Rritja e çmimit të energjisë, karburanteve, lëndëve të para në tregjet e huaja dhe taksave vijon të shtojë kostot për industrinë prodhuese dhe shërbimet e transportit. Shoqatat e biznesit dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë rekomandojnë ndryshime fiskale te karburantet dhe kompensim për tarifën e shtrenjtuar të energjisë te ndërmarrjet prodhuese, për të shpëtuar mbylljen e fabrikave.
Biznese të industrisë së përpunimit të mishit, qumështit, pijeve alkoolike dhe shërbimi i transporteve ngrenë njëzëri shqetësimin e shtimit të kostove nga shtrenjtimi i çmimit të energjisë, gazit, karburanteve, lëndëve të para në tregjet e huaja dhe taksave të reja për vitin 2022.
Në proponcimet për Monitor ata japin sugjerimet se si mund të lehtësohen problematikat me të cilat po përballen.
Subvencione për rritjen e çmimit të energjisë elektrike deri te heqja e akcizës së karburantit dhe gazit, kthimi i skemës së rimbursimit të TVSH-së për grumbulluesit e mallrave agroindustriale dhe përjashtime janë rekomandimet e shoqatave të biznesit dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për sektorët e ekonomisë, të prekur nga rritja e kostove.
Sektorët prodhues të prekur nga rritja e kostove
Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhueseve Shqiptarë, Arben Shkodra, pohon se rritja e kostove ka prekur të gjitha industritë e ekonomisë, si: përpunuesit e mallrave të ushqimit, prodhuesit e pijeve alkoolike, metalit, drurit, konvertuesit e plastikës dhe letrës, si dhe prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve.
“Vitin e kaluar, Bashkimi i Prodhuesve i kërkoi qeverisë marrjen e masave mbështetëse nga rritja e çmimeve të lëndëve djegëse dhe mosheqjen e përjashtimeve fiskale.
Nuk ishte koha që qeveria të ndërhynte për ndryshimin e taksave, përkundrazi të lehtësoheshin stimujt fiskalë për bizneset, për të krijuar masa mbrojtëse edhe për vështirësitë e tjera që po lindin nga vala e dytë e rritjes së çmimeve pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë.
Në anën tjetër, reforma për liberalizimin e shitjes së energjisë po krijon deformime në treg. Për sektorë të caktuar, ka dy fasha të çmimeve të energjisë elektrike. Bizneset e tensionit të lartë, që kanë dalë në tregun e liberalizuar, por të parregulluar, e blejnë energjinë 50 lekë/kilovat (me TVSH) dhe bizneset e lidhur me tensionin e ulët 20 kilovat e blejnë energjinë 18 lekë”.
Përfaqësuesi i Bashkimit të Prodhuesve nënvizon se, sipërmarrësit shqiptarë janë të pambrojtur nga vala e dytë e rritjes së çmimeve që fillon pas luftës Rusi-Ukrainë, gjë që do të rëndojë më tepër konsumatorin.
“Sipërmarrësit aktualisht po ndiejnë ‘fishkëllimin e kamxhikut’ vetëm nga ndryshimet e ekonomisë globale, siç janë rritja e tarifave të transportit dhe lëndëve të para, ndërsa rritja e çmimit të naftës dhe mallrave të tjera të bursës e vështirësojnë koniunkturën e prodhimit vendas.
Tregu shqiptar është i varur nga importet e lëndëve të para dhe produkteve të gatshme, si dhe nga importi i gazit, karburantit dhe energjisë elektrike, pasi nuk janë bërë asnjëherë përpjekje për të pasur pavarësi, të paktën për energjinë elektrike. Përballë kësaj situate, vendi është i ekspozuar dhe i pambrojtur nga koniunkturat botërore.
Çdo luhatje e çmimeve të vajit të lulediellit, grurit dhe misrit në tregjet ndërkombëtare për shkak të fillimit të luftës në Ukrainë do të reflektohet në tregun vendas”, thotë z. Shkodra.
Çfarë kërkojnë përpunuesit e mishit
Prodhimi i sallamit vendas në 2020 ishte 9,6% më pak se një vit më parë, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Prodhimi i proshutës ra rreth 1%. Në konsum, rënia e prodhimit është zëvendësuar nga importi. Importet e proshutës dhe sallamit për 2021 janë rritur 15,5% më shumë se në vitin 2020, sipas të dhënave të doganave.
Kompanitë përpunuese të mishit thonë se janë në vështirësi këtë vit për shkak të rritjes së çmimit të energjisë, lëndëve ndihmëse për prodhimin e sallamit dhe materialet e ambalazhimit. Për Nikolla Tona, përpunuesin e mishit të fabrikës “Tona” në qytetin e Korçës, shqetësimi kryesor është rritja e kostos prodhuese nga shtrenjtimi i energjisë.
Fabrika është e lidhur me tensionin e mesëm 20 kilovat dhe për vënien në punë të saj, energjia në tregun e liberalizuar blihet 25 lekë për kilovat nga 11,2 lekë që paguhej më parë. Sipërmarrësi thotë se shpenzimet ditore nga çmimi i ndryshuar i energjisë elektrike janë shtuar 130,000 lekë. Administratori i kompanisë thotë se rritja e çmimit në këto nivele është vrastare për industrinë e përpunimit të mishit.
Për të amortizuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë te kostot prodhuese të biznesit, Nikolla Tona rekomandon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorin familjar, në të kundërt ndërmarrjet prodhuese do të falimentojnë. “Energjia është kosto bazë për fabrikën tonë, pasi përdoret jo vetëm për prodhimin, por edhe për dhomat frigoriferike.
Me rritjen e çmimit të energjisë, fatura e muajit janar është 5,3 mln lekë nga 3,2 mln lekë për janar 2021, kur 25-40% e konsumit të energjisë për këtë vit është mbuluar nga pasqyrat foltaike (në varësi të kushteve atmosferike). Bizneset përpunuese nuk mund të përballojnë rritje çmimi më të lartë se 20%”.
Çdo ditë vrasim mendjen sesi të amortizojmë kostot e larta nga rritja e çmimit të energjisë dhe lëndëve ndihmëse prodhuese, por nuk ka mbetur asnjë hapësirë. Në anën tjetër e kemi të pamundur që koston e shtuar ta reflektojmë në rritjen e çmimeve për konsumatorin, pasi do të favorizohej rritja e shitjeve të produkteve nga importi.
Produktet e rajonit do të shiteshin me çmime më të lira se ato vendase, pasi kostot e prodhimit nuk janë prekur nga rritja e lartë e çmimit”, nënvizon z. Tona.
Rritja e çmimit të energjisë për konsumatorin familjar, për shkak të pamundësisë së bizneseve prodhuese për të zbutur efektet e rritjes, rekomandohet si masë lehtësuese për institucionet shtetërore edhe nga presidenti i Qendrës së Eksporteve, Alban Zusi. Ai pohon se situata është shumë e rënduar, për këtë arsye shpenzimet e shtuara të biznesit nga energjia elektrike duhet të përballohen nga shteti.
“Vendimi që kostoja për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, të mos i shpërndahet konsumatorit familjar, por t’u lihet vetëm bizneseve, është strategjia më e gabuar.
Sipërmarrjet nuk kanë asnjë alternativë për të ulur konsumin, pasi kjo do të sillte rënie të prodhimit. Nëse do të kishte rritje të çmimit të energjisë për abonentët familjarë, këta do të ulnin konsumin, do të reduktonin kohën e vënies në punë të pajisjeve elektroshtëpiake. Konsumatori e ka më të lehtë të amortizojë rritjen e çmimit, ndërsa ndërmarrjet nuk kanë alternativë.
Çmimi i energjisë për bizneset nuk duhet të kalojë 20% rritje. Nëse e gjithë barra i lihet biznesit, shumë prej tyre do të mbyllin dyert, të tjerë do të ulin tërësisht aftësinë për të investuar dhe për të rritur pagat. Nuk ka shanse që në këto kushte t’u kërkosh bizneseve rritje të pagave. E gjithë ekonomia do të vuajë. Duke dashur t’i kursejmë 100 lekë/muaj nga fatura e dritave një familje, në fakt do t’i heqim shansin t’i rritet paga apo të hapet një vend i ri pune”.
Rekomandimet e përpunuesve të qumështit
Rritja e çmimit të qumështit, rënia e prodhimit, heqja e skemës së TVSH-së, shtrenjtimi i lëndëve të para dhe energjisë janë arsyet që fabrikat e përpunimit të qumështit po vuajnë shtimin e kostove. Sasia e qumështit të grumbulluar nga fermerët në vitin 2020 ishte 14,8% më pak se në 2019-n, sipas të dhënave të INSTAT.
Për vitin 2021, importet e qumështit janë 8% më të larta se periudha para krizës nga Covid-19. Në raport me 2020, kur u zbatua tre muaj karantinë, sipas të dhënave të doganave, importet janë shtuar 30%. Për muajin janar 2022, importet e qumështit shënuan rënie të lehtë 3% krahasuar me janarin e vitit 2021.
56% të totalit të qumështit me jashtë e zënë importet nga Italia, 16% e qumështit vjen nga Serbia, 14% nga Bosnjë-Hercegovina dhe pjesa tjetër nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe shtete të Europës. Për vitin 2021, rritja më e lartë e importeve të qumështit ishte nga Serbia 71% më shumë se në 2020-n.
Aldo Hoxha, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Industrisë së Përpunuesve të Qumështit, thotë se situata e sektorit është rënduar për shkak të rritjes së çmimit të qumështit nga shtimi i kostove prodhuese të fermerëve. Për vitin 2022, sipas tij, përpunuesit po furnizohen nga fermat me qumësht me çmim 55 cent për litër, nga 42-45 cent vitin e kaluar, ndërkohë në rajon, çmimi i qumështit është 31-35 cent për litër.
Për këtë arsye, industrialistët kërkojnë ndryshime fiskale që nga kthimi i skemës së TVSH-së së rimbursueshme në shkallën 20% e zbatuar para 2018-s, ose reduktimin e TVSH-së në shitje, heqjen e akcizës së gazit dhe të TVSH-së të inputeve bujqësore, si dhe subvencione për fermerët për litër qumësht të prodhuar.
“Prej disa muajsh, Industria e Përpunimit të Qumështit përsërit kërkesën për reduktimin e TVSH-së 6% në shitje, si masë fiskale që do të frenonte rritjen e çmimeve për konsumatorin dhe do të rriste shkallën e konkurrueshmërisë ndaj produkteve të importit, ose të ndërhyhet për kthimin e TVSH-së së rimbursueshme 20%, si masa e menjëhershme për të shpëtuar prodhimin vendas.
Gjithashtu kërkojmë heqjen e akcizës 6 lekë/litër për gazin që fillon zbatimin nga 1 korriku 2022, e cila ishte zero. Kjo është një taksë që do të rëndojë më tepër tek industria përpunuese e qumështit, pasi do të llogaritet mbi sasinë e përdorimit të gazit dhe të çmimit.
Nuk është çudi që nga ndryshimet fiskale, pas përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë, kur çmimi i gazit të stabilizohet, shkalla e akcizës do të jetë e njëjtë me çmimin e shitjes. Këtë vit, po ashtu, nisi zbatimin taksimi me 10% TVSH për inputet bujqësore të importit, që prej 2018-s ishte zero. Inputet bujqësore përfshijnë të gjitha lëndët e para që fermerët përdorin për kultivimin e tokës e mbajtjen e kafshëve, të cilat kanë ndikuar te rritja e kostos së prodhimit dhe tregtimit të qumështit.
Në anën tjetër, qeveria u angazhua që ndryshimet fiskale do të zëvendësohen me skema mbështetëse për fermerin. Për blegtorinë është miratuar vetëm një skemë që nuk e mbështet fermerin për litër qumësht të prodhuar, siç po zbatohen në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, por vetëm për krerë dele, dhi dhe lopë të kufizuar në numër.
Kjo masë është e pamjaftueshme në ndihmë të fermerit që të përballojë rritjen e lartë të kostove nga çmimet dhe taksat. Me skemën mbështetëse të vitit 2022, blegtoria është lënë në hije”.
Për amortizimin e kostove nga rritja e çmimit të energjisë elektrike Industria e Përpunimit të Qumështit këshillon lejimin e rritjes së kapaciteteve prodhuese nga panelet foltaike, si dhe ndryshimin e matjes së balancës të energjisë të harxhuar nga burimet e rinovueshme.
“Prej 2018-s, të gjithë përpunuesit e qumështit që kanë dalë në treg të lirë për furnizimin me energji elektrike po përballen me rritjen e lartë të çmimit. Për muajin janar, bizneset që vazhdojnë të furnizohen nga OSHEE e blenë energjinë 22 lekë/kWh nga 11 lekë që ishte më parë dhe kurse bizneset që furnizohen në treg të lirë, nga 9 lekë që paguhej vjet në 33 lekë.
Efektet e rritjes së çmimit të energjisë janë negative për sektorin, pasi të gjitha dhomat frigoriferike të ruajtjes së produkteve dhe ato të staxhionimit vihen në punë nëpërmjet energjisë elektrike. Për të ulur shpenzimet e shtuara rekomandojmë rritjen e kufirit të lejuar për vetëprodhim nga panelet foltaike nga 500 kilovat deri në 1,000 -1,500 kilovat.
Së dyti, për kompanitë që përdorin energjinë e rinovueshme, balanca e energjisë së përdorur të mos jetë mujore, por të bëhet një herë në vit. Shqetësim për sektorin është edhe rritja e çmimit të naftës, pasi ka shtuar kostot për shpërndarjen e produkteve brenda vendit”, thotë ndër të tjera z. Hoxha.
Kompanitë e pijeve alkoolike ulin prodhimin, kërkojnë kompensim të energjisë
Prodhimi vendas i pijeve alkoolike në vitin 2021 ra 24% në raport me 2020, sipas të dhënave të doganave. Sërish, rënia e prodhimit u zëvendësua nga jashtë. Importet e pijeve alkoolike u rritën 33% në vitin 2021 krahasuar me 2020.
Për muajin janar 2022, prodhimi vendas është rritur 17% më shumë se në vitin 2021, ndërsa është më i ulët se periudha para krizës. Importet e janarit në vitin 2022 u rritën 47% krahasuar me vitin e kaluar.
Prodhuesit vendas pohojnë se nga shtrenjtimi i çmimeve që nisin nga 1 janari 2022 kanë rënë shitjet. Ndryshimet e çmimeve u paralajmëruan në dhjetor të vitit të kaluar. Denis Zhilla, drejtori i përgjithshëm i kantinës së prodhimit të pijeve alkoolike, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pohon se për muajin janar-shkurt, prodhimi është 20% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndërsa shitjet kanë rënë 35%.
“Shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike nga 15 lekë/kWh në 41 lekë (me TVSH), rritja 20% e qelqit dhe 30 deri në 40% dhe e tarifave të transportit ndërkombëtar, ambalazhimit ka shtuar kostot e prodhimit. Për të përballuar shtimin e shpenzimeve të prodhimit u detyruam që nga 1 janari 2022 të rrisim çmimet me 30%.
Rritja e çmimeve ndikoi te rënia e shitjeve për muajt janar-shkurt 35% krahasuar me vjet. Në këtë situatë është e domosdoshme që qeveria të angazhohet për marrjen e masave që do të mbronin prodhuesit nga rritja e çmimit të energjisë. Rekomandojmë subvencionimin vetëm për tarifën e shtuar të çmimit të energjisë elektrike”, veçon z. Zhilla.
Sipas sekretarit të përgjithshëm Arben Shkodra, edhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë do t’i kërkojë së shpejti qeverisë që krahas përjashtimeve për sipërmarrjen prodhuese të prekur nga shtrenjtimi i energjisë të subvencionohet vlera e rritur e faturës, siç po zbatohet nga vendet e rajonit.
Bashkimi i Prodhuesve dhe Shoqata e Eksporteve kërkojnë ndryshime fiskale
Ulja e taksave vlerësohet masa kryesore që institucionet shtetërore duhen të zbatojnë ndaj industrisë prodhuese, sipas shoqatave të biznesit me qëllim amortizimin e rritjeve të kostove. Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë rekomandon vendosjen e përjashtimeve për akcizën e naftës dhe zbatimin e garancive të plota sovrane nga shteti.
“Qeveria fillimisht duhet të ulet në një tryezë diskutimesh me sipërmarrjen, për të bërë një studim ‘të rrufeshëm’, se cilat janë efektet e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe sektorët që preken më shumë. Për industritë e prekura, stimuli fiskal duhet të nisë që këtë vit. Së dyti, është e domosdoshme që të fillojë përjashtimi, duke nisur nga pezullimi i taksës të akcizës për naftën.
Së treti, sipërmarrja ka nevojë për likuiditet dhe kjo mund të krijohet nëpërmjet garancive sovrane, ku riskun duhet ta marrë tërësisht qeveria dhe jo nëpërmjet analizës të riskut nga bankat”.
Edhe presidenti i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, propozon ndryshime fiskale te karburantet dhe energjia. “Urgjentisht duhet të vendoset tavan për detyrimet fiskale, për karburantet dhe lëndët e tjera djegëse.
P.sh., nëse sot çmimi naftës nga tregjet e huaja është 800 USD/ton, taksat nuk duhet të llogariten në përqindje mbi çmimin fillestar, por duhet të ndiqet logjika për vendosjen e tarifës fikse në lekë/litër. Tavani për detyrimet fiskale duhet të jetë fiks. Për te karburantet të jetë 50 lekë/litër dhe për gazin, 30 lekë/litër ose qeveria duhet të marrë në konsideratë heqjen e taksave që rëndojnë te çmimi i karburantit dhe të lihet vetëm TVSh-ja.
Rritja e detyrimit fiskal sa herë shtrenjtohet çmimi i karburanteve në bursë po çon drejt falimentimit bizneset. Duhet të hiqet edhe taksa e 6 lekë/litër për akcizën e gazit që do të nisë zbatimin nga 1 korriku 2022. Të gjitha vendet rajonale janë duke marrë masa për të amortizuar rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Nëse nuk merren masa, produktet e importit do të mbysin tregun vendas. Kjo do të sjellë shkatërrimin e sipërmarrjes dhe humbjen e vendeve të punës. Nëse mbyllen fabrikat do të krijohet gjendje e ngjashme si në ’97”, nënvizon Zusi.
Edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, Alban Isteri, i mbështet propozimet e bizneseve për subvencionim të tarifës së rritur të energjisë, ndërsa është kundër lehtësive fiskale, pasi jo vetëm do të ulnin të ardhurat, por do të ndikonin në zbatimin e skemave sociale. “Në këtë situatë kur sipërmarrjet prodhuese janë të prekura nga rritja e çmimit të energjisë, subvencionet janë të domosdoshme. Industria prodhuese duhet të shpëtohet nga rritja e kostove”.
Kërkesat e transportit urban
Prej vitit 2020, kompanitë e transportit urban në Tiranë operojnë me 55% më pak të numrit të udhëtarëve krahasuar me periudhën e parakrizës. Për shkak të humbjeve nga rënia e pasagjerëve, në tetor të vitit 2021, ata paralajmëruan reduktim 50% të shërbimit deri në ndërprerjen e tij.
Në fund të muajit dhjetor, për të kompensuar humbjet nga rënia e numrit të pasagjerëve, Bashkia e Tiranës miratoi vendimin për shpërndarjen e 1 mln eurove subvencione për transportin urban. 11 kompanitë do të përfitojnë 15,000 deri 20,000 euro nga subvencioni i buxhetit të Bashkisë të Tiranës.
Pagesa për operatorët do të jetë e shtrirë për periudhë 6-mujore. Por kompanitë pohojnë se subvencionet e bashkisë nuk arrijnë t’i kompensojnë humbjet nga shtrenjtimi i çmimit të naftës. Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Ndërqytetës, Rixhin Qoshja, pohon se disa operatorë janë në prag falimentimi nga shtrenjtimi i naftës, për këtë arsye është i domosdoshëm plotësimi i kërkesave për ndryshime fiskale.
“Kërkesat tona janë të njëjta me ato të kërkuara në fillim të pandemisë për të zbutur efektet nga rënia e numrit të pasagjerëve. Edhe tani që po vuajmë rritjen e shpenzimeve nga shtrenjtimi i naftës kërkojmë rimbursimin e TVSH-së në shitje, heqjen e akcizës së naftës 37 lekë/litër; heqjen e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licencuara që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban (qytetës) 27 lekë/litër, si dhe rimbursimin e çmimit të biletës për kategoritë (invalidë pune, të verbër, paraplegjik, tetraplegjik, studentët) të cilët udhëtojnë falas”.
Shoqata e Transportit Ndërqytetës dhe Unioni i Transportit Publik paralajmëruan ndërprerje të shërbimit nga 1 Marsi dhe mosshitjen e aboneve, për shkak të pamundësisë financiare të sektorit. /Monitor/