Nga Ilir Kalemaj
Agresioni rus me qëllim final jo domosdoshmërisht pushtimin e Ukrainës, por ndryshimin e dhunshëm të pushtetit në Kiev për të vendosur një regjim kolaboracionist, neutralizuar Ukrainën dhe ish-republikat e tjera sovjetike për të qëndruar në sferën e influencës ruse dhe dekurajuar NATOn për zgjerim të mëtejshëm, kanë pushtuar shtypin botëror. Faqet e disa prej të përditshmeve të njohura në botë po i kushtojnë një vëmendje të pazakontë kësaj lufte dhe identikitit të vetë Putinit si dhe duke analizuar arsyet racionale apo jo të këtij agresioni, ndërsa në Amerikë, por dhe vende të tjera, kurrikulat universitare kanë filluar të përfshijnë përherë e më tepër lëndë me tematikë Rusinë dhe rolin e saj në krijimin e një konfiguracioni te ri rajonal dhe botëror, ndërkohë që vetëm disa vite më parë, ishte Kina ajo që ishte në qendër të vëmendjes apo studimet arabe dhe arabologë pas ngjarjeve të 11 shtatorit.
Sot pas dy dekadash e gjysëm të shkërmoqjes së Bashkimit Sovjetik, nevoja për rusologë dhe studiues të sjelljes së korridoreve të Kremlinit bëhet gjithnjë dhe më akute. Kjo si rezultat i situatës që po precipiton çdo ditë në Ukrainë por edhe aneksimit të mëparshëm të Krimesë, apo agresionit ndaj Gjeorgjisë së cilës Moska aneksoi de facto Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut apo esklavat që kontrollon, si për shembull ajo e Transdnistrisë në Moldavi apo Kaliningradin në kufirin lituanezo-polak. Gjithashtu Moska është arbitri final në konfliktin permanent Armeni-Azerbaxhian me ‘pataten e nxehtë’ të Nagorno-Karabakut apo dominimin kulturor, ekonomik dhe gjeopolitik që ka në rajonin e Azisë Qëndrore. Por si ndodhi që Rusia u kthye në fuqi rajonale me sferën e saj të padiskutuar të interesit në ish-republikat sovjetike ndërkohë që fillim vitet 90-të e gjetën të shkalafitur, ekonomikisht të rënuar dhe politikisht anarkike.
Fundi i luftës së ftohtë, solli dhe fundin e sistemit bi-polar të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe roli protagonist i SH.B.A. si një fuqi hegjemonike e pakontestueshme, gëzonte një konsensus omnium nga pothuajse cdo shtet tjetër. Për më tepër krijoi premisat e një rendi të ri botëror, ku vihej një theks gjithnjë e më i madh mbi stabilitetin dhe sigurinë, në vend të parimeve të demokracisë liberale të bazuara në Konsensusin e Washingtonit.
Jo më kot, periudha e dekadës së parë post-komuniste, ka qenë edhe një prej periudhave më të qeta dhe e rritjes së shpejtë teknologjike dhe kushteve të jetesës që ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Rusia e sapo dalë nga një rregjim totalitar shtypës dhe me një ekonomi thuajse në gjendje katastrofike, ishte aq e ndërvarur nga ndihmat financiare të Perëndimit dhe institucioneve dhe organizmave të tij financiarë, sa nuk mund të bënte gjë tjetër, vecse të mbështeste verbërisht politikat e diktuara në formë kondicionaliteti dhe t`u thoshte ‘amen’ superfuqisë amerikane dhe aleatëve të tyre evropianë. Ndërsa evropianët e integruar tashmë ekonomikisht, por thellësisht të përcarë në ndjekjen e politikave të jashtme respektive dhe me interesa gjeopolitike krejt te ndryshme nga njëri-tjetri, as që mund të mendohej se mund të avokatonin interesa të ndryshme nga ato të aleatit të tyre strategjik. Kina, megjithëse një fuqi e re dhe me premisa të forta për t`u shfaqur si një superfuqi potenciale në një të ardhme jo shumë të largët, përsëri ishte dhe është shumë larg kombiminit të gjithanshëm ekonomiko-politiko-ushtarak që SH.B.A.-ja gëzon aktualisht. Mbi të gjitha i mungon një ideologji lukrative dhe bindëse për të qenë fuqi rajonale me sferën e saj të pacënuar të influencës, le më rol të padiskutuar global.
Gjithsesi, duket se kohët e fundit gjeopolitika botërore është duke pësuar një metamorfozë që po sjell edhe një konfiguracion të ri të fuqive të mëdha. Në pamje të parë duket se kjo është një gjuhë e dalë jashtë mode kohë më parë dhe do dukej anakronike dhe e paradoksale të flitej kështu në shekullin e njëzet e një. Por për pionerët e rinj të real-politikës dhe beniaminëve të tyre neo-konservatorë, kjo s`është aspak një risi. Përkundrazi, kjo shkollë e politikës, i ka parë gjithnjë zhvillimet globale nën prizmin e një lufte të pandërprerë për dominim. E parë në këtë optikë, mund të shpjegohet edhe rritja së fundmi e vëmendjes ndaj fenomenit rus, i cili duket se është drejt një rruge, të cilën e ka përsëritur shpesh gjatë historisë së tij. Perandoria e dikurshme e carëve që me vonë u zëvendësua nga një Bashkim Sovjetik me predominim të fortë rus, pati një zbythje të lehtë, vetëm gjatë viteve të para të tranzicionit ku drejtohej nga një president apatik, i korruptuar dhe i pafuqishëm, sic qe Jelcini. Me një shëndet të dobët (shpesh të rënduar edhe për shkak të konsumimit të tepërt të alkoolit) dhe i rrethuar nga një rrjet nepotik që drejtohej me dorë të fortë nga e bija, Jelcini nuk arriti dot asnjëherë të krijonte një profil të jashtëm politik krejtësisht të pavarur. Përkundrazi e zhyti vendin në kriza të njëpasnjëshme dhe arriti të fitoj sërish në zgjedhjet parlamentare të rradhës vetëm për shkakun e vetëm se ishte e keqja më e vogël. I rrethuar nga komunistë dhe radikalë, për Perëndimin njëkohësisht ai ishte partneri më i besuar, megjithëse natyrisht jo më efikasi.
Me ardhjen në pushtet të ish-njeriut të KGB-së së frikshme, Vladimir Putin, gjërat nisën të ndryshojnë dhe ekonomia nisi gradualisht të rimërkëmbej, megjithëse niveli i demokracisë
në vend filloi njëkohësisht të binte në mënyrë proporcionale. Putini luftoi ashpër inflacionin galopant të trashëguar nga administrata e mëparshme, reduktoi korrupsionin në nivele drastike dhe ktheu bilancin tregtar nga negativ, më një deficit që thellohej nga viti në vit, në pozitiv, më një suficit që ia doli të shlyente edhe pjesën më të madhe të borxhit të jashtëm. Gjithashtu dobësoi pushtetin e biznesmenëve të fuqishëm rusë dhe i ktheu një pjesë të mirë të tyre në vasalë të tij. Por suksesi ndoshta më i rëndësishëm i
tij ishte në fushën e politikës së jashtme, ku duket se po e rikthen Rusinë në kohërat e saj të arta. Ky rikthim padyshim që është ndihmuar sidomos nga shfrytëzimi racional dhe vizionar i burimeve energjetike, të cilat në dorën e kompanisë shtetërore Gazprom, janë kthyer në armën më të fuqishme diplomatike të Putinit për momentin. Forcimi ekonomik i Rusisë shpjegohet me faktin se Putini e nuhati shumë shpejt emergjencën e një politike industriale si rrjedhojë e ndergjegjësimit se ekonomia e Rusisë nuk mund te varej vetëm nga rentat e gazit dhe te petrolit. Një kthesë e konsiderueshme ndërhyri në ekonominë ruse me mandatin e dytë të Putin, kur ky i fundit ju besoi sipërmarrësve të shtetit sektorin vendimmarrës të hidrokarbureve, i cili më parë ishte i dominuar nga oligarkët. Nëse mbrojtja e të mirave strategjike nuk e ndalon hapjen e tyre ndaj kapitaleve te huaja, gjithsesi ajo përkthehet si një strategji që synon afirmimin e nje politike monopolizuese ekonomike (shembulli i Gazprom dhe Transnef e ilustron me se miri monopolin publik të energjisë).
Evolucioni i politikës Putin është interesant: nga viti 2000-2002 ka një vazhdimësi reformash, ku parlamenti dhe mediat ishin relativisht të pavarura; prej vitit 2003-2004 ka një evolucion drejt një demokracie ‘dekorative’, ndërsa vitet e fundit si kryeministër i plotfuqishëm Putini ka shkuar drejt një autoritarizmi të konsoliduar që qeveris me “dorë të hekurt” dhe me prirje të qarta ekspansioniste në politikën e jashtme. Fillimisht Putin nuk ka qenë larg konceptit Gorbaçevian, pra një regjim autoritar dhe reforma të limituara. Për mos të përmendur derivatet e politikes së jashtme: distanca e afishuar ndaj luftës në Irak, njëlloj ‘dashamirësie’ ndaj Iranit apo ndërhyrja energjetike në mbrojtje të Asadit në Siri, apo ‘tradhtia’ ndaj Izraelit (mbështetja strategjike ndaj HAMAS-it). Mund të besojmë idenë sipas së cilës Putini deklaron luftën e ftohtë ndaj Perëndimit, realizon aneksime faktike dhe vendos kontroll efektiv mbi territore të asaj që ai e reklamon si “Novorossiya” (Rusia e re), ndërkohë që më pas ulet në tavolinë dhe synon të negociojë duke ruajtur pjesën më të madhe të territoreve të ‘gllabëruara’. Kjo duke shfrytëzuar hapësirat që i lë mungesa e një strategjie më kohezive dhe e vendosur ndaj regjimit të tij.
Ndërkohë sfidat afatshkurtra dhe afatgjata të Putin janë përballja me probleme joneglizhuese: duhet të gjejë politikën adekuate në lidhje me krizën demografike, e cila në të ardhmen mund të provokojë kriza serioze me Kinën, aleanca strategjike me të cilën po e ndihmon të dalë përkohësisht nga izolimi. Po aq imperative janë politikat ekonomike dhe diversifikimi i ekonomisë për të përballuar periudhën e ‘post-petrolit (dhe gazit natyror). Rotacioni i liderëve të tashëm perëndimorë nga postet që kanë, do ta ndryshojë pak situatën, se gjithsesi divergjencat do mbeten pasi sistemi perëndimor e ka esencën tek demokracia, ndersa ai rus tek autokracia.Megjithatë, është pikërisht ky fuqizim ekonomik i Rusisë dhe ridimensionimi i rolit të saj strategjik që kanë nxitur një kohët e fundit një etje për të qenë edhe politikisht të barabartë me fuqinë e vetme hegjemonike sot në botë, Amerikën. Rusia e sotme e Putinit nuk dëshiron të përkufizohet sikundër ish-ministri i Jashtëm belg dikur ka perifrazuar Bashkimin Evropian: “një gjigand ekonomik, por një xhuxh politik.” Përkundrazi Rusia dëshiron të riafirmoj rolin e saj në politikën botërore me çdo lloj cmimi, qoftë ky edhe nëpërmjet shantazhit energjetik, agresionit të pastër ushtarak sic po ngjet në Ukrainë tani apo bllofeve politikë. Karshi BE-së, Rusia po përdor gjithnjë e më hapur kërcënimin e bllokimit të linjave energjetike, si një mjet për të ushtruar presion politik mbi këtë të fundit për të qenë sa më pak kritike ndaj problemit të të drejtave të njeriut në hapësirën ruse dhe të mos ‘fus hundët’ në ish republikat e tjera sovjetike, të cilat shihen nga Moska si një domen rus. Jo më kot, shumë analistë dhe gjeostrategjistë i kanë cilësuar së fundmi marrëdhëniet BE-Rusi si më të këqijat prej fundit të luftës së ftohtë.
Në tërësi kjo klasë politike që ka monopolizuar pushteti ka në dorë si financat, ashtu edhe mbështetjen e pjesës më të madhe të popullsisë ruse të cilët në njëfarë mënyre janë të kënaqur, për shkak të ruajtjes së stabilitetit makro-financiar dhe të ardhurave krahasimisht më të larta se regjimet e mëparshme, të pajtën deri së fundmi. Ndërsa, në nivel ndërkombëtar i ka luajtur përgjithësisht me kujdes ‘gurët e shahut’ për të marrë përfitime sa më të qenësishme ndaj çdo hapi që hedh. Edhe strategjia që u ndoq me rastin e Kosovës duke lozur me dy porta dhe duke përdorur pushtetin e vetos në Këshillin e Sigurimit për të patur sa më tepër përfitime më tepër se e cytur nga lidhjet shpirtërore pansllave që gjithashtu kanë ndikimin e tyre, më tepër ngjasojnë me një filozofi pragmatiste që i shërben gjeopolitikës ruse. Mos të harrojmë që gjatë kësaj kohe ‘solidariteti’ me Serbinë, Rusia shtiu në dorë më shumë se 50 përqind të kompanisë shtetërore të naftës së Serbisë, si dhe nënshkroi një kontratë që e kthen Serbinë në pikë nevralgjike të kalimit të tubacionit verior të gazit, ndërkohë që ai jugor (South Stream) lidh Greqinë me Italinë, duke anashkaluar Shqipërinë, e justifikuar kjo në bazë të kalkulimeve racionale kosto-benefit. Pra nuk mund të mendohet se veprimet e Rusisë udhëhiqen vetëm nga veprime emocionale, si solidariteti shpirtëror, kulturor apo fetar me sivëllëzërit serbë. Qasja pragmatiste që e shtyn Rusinë të udhëhiqet nga parimi kryesor i makutërisë si dhe e ushqyer nga filozofia e vjetër cariste dhe bolshevike për ekspansion dhe kontrollin e ‘zonave të interesit’ në një botë që do e preferonte si ajo që u projektua dhe doli nga Kongresi i Vjenës në shekullin e XVIII, të çon drejt një analize më të thellë të qëndrimit konseguent intrasigjent të Rusisë në lidhje me Kosovën dhe faktorin shqiptar në tërësi në këtë pjesë të kontinentin evropian. Rusia duket se kërkon të dominojë në bazë të skemave të vjetra të ndarjes së zonave të influencës dhe kjo dëshirë për pushtet, e kombinuar me rritjen e të ardhurave ekonomike si pasojë e spekullimeve botërore, por edhe kërkesës për naftë dhe gaz natyror, i japin një avantazh momental këtij shteti që njëkohësisht shfrytëzon edhe ndasitë mes amerikanëve dhe ndonjë shteti evropian në lidhje me çështje të caktuara.
Gjithsesi, nëse do citonim këtu filozofin politik, Mishel Fuko: “pushteti nuk është një luftë që presupozon një viktimë dhe një fitues, por është një marrëdhënie”. E parë në këtë dritë mund të thoshim që roli i Rusisë në gjeopolitikë dhe konfiguracionin e ri botëror, nuk mund thjesht dhe vetëm të imponohet, por duhet të vij si rezultat i një evolucioni të natyrshëm, në përpjestim me potencialin e saj ekonomik, krizës demografike, mungesës së diversifikimit ekonomik dhe varësinë ndaj cmimeve të naftës dhe gazit. Heqja e sanksioneve dhe rritjes së bashkëpunimit duhet të arrihet nëpërmjet kushtëzimit të demokratizimit, hapjes dhe bashkëpunimit të saj me faktorin ndërkombëtar. Vetëm në këtë mënyrë, Rusia mund të sigurojë si një rritje të qëndrueshme ekonomike (duke përfituar edhe nga partneriteti ekonomik me BE-në), por edhe të krijoj një kredibilitet të qenësishëm dhe të luajë rolin e saj si garant i të drejtës ndërkombëtare në një botë, ku ajo ka peshën e saj të padiskutueshme. Por deri më tani duket se prirja është e kundërt, ku së fundmi, Rusia u përpoq të përfitojë nga mungesa e koherencës dhe një politike të përbashkët dhe koherente të jashtme të vendeve të BE-së, dhe e vetmja rezistencë ndaj agresionit në rritje ekspansionist duket të jetë NATO nën lidershipin amerikan. Për mos të lënë historinë të përsëriti vetveten në një botë tashmë të ndryshuar dhe që funksionon sipas një logjike tjetër (ku edhe luftërat bëhen me mjete të tjera), Rusia sic edhe po ndodh, duhet të vijojë të ballafaqohet me një qëndrim të qartë, koherent, imponues dhe vizionar nga ana e faktorit ndërkombëtar, për t`i bërë të qartë se toleranca ka limit dhe rregullat e lojës janë njësoj për të gjithë. Neglizhimi i tanishëm mund të kthehet në një faturë të papërballueshme për të ardhmen.