Deputeti i LSI-së, Petrit Vasili ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, drejtuesit të Policisë, Gledis Nano dhe drejtues të policisë në disa rretheve.
Vasili tha se dhuna e ushtruar ndaj protestuesve të cilët kanë kërkuar ulje të çmimeve është e papranueshme.
“Të nderuar qyetarë dhe qytetare jemi sot para jush për të denoncuar me ashpërsinë më të madhe sjelljen prej gangsterësh të Policisë së Shtetit. Sjellja shtazarake ndaj një të riu protestues në mes të Tiranës, i dhunuar nga një grup njerëzish pa uniformë me xhupa dhe kapuçë të zi dhe me pistoleta në brez është sjellje që nuk ka asnjë lidhje me ligjin por është sjellje naziskinësh. Përballë protestuesve që demonstrojnë për shkak të varfërisë dhe mjerimit të tyre dhe të çmimeve të rritura nga spekulantët e karburantit dhe të artikujve ushqimorë bazë është një sjellje prej armiqsh të qytetarëve dhe në shërbim të mafias shtetërore dhe oligarkëve. Çdo shqiptar që shikon këtë video, ku policia sillet si kafshë me qytetarët skena të cilat po kaq të rënda kanë ndodhur dhe në Durrës, Lezhë, Shkodër, Korçë, Lusnje, Fier etj kanë indinjuar të madh dhe të vogël. Kërkoj sot publikisht dorëheqjen e menjëhershme të Ministrit të Brendshëm, Bledar çuçi kërkoj shkarkimin e menjëhershëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledi Nano i cili është përgjegjësi kryesor për këtë sjellje kriminale të policisë anembanë vendit. Shkarkimin e drejtorave të policisë të Tiranës, Durrësit, Lezhës, Shkodrës, Korçës, Beratit, Fierit”, tha Vasili.
“Qytetarët shqiptarë nuk paguajnë nga gjaku dhe djersa e tyre taksat që të paguhen kriminelë pa uniformë që dhunojnë dhe shqyejnë qytetarët e varfër dhe të ndershëm por i paguajnë që të ndjekin krimin trafikantët dhe spekullatorët. Çdo qëndrim i mëtejshëm i këtyre drejtuesve në këto pozicione pas konsumimit të veprave të rënda penale të dhunimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve si dhe dhunimit fizik dhe çnjerëzor të tyre vetëm sesa do rëndojë në mënyrë të pakthyeshme situatën dhe do të krijojë një armiqësi shumë të thellë mes policisë dhe qytetarëve”, shtoi ai në një konferencë për mediat, në fillim të së cilës publikoi pamje nga ndalimet me forcë të protestuesve, që ka bërë policia.