Nga BoldNews.al
“Gjykata çmon se ka dyshime të arsyeshme që shtetasja Brunilda Bekteshi nuk ka pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për të blerë një apartament në vitin 2007 dhe për këtë arsye, Prokuroria duhet të hetojë më tepër”.
Në këtë mënyrë, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale (SPAK) për pushimin e hetimeve ndaj komisioneres së Vetingut.
Sipas gjykatës, bazuar në dokumentat e paraqitura nga Prokuroria, rezulton se Bekteshi dhe familja e saj kanë jetuar për disa vite me një kosto prej 8700 lekë të reja në muaj, një shifër e cila është jo-logjike për nivelin ekonomik të vendit.
“Boldnews.al” ka siguruar vendimin e plotë të gjyqtarit Erion Bani, i cili i ka lënë prokurorit të çështjes të paktën 30 detyra për t’i plotësuar brenda një afati 3-mujor, përpara se të vendosë përfundimisht nëse do të kërkojë sërish pushimin e hetimeve penale ndaj komisioneres Bekteshi apo do të kërkojë marrjen e saj si të pandehur për “Deklarim të rremë” të pasurisë.
Ky raportim është pjesë e ciklit të nisur nga redaksia mbi individët, për të cilët Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë zgjatjen e mandatit deri në Dhjetor të vitit 2024.
***
Në vitin 2020, dy ish-magjistratë, prokurorët Bujar Hoti e Gentian Trenova, ky i fundit në cilësinë e drejtuesit të shoqatës “Drejtësi për Drejtësi”, dorëzojnë në SPAK kërkesën për ndjekje penale ndaj anëtares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Brunilda Bekteshi.
Hoti e kallëzoi Bekteshin për “falsifikimin e dokumentave” për përvojën 15-vjeçare në punë, një prej kritereve bazë për emërimin në institucionet e Vetingut. Për këtë kallëzim, gjykata pranoi kërkesën e prokurorit për pushimin e hetimeve.
Ndërsa Trenova, e kallëzoi komisioneren Bekteshi për “deklarim të rremë të pasurisë”, lidhur me burimin e blerjes së një apartamenti në vitin 2007, si edhe për një kredi të marrë për këtë apartament, dy vjet më pas, në 2009.
SPAK kërkoi nga gjykata që të pushonte edhe këtë akuzë. Por, për GJKKO, hetimi i prokurorisë për këtë kallëzim është i paplotë dhe urdhëroi vijimin e hetimeve.
Pikëpyetjet mbi pasurinë
Brunilda Bekteshi u zgjodh anëtarë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Qershor 2017.
Në deklaratën e pasurisë “para fillimit të detyrës”, ajo deklaron ndër të tjera se ka në bashkëpronësi me bashkëshortin një apartament, me sipërfaqe 75 m2, blerë në dhjetor 2018, me vlerë 54 mijë euro.
Si burim për blerjen e apartamentit ka deklaruar kursime familjare dhe një kredi bankare, të marrë në Janar 2009.
Bekteshi, në një Memo drejtuar Prokurorisë, deklaron se këtë apartament e ka blerë me vlere 3.1 milionë lekë të reja.
Lidhur me kredinë ajo ka deklaruar se, në fund të vitit 2008, ka menduar të blejë një apartament tjetër, me sipërfaqe 2+1, me vlerë 54 mijë euro dhe për këtë arsye ka nënshkruar kontratë porosie me një kompani ndërtuese.
Në funksion të kontratës së porosisë, të nënshkruar në dhjetor 2008, Bekteshi dhe bashkëshorti i saj kanë marrë kredi në NBG Bank.
Por, ndërkohë që kanë marrë kredinë, bashkëshortët Bekteshi kanë revokuar kontratën e porosisë për apartamentin 2+1, pasi, sipas saj, objekti kishte pasur probleme me persona të tretë.
Ajo deklaron gjithashtu se shumën e parave për kredinë, e ka përdorur për punime në apartamentin 1+1, të cilin, siç shprehet para prokurorisë, e ka blerë në shumën 3.1 milionë lekë.
Gjykata, pasi shqyrtoi aktet e dosjes, përfshirë edhe kontratat e administruara në kuadër të hetimit penal, ngre dyshimet se shtetasja Brunilda Bekteshi mund të ketë kryer veprën penale të “deklarimit të rremë”, gjë për të cilën kërkon më shumë angazhim procedurial nga SPAK-u.
Dyshimet për “deklarim të rremë të pasurisë”
Gjykata ka administruar një kontratë për blerje apartamenti 1+1, me sipërfaqe 75 metra katrorë, të nënshkruar nga Bekteshi në dhjetorit 2007, pra një vit para asaj që është shënuar në formularin e pasurisë.
Sipas asaj kontrate, Bekteshi ka “blerë apartamentin 75 metra katrorë me çmim 3.1 milionë lekë të reja dhe shuma është likujduar jashtë zyrës noteriale. Shitësi deklaron se i ka marrë të hollat”.
Pra, siç konstaton gjykata, “apartamenti është blerë në Dhjetor 2007 dhe jo në Dhjetor 2008, sikurse është deklaruar në formularin e pasurisë. Po ashtu, ai nuk është blerë me kredi në vlerën 54 mijë euro, por pagesa është bërë në shumën 3.1 milionë lekë, e cila është likujduar para nënshkrimit të kontratës”.
Gjithashtu, gjatë hetimeve paraprake, SPAK-u ka administruar dokumentacionin mbi të ardhurat ndër vite të Brunilda Bekteshit dhe bashkëshortit të saj, me qëllim identifikimin e burimeve financiare për blerjen e apartamentit.
Bazuar në përllogaritjet e kryera nga gjykata, referuar të ardhurave të mbështetura në dokumentacion ligjor, si edhe duke përfshirë edhe shpenzimin për blerjen e apartamentit, rezulton se familja Bekteshi e përbërë nga 3 anëtarë në atë kohë, “ka pasur në dispozicion mesatarisht 98.067 lekë në vit ose 8172 lekë në muaj”.
Referuar këtyre të dhënave, Gjykata ngre “dyshime të arsyeshme se shtetasja Brunilda Bekteshi nuk ka pasur burime të mjaftueshme të ligjshme për blerjen e apartamentit”.
Po ashtu, referuar dokumentacionit të dorëzuar nga SPAK-u, gjykata konstaton se Bekteshi dhe bashkëshorti i saj nuk kanë pasur mundësi financiare as për të paguar 16.500 euro, shumë e cila u përdor si këst i parë për kontratën e porosisë për apartamentit 2+1.
Megjithëse kontrata për blerjen e atij apartamenti nuk u finalizua, bashkëshortët Bekteshi gjithësesi deklarojnë se kishin paguar 16.500 euro parapagim, të cilat u janë kthyer pas me revokimin e kontratës së porosisë.
Por, për gjykatën, rezulton se Brunilda Bekteshi i ka paguar këtë shumë, ndërkohë që ajo nuk e justifikon krijimin e vlerës me burime të ligjshme, sipas dokumentacionit që është administruar në hetimet paraprake të SPAK-ut.
Në vijim, Gjykata rrëzon prokurorinë, e cila i ka justifikuar Brunilda Bekteshit një shumë prej 50 mijë dollarësh, të deklaruar nga komisionerja si një e ardhur e bashkëshortit të saj në vitin 1997.
“Gjykata çmon se gjatë hetimeve paraparake nuk është dorëzuar asnjë dokument për të justifikuar burimin e këtyre të ardhurave”, shprehet gjykata.
Për të kryer një hetim sa më të plotë, Gjykata e Posaçme urdhëron prokurorin e çështjes që të kryejë një sërë veprimesh të tjera hetimore, përfshirë edhe ekspertimin financiar mbi nivelin e të ardhurave të komisioneres Brunilda Bekteshi.