shtrëngimeve në zinxhirin e furnizimit, ai do të ishte kalimtar dhe nuk do të kishte nevojë për një ndërhyrje të autoriteteve monetare.
Fillimisht, ky ishte edhe qëndrimi i shumicës së bankave qendrore. Por, zhvillimet e tremujorit të parë të vitit 2021 duket se e kanë shuar shpresën që vala inflacioniste do të ishte kalimtare. Faktori që i dha një goditje vendimtare këtyre shpresave ishte sulmi i Rusisë në Ukrainë dhe sanksionet vijuese që shumica e vendeve Perëndimore ndërmorën ndaj Rusisë.
Përveç elementit të qartë të pasigurisë që konflikti dhe sanksionet përcollën në tregje, ndikimi në çmime erdhi edhe direkt nga fakti se Rusia dhe Ukraina janë eksportuese të rëndësishme globale të produkteve energjetike dhe ushqimore. Për këto arsye, konflikti shkaktoi rritje të fortë të çmimeve të produkteve të këtyre grupeve, duke filluar nga nafta, gazi natyror, drithërat, etj.
Të dhënat që vijnë nga tregjet e huaja sinjalizojnë se çmimet në tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023. Banka e Shqipërisë u shpreh javën e kaluar se këto çmime të larta do të gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve dhe do të shoqërohen me ngadalësim të ritmit të rritjes në rang botëror.
Sipas analizës së fundit të Këshillit Mbikëqyrës, në terma makroekonomikë, tendenca rritëse e inflacionit pasqyron rritjen e shpejtë dhe të qëndrueshme të kërkesës, rritjen e pagave dhe të punësimit, si dhe rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë dy tremujorëve të fundit.
Këto të fundit kanë qenë të larta gjatë gjysmës së dytë të vitit të shkuar dhe janë vënë nën presion të shtuar nga tensioni gjeopolitik që shoqëron konfliktin në Ukrainë.
“Vlerësimet tona sugjerojnë se kërkesa agregate po gjeneron një shfrytëzim thuajse të plotë të kapitalit dhe të punës. Rritja ekonomike është pasqyruar në rritje graduale të punësimit dhe përshpejtim të ritmit të rritjes së pagave.
Në veçanti, të dhënat e INSTAT tregojnë se punësimi u rrit me 2.1% në terma vjetorë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, ndërsa paga në sektorin privat u rrit me 10.2%. Norma e lartë e rritjes së pagave sugjeron se tregu i punës karakterizohet nga hapësira të pakta të pashfrytëzuara” – tha javën e kaluar Guvernatori Sejko.
Rritja, balancë për politikat fiskale?
Një element shtesë, që në teori mund të ketë motivuar lëvizjen më të shpejtë se parashikimet të Bankës së Shqipërisë, është stimuli fiskal, në formën e së ashtuquajturës “paketë të rezistencës”, të prezantuar nga qeveria shqiptare për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve, veçanërisht tek shtresat më të brishta të popullsisë.
Si pjesë e kësaj pakete, qeveria vendosi ofrimin e kompensimit të përkohshëm prej 3 mijë lekësh në muaj, për një afat tremujor, për pensionistët dhe përfituesit e tjerë nga skemat e mbështetjes sociale. Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, numri i përfituesve nga kjo masë llogaritet në 576 mijë.
Një masë tjetër ishte vendimi për të indeksuar 673 mijë pensione, me një normë prej 3.3%, gjithsesi më e ulët se norma e inflacionit në muajt e fundit. Efekti i kësaj mase është vlerësuar në rreth 3.3 miliardë lekë. Gjithashtu, qeveria vendosi hyrjen në fuqi që në muajin prill të paketës së re të tatimit të pagave (që duhet të hynte në fuqi në muajin qershor).
Skema e re e rrit pragun e përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë, përgjysmon tatimin total për pagat deri në 50 mijë lekë dhe ul shkallën e tatimit nga 23% në 13% për pagat në intervalin mes 150 mijë lekë dhe 200 mijë lekë në muaj.
Në prill do të hyjë në fuqi edhe rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë në 32 mijë lekë. Paketa parashikon një shtesë prej 28 miliardë lekësh në formën e subvencioneve për blerjen energjisë elektrike, me qëllim mospërcjelljen e shtrenjtimit të çmimeve te konsumatorët familjarë dhe te bizneset e vogla.
Një masë e posaçme për fermerët do të jetë ofrimi i karburantit pa taksa, me një efekt në buxhet prej rreth 1.45 miliardë lekësh. 500 milionë lekë të tjera do të shkojnë në formën e subvencioneve për operatorët e transportit urban, për të shmangur rritjen e çmimit të biletës.
Paketa e mbështetjes, që gërsheton uljen e disa taksave dhe ofrimin e subvencioneve, në teori përfaqëson një politikë fiskale stimuluese.
Në kushtet e një stimuli të shtuar fiskal, Banka e Shqipërisë mund ta ketë gjykuar të nevojshme që në këtë situatë presionesh të larta inflacioniste, politika monetare të fillojë të veprojë si kundërpeshë, për të dhënë një efekt balancues në ekonomi.
Rritja e normës bazë forcon pozitat e Lekut
Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë duket se ka filluar të japë disa sinjale të para të reflektimit në tregun financiar.
Në dy ditët që pasuan uljen e normës bazë, Leku u mbiçmua me rreth 0.5 pikë në kursin e këmbimit me Euron. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 122.2 lekë ditën e premte, duke shënuar nivelin më të ulët që prej datës 2 mars.
Sipas ekspertëve, është më se e arsyeshme të besohet se rritja e normës bazë të interesit ka ndikuar në mbiçmimin e monedhës vendase në kursin e këmbimit valutor. Teorikisht, niveli i normës bazë të interesit është një ndër faktorët që ndikojnë kursin e këmbimit mes monedhave të ndryshme.
Rritja e normës bazë përfaqëson një çmim më të lartë të injektimit të parasë në sistem nga Banka Qendrore dhe nënkupton një veprim në kahun shtrëngues monetar.
Duke qenë se ky veprim shtrëngon ofertën e monedhës përkatëse, rritja e normës bazë ndikon në mbiçmimin e saj kundrejt valutave të tjera. Në rastin konkret, rritja e normës bazë të Lekut ndaj Euros e thellon më shumë hendekun në normën bazë mes dy valutave.
Banka Qendrore Europiane ende nuk ka ndërmarrë lëvizje në drejtim të rritjes së normave të interesit, me gjithë nivelet në rritje të shpejtë të inflacionit në Eurozonë.
Për momentin, BQE ka ruajtur një nivel të instrumenteve bazë të rifinancimit (MRO) 0, interesa të depozitave ditore (deposit faciltiy) -0.5% dhe kredive ditore (marginal lending facility) 0.25%. Deri tani, BQE-ja është e fundit mes bankave më të mëdha qendrore që nuk ka ndërmarrë hapa në drejtim të shtrëngimit monetar, ndërsa institucionet homologe, si Banka e Anglisë apo Rezerva Federale kanë ndërmarrë tashmë rritje të normave bazë.
Kjo qasje e ndryshme ka qenë një ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në nënçmimin e euros në kursin e këmbimit me valutat e tjera të rëndësishme globale në dy muajt e fundit. Lëvizja e Bankës së Shqipërisë për të rritur normën bazë të interesit duket se po jep një efekt të tillë edhe në kursin e këmbimit mes Lekut dhe Euros.
Rritja e normës bazë gjithashtu e bën Lekun më tërheqës si monedhë për mbajtjen e kursimeve. Në teori, pritshmëria për kthime më të larta nga depozitat (dhe investimet e tjera financiare) mund t’i shtyjë më shumë individë apo subjekte që t’i zhvendosin kursimet nga valuta e huaj në lekë.
Kjo do të shtonte kërkesën për lekë dhe do të ushtronte ndikim në krahun e mbiçmimit të monedhës vendase. Megjithatë, ekspertët mendojnë se është vështirë të thuhet në ç’masë kjo lëvizje do të ketë ndikim afatgjatë në kursin e këmbimit, duke qenë se tregu valutor shqiptar është një treg i vogël dhe i ndikuar kryesisht nga raportet e brendshme të kërkesës dhe ofertës, më shumë se nga faktorë të gjerë koniunkturorë.
Elementi kryesor në ecurinë e kursit të këmbimit ngelet pozicioni i jashtëm i ekonomisë, i shprehur në Bilancin e Pagesave.
Shtrenjtimi i lëndëve të para dhe produkteve energjetike ka shtuar rreziqet për thellim të deficitit tregtar në mallra, megjithatë shpresat janë që dalja graduale nga pandemia do të ketë efekt pozitiv në bilancin e shërbimeve dhe sidomos në sektorin e turizmit.
Në tremujorin e fundit 2021, deficiti i llogarisë korrente u rrit në 546 milionë euro, me një rritje prej 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndikimin kryesor e dha zgjerimi i deficitit në tregtinë e mallrave.
Një mbiçmim i Lekut ndikon negativisht tek ato subjekte që kanë të ardhura në valutë dhe shpenzime në lekë, kryesisht eksportuesit e mallrave dhe shërbimeve.
Nga mbiçmimi i lekut humbasin pjesërisht edhe depozituesit që i mbajnë kursimet në valutë të huaj, kryesisht në euro. Por, nga ana tjetër, një monedhë vendase më e fortë favorizon subjektet që importojnë mallra dhe shërbime nga jashtë dhe huamarrësit që kanë detyrime në valutë të huaj, ndërkohë që të ardhurat i përfitojnë në lekë.
Megjithëse, efekti direkt i kursit të këmbimit është i ndryshëm për aktorë të ndryshëm, në situatën aktuale balanca e faktorëve sugjeron se interesi i ekonomisë shqiptare mund të jetë më shumë për një monedhë vendase në pozita të forta. Kjo do të ndihmojë për të amortizuar sadopak presionet shumë të mëdha inflacioniste nga tregjet e huaja të mallrave.
Efektet e rritjes së normës bazë
Rritja e normës bazë të interesit, apo normës së interesit për marrëveshjet e anasjella të riblerjes (REPO) dhe instrumenteve të tjera të financimit të bankave tregtare nga Banka e Shqipërisë tenton të rrisë çmimin e parasë në ekonomi, nëpërmjet mekanizmit të transmetimit të politikës monetare.
Pas rritjes së normës bazë të interesit, në kushte normale është e arsyeshme të pritet që kjo rritje të përcillet edhe në normat e tjera të interesit në tregun financiar. Mekanizmi përfshin interesat e tregut ndërbankar, ato të letrave me vlerë të qeverisë dhe të produkteve bankare, përfshi depozitat dhe kreditë e sektorit privat.
Rritja e normave të interesit do ta bëjë më të leverdishëm kursimin, duke rritur kthimet nga depozitat bankare, bonot dhe obligacionet qeveritare, si dhe instrumentet e lidhura të investimit financiar në monedhën vendase. Në krahun tjetër, rritja e normës bazë do ta bëjë më të shtrenjtë kreditimin dhe do të rrisë kostot për huamarrësit.
Bankat do të reflektojnë gradualisht kushtet më të shtrënguara monetare në interesat e kredive të reja, por edhe në kreditë afatgjata që janë të kuotuara mbi bazën e një indeksi referues, që për lekun zakonisht janë yield-et e bonove të thesarit. Rritja e yield-eve të bonove do të rrisë interesin total të kredisë dhe do të sjellë rritje të kësteve në rivlerësimin periodik të parashikuar në kontratë.
Rritja e kostos së huasë është një nga çështjet më delikate në mozaikun e rritjes së normave të interesit, problem që mund të shqetësojë sa qeverinë, aq edhe huamarrësit privatë. Tregjet po veprojnë prej më shumë se një dekade në kushtet e normave të ulëta të interesit.
Kjo ka mundësuar përballimin e një ngarkese relativisht të lartë me borxh, sidomos për qeveritë. Në rastin e qeverisë shqiptare, borxhi ka arritur në kufijtë e 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nivel që përgjithësisht pranohet shumë i lartë, në mos i rrezikshëm, për një ekonomi në stadin e zhvillimit të Shqipërisë. Një rritje e interesave do të shtojë kostot e shërbimit të borxhit, duke sjellë rreziqe shtesë për buxhetin e shtetit.
Por, rritja e kostos së borxhit mund të jetë një problem edhe për sektorin privat. Në vitet e fundit, kreditimi ka dhënë shenja të qarta të daljes nga stanjacioni dhe ka arritur në ritme të rritjes dyshifrore. Rritje të shpejtë ka shënuar në veçanti kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme, si tek individët, ashtu edhe te bizneset.
Rritja e normave të interesit, e ndërthurur edhe me efektet e inflacionit të lartë, do të tkurrë aftësinë paguese të subjekteve huamarrëse. Kjo do të shtonte rreziqet për cilësinë e aseteve të sektorit financiar, por njëkohësisht do të ndikonte negativisht kërkesën dhe ofertën për kredi bankare.
“Nuk shoh që të kemi një rritje të menjëhershme të barrës për huamarrësit. Në një nivel deri në 0.5%, nuk jemi në ato përmasa që do të ndikonin në mënyrë të konsiderueshme aftësinë paguese të huamarrësve.
Megjithatë, një rritje në këto përmasa mund të jetë më e ndjeshme në borxhin shtetëror, nisur edhe nga fakti që ky borxh në dekadën e fundit ka shënuar rritje të ndjeshme” – thotë Elvin Meka, ekspert i tregjeve financiare.
Në teori, një politikë monetare shtrënguese pritet të ketë efekt frenues në tregun e pasurive të paluajtshme. Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e blerjeve të pronave financoheshin me kredi bankare, shtrëngimi i kredisë mund të ndikojë në uljen e kërkesës dhe në uljen e çmimeve në tregun e pronave.
Megjithatë, ekspertët mendojnë se reflektimi i shtrëngimit monetar në çmimet e pasurive të paluajtshme mund të kërkojë kohë. Veç kësaj, shpesh dinamika e tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri mund të jetë e vështirë të projektohet me faktorët fondamentalë makroekonomikë, edhe për shkak të ndikimit të konsiderueshëm që besohet se kanë prurjet e ekonomisë së zezë dhe gri në këtë treg. /Marrë nga Monitor/