Lideri historik i PD, Sali Berisha tha sot se deputeti Lulzim Basha i ka kërkuar ambasadores Yuri Kim që ai të mos shpallej non grata përpara zgjedhjeve të 25 prillit, pasi do të humbiste 200-300 mijë vota.
Në emisionin ‘Dekalog’ në RTSH, Berisha tha se vërtetësinë e një gjëje të tillë ia kanë konfirmuar dy burime nga Uashingtoni.
Ish-kryeministri akuzon Lulzim Bashën se ka gisht në vendimin e marrë pa prova nga DASH dhe nën lobimin e George Soros.
“Kam qenë personi që i kam thënë (Bashës) që mund të mos kandidoj. Kjo është njëra anë. Ana tjetër, më thonë që, ai ka kërkuar, pasi ka qenë pjesë e kësaj loje, që të mos më shpallnin (non grata) para zgjedhjeve, sepse humbas 200-300 mijë vota. Mua më erdhën nga burime direkt nga Uashingtoni. Më thanë se ky, i thotë Guvernatores që unë çdo vendim e marr të diktuar nga Berisha, në një kohë kur gazetarëve u thoshte i marr vetë vendimet, pa Berishën. Më thanë dy burime nga Uashingtoni. Por unë nuk u mora me këtë punë.
Pasi u shpalla non grata, më thotë ky, më thotë ambasadorja që Berishën e kemi paralajmëruar për këtë non grata. S’ishte kurrë e vërtetë. Ma tha sërish, atëherë i them, të vetmet gjëra që më kanë thënë nga Uashingtoni janë këto, këto, gjërat që ata më thanë. U përtyp, por për mua s’kishte rëndësi. Rëndësi ka ai që firmos pa verifikuar gjërat. Kundërshtari mund të thotë çdo gjë për ty, por ato verifikohen. Basha ka kërkuar që të mos shpallesha non grata para zgjedhjeve, ka thënë se do të humbas 200-300 mijë vota”, u shpreh Berisha.