Dy makina të Policisë së Shtetit dhe të paktën 5 punonjës të saj u përpoqën të martën të largonin nga lulishtja “Vëllezërit Frashëri” një shtetas britanik 24 vjeçar, i cili po protestonte i vetëm përballë ambasadës ruse kundër pushtimit të Ukrainës.
Për të tretën ditë radhazi, një shtetas britanik ka dalë në lulishten “Vëllezërit Frashëri” para ambasadës ruse në Tiranë për të protestuar i vetëm kundër pushtimit të Ukrainës.
I riu është 24 vjeç dhe kërkoi që të mos i përmendej emri për shkak të punës që kryente. Ai është i martuar me një ukrainase me origjinë nga Kharkiv, një prej qyteteve më të prekura nga lufta, dhe thotë se ka vendosur të protestojë çdo ditë përpara se të shkojë në punë.
Ndërsa priste të gjendej me të tjerë mbështetës në protestën e heshtur, britaniku thotë se është përballur çdo ditë me punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët i kërkojnë atij që të largohet.
Protestuesi tha se fillimisht i kanë kërkuar të largohet punonjësit në detyrë pranë ambasadës, ndërsa pretendoi se forcat “Shqiponja” të thirrur prej tyre e kanë larguar me forcë nga sheshi. Në njërën prej ditëve, ai tha se policia i sekuestroi një radio në të cilën po luhej himni i Ukrainës.
E njëjta skenë ndodhi edhe të martën rreth orës 10:00, kur ky gazetar e pa protestuesin e vetmuar dhe iu afrua të bisedonte. Por pa u mbyllur prezantimi, tre punonjës të policisë së objekteve u afruan duke bërë shenja me këmbë e duar që të largoheshim.
Të pyetur nga BIRN se në cilin ligj bazoheshin dhe për cilën arsye po kërkonin të largohej protestuesi, policët e pranishëm nuk kthyen përgjigje. Një prej tyre tha se “ata” – duke treguar me dorë nga ambasada ishin të shqetësuar dhe se “po u hapnim punë”. Por pas këmbënguljes së protestuesit për të qëndruar, punonjësit e policisë së objekteve u larguan. Dy minuta më vonë, në rrugicën mes ambasadës dhe lulishtes u shfaqën dy makina patrulle dhe një person i veshur civil.
Punonjësit e policisë fillimisht bënë foto nga distanca. Protestuesi u përgjigj duke ngritur lart tabelën në të cilën shkruhej “Glory to Ukraine, Fuck Putin”. Ata gjithashtu bënë shenja me dorë, me të cilat nënkuptonin se ai duhej të largohej.
Këmbënguljes së protestuesit se ishte i lirë të qëndronte aty, punonjësit e policisë nuk dinin çfarë përgjigje t’i jepnin. Po ashtu, ata nuk iu përgjigjen pyetjeve të BIRN se përse Policia e Shtetit shqetësohej për një protestues të vetëm.
Pasi kërkesa e tyre u refuzua, punonjësit e policisë u larguan për herë të dytë.
Protestuesi tha se ishte i habitur nga ndërhyrja e policisë. “A është e lirë protesta?”, pyeti ai në mënyrë retorike.
Ai theksoi se kishte pritur që më shumë njerëz të nguleshin para ambasadës, edhe pse e dinte që kjo pak ndryshonte. “Unë bëj atë që kam mundësi,” tha ai, ndërsa herë pas here ngrihej në këmbë për të mbajtur lart tabelën me ngjyra të flamurit të Ukrainës.
Ai i tha BIRN se kishte kaluar mjaft kohë në Ukrainë dhe se vendin e donte. “Njerëzit janë miqësorë dhe klima është shumë e mirë, njësoj si këtu (Shqipëri)”, tha ai në bisedë. Ai tha se ishte i shqetësuar për familjen që kishte atje, ndërsa tregoi se xhaxhai i bashkëshortes dhe vëllai i saj ishin në luftë në mbrojtje të Kievit dhe po ashtu për ankthet prej luftës të nisur pa arsye ndaj Ukrainës.
Gjatë kohës që bëhej biseda, makina e policisë kaloi edhe tre herë në rrugicën e ngushtë. Sa herë policia kalonte, 24-vjeçari ngihej në këmbë dhe ngrinte më lart parullën.
Në një bisedë në kafene pasi qëndroi mbi një orë para ambasadës, ai i tregoi BIRN fotot e bëra me bashkëshorten në sheshin qendror të Kharkiv, qytetit të bombarduar nga Rusia mëngjesin e të martës si dhe fotot e tij të dasmës në Kiev.
“Kjo ishte vetëm ceremonia civile,” tha ai, duke treguar fotot e veta dhe bashkëshortes. “Dasmën do ta bënim këtë verë në Ukrainë, por me këtë tani (luftën) unë nuk besoj që do të ndodhë,” shtoi ai.
Një zëdhënëse e Drejtorisë së Policisë së Tiranës i tha BIRN se qytetarit i ishte kërkuar të largohej, pasi kishte shkelur “perimetrin e sigurisë së ambasadës” dhe pasi ai nuk ishte bindur, policia e kishte larguar me forcë. Edhe pse iu vu në dukje se protesta zhvillohej në lulishte, një vend normal pushimi për qytetarë dhe jo në derën e ambasadës, zëdhënësja këmbënguli se bëhej fjalë për ‘perimetrin e sigurisë’. 24-vjeçari i tha BIRN se ai do të vijonte të dilte çdo ditë në protestë. /BIRN/