Në çastin që filloi, herët në mëngjesin e zymtë gri të 24 shkurtit, agresioni kundër Ukrainës i urdhëruar nga presidenti rus Vladimir Putin kishte fituar një pashmangshmëri të bezdisshme. E megjithatë, asgjë rreth kësaj lufte nuk ishte e pashmangshme. Është një konflikt i gatuar i gjithi prej tij. Shumë gjak ukrainas e rus do të derdhet në betejat dhe mjerimin që do të pasojë. Çdo pikë e tij do të jetë njollë në duart e zotit Putin.
Për muaj, ndërsa zoti Putin rrinte në vetminë e tij, duke grumbulluar 190 mijë trupa ruse në kufijtë me Ukrainën, bëhej pyetja: Çfarë kërkon ky njeri? Tani që është e qartë që ai do luftë, pyetja bëhet: Ku do të ndalet?
Të dëgjoje zotin Putin në prag të invazionit, ai do të donte që bota të besonte se nuk do të ndalej para asgjëje. Në fjalimin e luftës, regjistruar më 21 shkurt dhe nxjerrë teksa lëshonte raketat e para kundër sllavëve të tjerë, presidenti i Rusisë kritikoi ashpër “perandorinë e gënjeshtrave” që është Perëndimi. Duke u mburrur me arsenalin e tij bërthamor, ai kërcënoi të shkatërronte çdo vend që i dilte përpara.
Raportet e hershme, disa të pakonfirmuara, vetëm sa nënvizuan shkallën e ambicies së tij. Ka pasur spekulime se presidenti i Rusisë mund të kënaqet me kontrollin mbi Dinjeckun dhe Luganskun, rajonet e Ukrainës lindore me enklava të vogla të përkrahura nga rusët që ishin objekt i diplomacisë së minutës së fundit. Por e gjitha kjo u shemb para agresionit në shkallë të gjerë.
Raportet thanë se forcat tokësore ruse kanë hyrë nga lindja, duke iu drejtuar Harkovit, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës; nga jugu, duke u drejtuar nga Krimea në Herson; dhe nga Bjellorusia drejt Perëndimit, për në Kiev, kryeqyteti. Ishte e paraqitë se me çfarë forcash po lëviznin. Por me sa duket Putin dëshiron gjithë Ukrainën, pikërisht ashtu siç kanë thënë gjatë gjithë kohës raportet e inteligjencës amerikane dhe britanike. Duke vepruar, ai hedhur lënë mënjanë gjithë llogaritjet e rreziqeve dhe përfitimeve politike. Përkundrazi, udhëhiqet nga ideja deluzionale se ka një takim me historinë!
Kjo është arsyeja pse, nëse Putin merr një copë të madhe të Ukrainës, grumbulluesi i tokave nuk do të ndalet për të bërë paqe në kufi. Ai mund të mos sulmojë vendet e NATO-s që dikur ishin në perandorinë sovjetike, të paktën jo fillimisht. Por, i fryrë nga fitorja, do t’i sulmojë me sulme kibernetike dhe luftë informative që janë në pragun e konfliktit.
Në këtë mënyrë Putin do të kërcënojë NATO-n sepse ai beson se NATO kërcënon Rusinë dhe popullin e saj. Në fillim të kësaj jave, shpërtheu kundër zgjerimit të Aleancës drejt lindjes. Më pas, vuri kujën për “gjenocidin” fiktiv që thotë se Perëndimi po sponsorizon në Ukrainë. Putin nuk mundet t’i thotë popullit të tij se ushtria e tij po lufton kundër vëllezërve e motrave të tyre ukrainas që fituan lirinë. Ndaj iu thptë se Rusia është në luftë me Amerikën, NATO-n dhe aleatët e tyre.
E vërteta e pamohueshme është se Putin ka nisur një sulm të paprovokuar kundër një vend fqinjë sovran. Ai është i fiksuar me aleancën mbrojtëse në perëndim të tij. Ai po dëmton parimet që ruajnë paqen në shekullin e 21-të. Prandaj bota duhet ta bëjë të paguajë një çmim të rëndë për agresionin.
Kjo fillon me sanksionet e mëdha ndëshkuese kundër sistemit financiar rus, industrive teknologjike dhe elitës së parave. Para invazionit, kur Rusia njohu dy republikat, Perëndimi imponoi vetëm sanksione modeste. Tani nuk duhet të hezitojë. Edhe pse Rusia është e vendosur të ndërtojë një fortesë ekonomike, vendi ende është i lidhur me botën dhe – siç sugjeron rënia fillestare 45% në bursat ruse – do të vuajë.
E vërtetë, sanksionet do të dëmtojnë edhe Perëndimin. Çmimet e naftës u ngritën mbi 100 dollarë për fuçi pas sulmit. Rusia është furnizuesi kryesor i Evropës me gaz. Ajo eksporton metale si nikeli e paladiumi, dhe bashkë me Ukrainën eksportojnë grurë. E gjitha kjo do të shkaktojë probleme në një kohë kur ekonomia botërore lufton me inflacionin dhe problemet në zinxhirin e furnizimit. E megjithatë, fakti që Perëndimi është gati të vuajë nga sanksionet i dërgon Putinit mesazhin që shqetësohet për aktet e tij.
Një detyrë e dytë është përforcimi i krahut lindor të NATO-s. Deri tani, Aleanca ka kërkuar të jetojë me paktin e nënshkruar me Rusinë më 1997, e cila kufizon operacionet e NATO-s në ish-bllokun sovjetik. NATO duhet ta grisë paktin e të përdorë lirinë që i jep kjo duke mbledhur trupa në lindje. Kjo do të kërkojë kohë. Ndërkaq NATO duhet të provojë unitetin dhe synimet e saj duke dislokuar menjëherë forcën e veprimit të shpejtë prej 40 mijë trupash në shtetet kufitare të Aleancës. Këto trupa do të rritin kredibilitetin e doktrinës së saj se sulmi kundër një anëtari është sulm kundër të gjithëve. Kjo do t’i japë të kuptojë zotit Putin edhe që sa më shumë të synojë në Ukrainë aq më tepër gjasa ka që ta bëjë NATO-n të përforcohet në kufijtë e saj, pikërisht e kundërta e asaj që ai synon.
Dhe bota duhet ta ndihmojë Ukrainën të mbrojë veten dhe popullin e saj. Ata do të kenë barrën e vuajtjes. Vetëm pak orë pas sulmit erdhën raportet e para të vdekjeve në civilë e ushtarakë. Presidenti Volodimir Zelenski u bëri thirrje bashkatdhetarëve të tij të rezistojnë. Ata duhet të zgjedhin si e ku të zmbrapsin Putinin dhe ushtritë e përfaqësuesit e tij, nëse ai vendos të instalojë një qeveri kukull në Kiev. NATO nuk do të dislokojë trupa në Ukrainë – e me të drejtë, për shkak të frikës së konfrontimit midis dy fuqive bërthamore. Por anëtarët e saj duhet t’i japin ndihmë Ukrainës duke i dhënë armë, pará dhe strehë për refugjatët dhe, nëse do të jetë nevojë, për qeverinë në azil.
Disa mund të thonë se është me shumë rrezik ta sfidosh Putinin në këtë mënyrë – sepse ai ka humbur kontaktin me realitetin, ose sepse ai mund të përshkallëzojë, miskalkulojë, apo përqafojë Kinën. Vetë ky do të ishte një miskalkulim. Pas 22 vjetëve në krye, edhe një diktator me sens të mbizhvilluar për fatin e tij ka nuhatje për mbijetesë dhe luhatjet e pushtetit. Shumë rusë, të paqartë për krizën që erdhi nga hiçi, mund të mos entuziazmohen nga lufta vdekjeprurëse kundër vëllezërve e motrave të tyre në Ukrainë. Kjo është diçka që Perëndimi mund ta shfrytëzojë.
Ta lesh të qetë Putinin me shpresën se do të nisë të sillet mirë do të ishte edhe më e rrezikshme. Edhe Kina duhet ta shohë që një person që shkel me këmbë kufijtë është kërcënim për stabilitetin që kërkon. Sa më i lirë të lihet Putin për të avancuar sot, aq më i vendosur do të jetë për të imponuar vizionin e tij nesër. Dhe aq më tepër gjak do të derdhet për ta ndalur. / Përgatiti SYRI.net/