Pas riçeljes së hetimit në të tre kriteret e rivlerësimit, drejtuesi i Prokurorisë së lezhës, Erjon Shehaj u përball me barrën e provës për disa çështje që ka hetuar si dhe me gjetjet për kallëzime të kryera ndaj tij për “shpërdorim detyre”.
Drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj dha shpjegime për të tre kriteret e rivlerësimit në seancën e dytë dëgjimore të zhvilluar të martën më 29 mars, pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për riçeljen e hetimit administrativ.
Në seancën e parë dëgjimore të zhvilluar më 7 janar, prokurori Shehaj dha shpjegime dhe dorëzoi prova lidhur me mospërputhjet, pasaktësitë dhe mungesën e burimeve të ligjshme të huave të marra nga babai për blerjen e një apartamenti. Ai kërkoi që të riçelej hetimi për kriterin e pasurisë për të cilin ishte përfunduar hetimi paraprak deri në atë moment, si dhe të çelej hetimi për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Po më datë 7 janar, KPK njoftoi riçeljen e hetimit për të tre kriteret.
Procesi i vetingut për prokurorin Shehaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ka qenë i pranishëm Theo Jacobs.
Konstatimet e reja për pasurinë
Relatorja Qirko sqaroi në seancë se në kuadër të riçeljes së hetimit për kriterin pasuror, janë kryer disa verifikime në lidhje me dhënien e huasë në shumën 30 mijë euro nga një shoqëri në favor të babait të sbjektit, vlerë që ka shërbyer për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 94 m2 në Tiranë.
Sipas Qirkos, i është kërkuar informacin noterit lidhur me regjistrimin e akteve të deklaratës noteriale të vitit 2009 për dhënien e huasë, si dhe janë verifikuar kompetencat e adminsitratorit për të vepruar në emër të shoqërisë.
Në vijim Qirko shpjegoi se subjekti ka paraqitur prova dhe dokumentacion ligjor lidhur me huanë e marrë prej të atit nga një shoqëri, që do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.
Prokurori Shehaj e falënderoi Komisionin për hetimin e kryer. Ai theksoi se pasuria e gjithë familjes së tij është një apartament në Tiranë me sipërfaqe 94 m2 dhe një autoveturë me vlerë 300 mijë lekë. “Vlerësoj se kam pasur burime të ligjshme për krijimin e këtyre pasurive”, deklaroi ai.
Shehaj sqaroi se kishte provuar me dokumentacion se shoqëria që i kishte dhënë hua të atit kishte qarkulluar në atë periudhë vlerë tre herë më të madhe nga huaja.
Figura pa probleme
Në raportin e saj të parë, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e prokurorit Shehaj për të vazhduar detyrën. Ndërsa në vijim është bërë me dije se mund të ngrihen dyshime në lidhje me figurën, por është kërkuar që në këtë rast konkluzioni të mbetet në vlerësim të Komisionit.
Qirko sqaroi se nga hetimi Komisionit nuk janë gjetur indicie që mund të cënonin pastërtinë e figurës së prokurorit Shehaj dhe informacionet e servirura nga institucionet verifikues është vendosur të shqyrtohen në vlerësimin profesional.
Konstatimet për profesionalizmin
Relatoja Qirko u ndal më gjatë në gjetjet për kriterin profesional. Megjithëse raporti i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka qenë pozitiv, nga hetimi i Komisionit janë evidentuar disa probleme në çështjet e hetuara prej subjektit.
Në një prej pesë dosjeve të shortuara, me të pandehur shtetasin N.Ll. për të cilin Shehaj ka vendosur pushimin e procedimit, ka rezultuar se subjekti ka zgjatur hetimet për tre muaj në dhjetor të vitit 2014, por nuk ka kryer në vijim asnjë veprim hetimor që të justifikonte këtë vendimarje. Po ashtu, Qirko vërejti se subjekti nuk ia ka njoftuar të pandehurit vendimin për shtyrjen e afatit të hetimit.
Gjatë verifikimit të kësaj çështje është konstatuar se ka pasur rrethana që tregojnë se kallëzuesi është ndjerë i kërcënuar për shkak të detyrës që ushtronte si oficer policie, por prokurori Shehaj nuk i ka hetuar këto fakte, duke vijuar regjistrimin e procedimit vetëm për “goditje për shkak të detyrës”, duke mos shënuar dhe veprën penale për “kanosje…”.
Sipas KPK, subjekti nuk duket që të ketë kryer një analizë të veprimeve procedurale dhe fakteve të rezultuara nga hetimi për të dalë në një konkluzion bazuar në lidhje me vendimin e pushimit. “[…]Duket se subjekti i rivlerësimit nuk ka konsideruar edhe faktin se personi nën hetim ishte në kërkim si i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale”, konstatoi Qirko.
Po ashtu, u evidentua fakti se subjekti nuk kishte hetuar në lidhje me ndryshimin e deklarimit të kallëzuesit, i cili në vijim kishte kërkuar që shtetasi N.Ll. të mos ndiqej penalisht.
Prokurori Shehaj deklaroi e ndaj vendimit të pushimit nuk kishte pasur ankim. Regjistrimin e vetëm një vepre penale ai e justiifkoi me faktin se ae kishte orientuar drejtuesi i prokurorisë me shënim.
Subjekti sqaroi se pas regjisrimit të procedimit ishin kryer disa veprime hetimore, por ishte vlerësuar të kryheshin dhe të tjera, si sekuestrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë dhe marrja e deklarimeve të personave të tjerë në vendngjarje. Por, Shehaj deklaroi se nuk kishte pasur kamera sigurie që të mbulonin vendin e ngjarjes dhe nuk kishte qenë e mundur marrja e deklarimeve të tjera.
Lidhur me mosnjoftimin e vendimit për zgjatjen e hetimit, ai u shpreh se pak ditë më vonë kishte vendosur pushimin dhe kishte njoftuar këtë vendimarrje. “Vendimi i pushimit i është përcjellë drejtuesit që ka vendosur arkivimin e çështjes”, deklaroi Shehaj dhe solli në vëmendje faktin se në atë periudhë prokuroria ishte institucion i centralizuar.
Për një tjetër dosje të shortuar të vitit 2014, me të pandehur G.L., ku dhe në kët rast Shehaj ka vendosur pushimin e hetimeve për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje” duke arsyetuar se vepra penale ndiqet me ankim në gjykatë nga i dëmtuari, Komisioni konstaton se subjekti duket se nuk ka bërë cilësimin juridik të duhur të veprës penale. Po ashtu, në vendimin e pushimit subjekti i referohet një akti ekspertimi që i përket një procedimi tjetër në ngarkim të të pandehurit.
Prokurori Shehaj pohoi se sendi i përdorur nga i kallëzuari nuk ishte armë e ftohtë, ndërkohë që nga akt ekspertimi mjeko-ligjor dëmtimet kishin rezultuar për paaftësi të përkohshme në punë deri në 9 ditë. Sipas ij, në këto raste bëhej fjalë për kundravajtje penale që ndiqej nga i dëmtuari në gjykatë, prandaj dhe ishte pushuar.
KPK ka verifikuar edhe ankesat dhe kallëzimet e regjistruara ndaj prokurorit Erjon Shehaj. Qirko shpjegoi se në vitin 2021, Prokuroria e Krujës ka regjistruar procedim penal ndaj Shehajt për veprën penale “shpërdorim detyre”, pas kallëzimit të kryer nga shtetasit M.M. dhe F.M., të cilët kanë pretenduar se subjekti dhe disa magjistratë, i kanë proceduar dhe gjykuar për një vepër penale për të cilët janë hetuar dhe gjykuar një herë më pare.
Prokurori Shehaj sqaroi se hetimi dhe ngritja e akuzës ndaj këtyre personave ishte kryer nga një tjetër prokuror, ndërsa ai vetëm e kishte përfaqësuar çështjen në gjykatë. Sipas tij, gjykata e ka pranuar çështjen për gjykim si dhe i ka dënuar personat në fjalë, duke e çmuar të ligjshëm hetimin dhe akuzën.
Relatorja Qirko shpjegoi se ndaj subjektit janë depozituar disa kallëzime përgjatë vitit 2015 në Prokurorinë e Kurbinit, që janë bashkuar në një procedim të vetëm. Në seancë u sqaruar se për këto kallëzime ishte vendosur fillimisht mosfillimi i hetimeve. Bazuar në ankimin e kallëzuesit D.G., Gjykata e Kurbinit ka shfuqizuar vendimin e prokurorisë dhe ka urdhëruar regjistrimin e procedimit, vendim që është lënë në fuqi dhe nga apeli.
Bazuar në këto vendime, Prokuroria e Kurbinit ka regjistruar në vitin 2018 procedim penal ndaj subjektit për “shpërdorim detyre”, por ka kërkuar në vitin 2021 pushimin me arsyetimin se ndjekja penale është parashkruar, kërkesë që është pranuar nga gjykata respektive. Ndaj këtij vendimi ka ushtruar sërish ankim kallëzuesi D.G., që pritet të shqyrtohet në vijim.
Qirko shpjegoi se nga verifikimi materialeve kallëzuese të shtetasit D.G., ka rezultuar se ndaj këtij të fundit në vitin 2015 është regjistruar procedim për veprën penale ‘kanosja e gjyqtarit”, me pretendimin se kishte kanosur prokurorin Erjon Shehaj dhe drejtuesin e Prokurorisë së Lezhës në atë periudhë. Procedimi është regjistruar bazuar në një letër të mbërritur në prokurori, me përmbajtje në dukje kërcënuese.
Pasi subjekti ka kryer veprimet e para hetimore, ka vendosur moskompetencën dhe kalimin e çështjes në Prokurorinë e Tiranës, e cila po në vitin 2015 ka vendosur pushimin e hetimeve ndaj D.G..
“Duket se subjekti nëpërmjet angazhimit apo pranimit për hetimin e një çështjeje në të cilën referohej emri i tij, ka cënuar standartet e etikës dhe vlerave profesionale të një magjistrati”, konstatoi Qirko dhe shtoi se subjekti ka pasur detyrimin të hiqte dorë për nga hetimi pasi kishte interes të drejtëpërdrejtë.
Shehaj deklaroi se ishte caktuar prej drejtuesit si prokuror i çështjes dhe pas kryerjes së verifikimeve paraprake kishte konkluduar me ndalimin e personit në fjalë, që ishte vlerësuar i ligjshëm dhe nga gjykata. “Nuk gjendesha në konflikt interesi. Në momentin e ngritjes së pretendimeve në seancë për masën e sigurisë shpalla moskopetencën”, shpjegoi Shehaj.
Ai solli në vëmendje se kjo ankesë ishte shqyrtuar më parë nga Prokuroria e Përgjithshme që kishte gjetur shkelje të kryer nga drejtuesi i prokurorisë, ndërsa veprimet e tij procedurale ishin vlerësuar të ligjshme. Këtë rast, Shehaj e cilësoi si një gjë të gjykuar.
Në seancë u evidentua dhe një çështje e hetuar prej subjektit në vitin 2020 për veprën penale “drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, ku sipas KPK, duket se Shehaj ka lehtësuar pozitën e të pandehurit. Qirko sqaroi se i pandehuri nuk u ishte bindur urdhërave të punonjësve të policisë për kryerjen e vullnetshme te testit të alkoolit, që është realizuar në vijim pasi është shoqëruar dhe i është marrë kampion gjaku. Sipas KPK, i pandehuri nuk ishte vendosur para përgjegjësisë për mosbindjen.
Prokurori Shehaj deklaroi se qëndrimi i të pandehurit duke mos pranuar kryerjen e testit të alkoolit me apparat matës, nuk mund të konsiderohej si mosbindje. “Mospranimi është subjektiv për arsye të ndryshme dhe nuk përbënë mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policicisë”, tha Shehaj dhe shtoi se i pandehuri i ishte bindur urdhërit për t’u shoqëruar si dhe kishte pranuar për marrjen e kampionëve të gjakut.
Qirko sqaroi se ndaj prokurorit Shehaj janë depozituar në Komision 24 denoncime nga publiku, për të cilat ai ka dhënë shpjegime që do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.
Në përfundim prokurori Erjon Shehaj kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 31 mars në orën 09:50. /BIRN/