Nga Boldnews.al
Shkolla e Magjistraturës është shndërruar në një “oaz paprekshmërie” nga procesi i Vetingut, ndërkohë që në radhët e saj janë strehuar të paktën dy pedagogë, të cilëve u ndalohet përfshirja në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, sipas vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).
Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” e përfshin Shkollën e Magjistraturës si pjesë e arkitekturës së drejtësisë së re.
Në këtë kuadër, stafi pedagogjik i Shkollës së Magjistraturës janë subjekte të procesit të rivlerësimit (Vetingut).
Neni 285 i këtij ligji parashikon specifikisht se “Drejtori dhe pedagogët e brendshëm të Shkollës së Magjistraturës qëndrojnë në detyrë, përveç rasteve kur nuk kalojnë me sukses procesin e rivlerësimit ose largohen nga detyra bazuar në shkaqe të tjera të ligjshme”.
Kushtetuta parashikon që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) janë institucionet e vetme të ngarkuara nga ligjvënësi për kryerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar të zyrtarëve të sistemit të drejtësisë.
Në pesë vitet e para të punës së KPK-së, trupat e Vetingut nuk përcaktuan seancë për asnjë prej pedagogëve të Shkollës së Magjistraturës.
Edhe në argumentat e Parlamentit për shtyrjen me 2 vjet e gjysëm të mandatit të komisionerëve të Vetingut, sërish nuk u përmend aspak planizimi për përfshirjen në procesin e rivlerësimit të pedagogëve të asaj Shkolle.
Ndërkohë, mungesa e përfshirjes së procesit të Vetingut në Shkollën e Magjistraturës ka krijuar situatën absurde, në të cilën të paktën dy pedagogë të saj vijojnë rregullisht funksionet, ndërkohë që janë ndaluar të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vjet.
Të larguar nga Vetingu, pedagog në Magjistraturë
Sipas të dhënave zyrtare të Shkollës së Magjistraturës, pjesë e stafit pedagogjik të brendshëm janë Henrik Ligori dhe Amarildo Laçi.
Ligori, një ish-prokuror i Krimeve të Rënda, dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë në Korrik 2017, në një kohë që kishte hyrë në fuqi ligji për Vetingun.
Në vendimin nr. 341, dt. 01.02.2021, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur “Të deklarojë humbjen e së drejtës (të subjektit Henrik Ligori, shën.red) për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.
Komisioni vlerëson se “subjekti i rivlerësimit ka shfrytëzuar të drejtën që i njeh Kushtetuta për dorëheqje dhe mos vijimin e procesit të rivlerësimit për shkak të dorëheqjes së subjektit të rivlerësimit, e cila sjell si pasojë përfundimin e kësaj procedure administrative dhe, si rrjedhojë, subjekti i rivlerësimit humbet të drejtën për t’u emëruar…për një periudhë 15-vjeçare”.
Në të njëjtën situatë është edhe pedagogu tjetër, Amarildo Laçi.
Në 26 maj 2020, Laçi ka paraqitur para Këshillit të Lartë Gjyqësor dorëheqjen nga detyra e gjyqtarit të Apelit Administrativ.
Me vendimin nr. 268, dt. 29.06.2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi: “Të deklarojë humbjen e së drejtës së këtij subjekti (Amarildo Laçi, shën.red) për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.
Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në nenin 264 të tij, parashikon se pedagogët e brendshëm të Shkollës së Magjistraturës gëzojnë statusin dhe privilegjet e gjyqtarit të Apelit.
Pra, Henrik Ligori dhe Amarildo Laçi, ashtu si edhe kolegët e tyre të stafit të brendshëm të Shkollës së Magjistraturës, gëzojnë privilegjet e gjyqtarit të Apelit dhe, njëkohësisht, edhe masat ndaluese sipas ligjit të Vetingut.
Konflikt interesi
Raporti me Vetingun nuk është i vetmi problem i “oazit të paprekshmërisë” në Shkollën e Magjistraturës.
Në Rregulloren për parandalimin e konfliktit të interesave, si dhe deklarimin e pasurive në ushtrimin e funksioneve publike të institucionit, parashikohet se zyrtarët e Shkollës së Magjistraturës nuk mund të ushtrojnë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e: personit fizik tregtar; ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme; profesioneve të lira të avokatisë, noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a të përfaqësuesit të organizatave, fitimprurëse.
Sipas të njëjtën Rregullore, zyrtarë të Shkollës së Magjistraturës është çdo person që kryen detyra dhe ushtron funksione publike në atë institucion.
Bazuar në të dhënat zyrtare, rezulton se disa prej pedagogëve të Shkollës së Magjistraturës, ushtrojnë veprimtari private si avokat apo drejtues të zyrave avokatore e ligjore.
Drejtori i Shkollës, Arben Rakipi, referuar këtij përcaktimi ligjor, u detyrua të largohet formalisht nga Zyra Ligjore “Rakipi & Partners”, duke ia dhuruar aksionet e tij bashkëshortes, Vilma Rakipi, në Tetor 2020.
Ndërkohë, nga 13 anëtarët e tjerë të Këshillit Pedagogjik të Shkollës së Magjistraturës, 7 prej tyre ushtrojnë aktivitet privat.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezultojn se pedagogët Dashamir Kore, Sokol Berberi, Vangjel Kosta dhe Henrik Ligor, ushtrojnë paralelisht aktivitetin privat si “Avokat”, në formën e “personit fizik”.
Pedagogu Artan Hajdari është aksioner në zyrën avokatore ‘Haxhia & Hajdari” shpk.
Ndërsa pedagogët Arta Mandro e Arben Isaraj janë regjistruar në QKR, në aktivitetin privat si “ekspert në projekte kombëtare e ndërkombëtare.
Për këtë situatë, nuk rezulton, të paktën publikisht, që të jenë kryer ndonjë verifikim apo hetim administrativ nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), institucioni përgjegjës për shqyrtimin e rasteve të konfliktit të interesave.