Përshtati Boldnews.al
Kryeministri britanik, Boris Xhonson, po përgatitet të bllokojë atë që konsiderohet si “Londongrad”, me emërtesën “grad-qytet në rusisht” për pjesën veriore dhe shumë të pasur të kryeqytetit, ku gjenden disa prej “pallateve mbretërore” të oligarkëve rus pranë Putinit.
“Boldnews.al”, referuar raportimeve të medias ndërkombëtare, ka përgatitur një material mbi pasuritë e oligarkëve rusë në Britani, të cilat mund të përfshihen në listën e bllokimeve pas sulmit që Rusia e Putinit nisi kundër Ukrainës.
***
Tashmë është fakt; oligarku Roman Abramoviç, mik i Putinit dhe pronar i skuadrës së futbollit “Chelsea”, nuk mund të qëndrojë në Lodër.
Emri i tij gjendet në listën e “Njësia për raste speciale” të Ministrisë së Brendshme Britanike, e cila është instruktuar që të mos lejojë qëndrimin e tij në Mbretërinë e Bashkuar.
Njësia është pjesë e Drejtorisë për Sigurinë dhe Anti-Terrorizmin, e cila është përgjegjëse për çështje të sigurisë kombëtare.
Abramoviç, i cili zotëron një pasuri me vlerë rreth 10 miliard paund, mungon prej muajsh në Londër. Herën e fundit është shfaqur në Tetor, duke hyrë në Britani falë pasaportës së tij izraelite, e cila i lejon udhëtime turistike.
Por, tashmë, nëse do të duhet të rikthehet sërish në Londër, do t’i duhet të pajisjet me vozë. Burime qeveritare kanë bërë të ditur se “çdo tentativë për vizë do t’i refuzohet”.
Abramoviç nuk është i vetmi oligark rus në shënjestër. Tashmë duhet parë nëse Boris Xhonson do të gjejë kurajon për të shtrënguar rripat e “London-gradit”, qendrën e parave, bizneseve dhe interesave që e kanë bërë një pjesë të kryeqytetit britanik si një degë të jashtme të Moskës.
Mjafton të mendohet se rezidenca e dytë më e madhe në Londër, pas “Buckhingam Palace” Mbretëror, është në pronësi të oligarkut rus, Andrei Guriev.
Bëhet fjalë për “Witanhurst”, në veri të Londrës, me vlerë mbi 350 milionë euro.
Po ashtu, “Hamstone House”, shtëpia ku Uinston Çërçilli planifikoi zbarkimin në Normandi, është në pronësi të industrialistit rus, Oleg Deripaska, i cili e ka nxjerrë në shitje për një vlerë prej 20 milionë euro.
Biznesmeni i metaleve, Alisher Usmanov ndaj kohën e tij ndërmjet Beechwood House, një rezidencë me vlerë 60 milionë euro në Veri të Londrës dhe Sutton Place, një kështjellë e dinastisë “Tudor” në Surrey, e cila më parë ka qenë në pronësi të industrialistit botëror të naftës, Paul Getty.
Vlerësohet se, në total, super-të pasurit rusë zotërojnë në Britaninë e Madhe një pasuri me vlerë mbi 1 miliard e 800 milionë euro dhe rreth 30 përqind e saj gjendet në zonën e Westminister, pjesa e qytetit ku gjendet administrata e lartë shtetërore.
Ndërkohë, janë të paktën 30 deri në 50 oligarkë rusë me lidhje të forta me Kremlinin që kalojnë një pjesë të vitit në Britaninë e Madhe.
Por, ka edhe më shumë të tillë që qëndrojnë në “hije”. Mbi dymijë shoqëri të regjistruara në Britaninë e Madhe janë akuzuar si të përfshira në korrupsion dhe pastrim parash të lidhura me Rusinë, për shifrën stratosferike prej më shumë se 100 miliard euro.
Personazhet e përfshirë janë lidhje të ngushta të Putinit, që veprojnë për llogari të tij. Janë të gjithë njerëz të pritur krahë-hapur nga Qyteti, pasi garantonin flukse të mëdha kapitali, po aq edhe me burim të dyshimtë.
Prej vitit 2008 e deri në 2015, autoritetet britanike kanë lëshuar 700 “viza të arta” për biznesmenët rusë.
Kapitali financiar i tyre është i përfshirë në çdo sektor të ekonomisë britanike.
Universiteti i Oksfordit, për shembull, ka marrë një donacion prej gati 100 milionë euro nga oligarku rus Len Blavatnik, ndërkohë që 2300 studentë rus janë regjistruar në shkollat private angleze (fëmijë të Elitës), të cilët paguajnë një total prej 70 milionë eurosh për studimet.
Në Londër, ekziston një ekonomi e tërë restorantesh, klubesh e dyqanesh luksi, të cilat ekzistojnë falë shpenzimeve bujare të klientëve rusë.
Rublat rusë vajisin edhe botën ligjore dhe marrëdhëniet me publikun. Oligarkët rusë përfitojnë shërbimet ligjore të studiove më të mira avokatore, si edhe pajtojnë njësitë më të mira të Marrëdhënieve me Publikun, për të kuruar imazhin e tyre.
Abramoviç ka fituar një proces gjyqësor kundër gazetares Katherine Belton, e cila e kishte akuzuar më herët se bleu klubin e Chelsea me urdhër të Putin.
Nga ana tjetër, edhe partia konservatore në fuqi, nuk është jashtë dyshimeve.
“Tor-ët” kanë përfituar tre miliard e gjysëm euro nga financierë rusë, përfshirë 2 milionë nga Lubov Çernukun, gruaja e një ish-ministri të Putin, e cila dy vjet më parë fitoi një ankand të zhvilluar në një festë me çmim 45 mijë stërlina, për të luajtur tenis me kryeministrin Boris Xhonson.
Vetë kryeministri ka lidhje të ngushta me Evgeny Lebedev, manjati rus, pronar i gazetave “Indipendent” dhe “Evening Standard”, gjithashtu edhe djalë i një ish-agjenti të KGB-së.
Lebedev ka ftuar shpesh kryeministrin në vilën e tij në Umbria (Itali) dhe u kandidua për në Dhomën e Lordëve.
Por, tashmë, kësaj bote të artë, mund t’i mbyllet sipari. Boris Xhonson ka mbledhur përfaqësuesit e Qytetit (Londrës), si edhe të kompanive “Goldman Sachs”, “Lloyd’s” dhe “Barclays” për t’i paralajmëruar se seria e ardhshme e sanksioneve kundër interesave ruse duhet “të kafshojë vërtetë”.
A do të sjellë lufta në Ukrainë një “larje hesapesh” në Londongrad?