Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u gdhi në burgun 313 këtë të Shtunë pas vendimit të djeshëm të Apelit të GJKKO, që e dënoi me 3 vite e 4 muaj burgim për shpërdorim detyrë.
Mediat kanë risjellë në vëmendje fjalimin e mbajtur nga kryeministri Edi Rama në vitin 2017, kur prokuroria kërkonte nga parlamenti heqjen e imunitetit të Tahirit dhe arrestimin e tij.
Në fjalën e mbajtur para grupit parlamentarë të PS asokohe, Rama njoftoi përjashtimin e Tahirit nga strukturat e PS. “Unë e dua Saimirin, por sot dua më shumë drejtësinë të më tregojë të vërtetën”, do të shprehej ai mes të tjerash.
***
Fjala e plotë e Ramës para grupit parlamentarë të PS
A është i pafajshëm Saimir Tahiri?. Në Shqipëri, pas prindërve të tij, i pari një njeri që do të besojë pafajësinë e tij, jam unë. Por ndryshe nga nëna dhe babai i Saimirit, nuk jam prindi i tij. Qyshse u bëra kryeministër kam komunikuar me Saimir Tahirin më shumë se me tim bir.
Në tetë vite në opozitë, ishte njeriu i parë që hyri në PS pas meje pasi u bëra kryetar. Kishte qenë vullnetar në fushatën e 2003, dhe më solli një e-mail ku propozonte reformimin e PS. Ai u bë zëdhënësi i ri i partisë me një dërrasë të zezë, me të cilën shkruante me shkumës para kamerave faktet korruptuese të qeverisë. I ngjiti shkallët një e nga një, për meritat e tij u zgjodh Ministër i Brendshëm. I dhashë besimin si gjithë të tjerëve, por siç tregoi koha atij iu desh më shumë se të tjerëve. Nuk i ndërhyra asnjëherë për zgjedhjen e bashkëpunëtorëve, i kam miratuar pa ngurrim kandidaturat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Çdo mesazh të qytetarëve, përmes telefonit, ia kaloja ministrit. Nuk mbaj mend të kem folur në katër vjet me një drejtor policie apo shef komisariati në telefon, as kam takuar ndonjë prej tyre përveç se në takime pune në prani në ministrit.
Për herë të parë në historinë e tranzicionit Policia e Shtetit nuk ishte mish për të ushqyer oreksin. Asnjë Ministër i Brendshëm nuk kishte pasur kaq shumë në dorë. Unë mbroja idenë se nuk bëhej shtet nëse bëheshin telefonata nga të katër anët. Por gjithashtu se për të ringritur Policinë e Shtetit të shkatërruar, duhet të kishe mandatin e plotë. Është e vërtetë ajo që Saimiri e përsërit. Ishte Ministri më jetëgjatë në atë dikaster pas komunizmit. Por jo sepse ishte njeri afër meje, por sepse të gjithë ne i dhamë besim të jashtëzakonshëm. Nuk ia kursyem mbështetjen sa herë ishte e nevojshme për ta drejtuar Ministrin e Brendshme si drejtuesi i pakontestuar brenda nesh i projektit më ambicioz në këto 27 vjet për të ndërtuar Policinë e Shtetit. Sot nuk është dita për të renditur sa shumë fituan njerëzit nga kjo linjë e re jo tradicionale.
Çfarë do të bëjmë me kërkesën e prokurorisë, që kërkon deri edhe arrestimin e Saimir Tahirit. A është i pafajshëm Saimir Tahiri? Shumëkush e kërkon këtë përgjigje nga unë, çfarë mendoj unë, cili është mendimi im i sinqertë përballë kësaj pyetjeje. Ky është një rast atipik, ku unë gjendem në një situatë atipike për shkak se Saimir Tahiri nuk ishte një ministër i qeverisë sime. Ai ishte ministri më i ekspozuar i qeverisë time. Ministri i Brendshëm perceptohej nga të gjithë, jo pa arsye, si bashkëpunëtori im më i ngushtë.
Unë nuk shihem sot si kryeministri i radhës, në raport me një deputet të radhës. Por shihem në mënyrë të kuptueshme, si njeriu i tij më i afërt, në katër vite me suksese por edhe me gabime të pamohueshme. Kam detyrim ndaj opinionit publik, që të mos mjaftohem me fjalim të së drejtës. Jam i detyruar të flas sot, sa më qartë, jo për të vërtetën e Saimir Tahirit, përballë të vërtetës sime a është i pafajshëm Saimir Tahiri.
Pas akuzave të prokurorisë, dhe një paraqitjeje komike që do kishte rrëzuar mister Binin, kjo pyetje duket e kotë. Shumë presin që unë ti bashkohem rrymës pro Saimir Tahirit, kundër një gjyqi fars që i ngjan një skenari të një amatori inatçi. I jam bashkuar atij haptazi dhe ngulazi kur ishte ministër dhe i bëhej i njëjti gjyq nga prokuror dhe gjykatës të veshur deputet. Gjithë sa keni parë është një kopje surrogato i një gjyqi politik që e kemi parë katër vite në parlament. Do mbetet gozhdë në mendjen time, deri kur të marr përgjigje a është i pafajshëm. Përgjigjen e Saimirit e kam dëgjuar edhe sy më sy, edhe në publik. Është e njëjta si e ka dëgjuar e gjithë Shqipëria? Me makinën kam gabuar, por pa asnjë qëllim duke mos menduar për pasojat. Asnjë nga të tjerat nuk është e vërtetë. Zero. Këto janë fjalët që kam dëgjuar unë. Por sot nuk më mjafton përgjigja e Saimir Tahirit, nuk mjaftohem me fjalën e tij sepse akuzat nuk ziejnë vetëm në kazanin e politikës dhe medias, por janë gatuar nga Prokuroria.
Shumë mund të thonë se jo e lëshoi Saimirin tonë, jo e lëshoi Saje Qorrin e tij. Nuk më intereson. Për mua nga çasti i pari, sot dhe deri kur të dalë e vërteta nuk ka rëndësi në këtë histori se përgjigja; A është i pafajshëm Saimir Tahiri?
Kësaj pyetjeje nuk i iki asnjëherë. Boll e kam bërë avokatin e Saimir Tahirin në gjyqet e sheshit tonë mediatik dhe politik. E kam bërë pa ma kërkuar asnjëherë, dhe më vjen mirë që nuk ma ka kërkuar as këtë herë. E kam bërë me besim të plotë dhe pa dyshuar kurrë në integritetin e tij.
E kam bërë për pasionin që kam për të ndryshuar Shqipërinë. A jam pishman sot? Jo, nuk kam si të jem pishman. Unë uroj se të mos e kem pishmanin e jetës sime politike gjithë sa i kam dhënë dhe gjithë sa kam marrë nga Saimir Tahiri që kur hyri në Partinë Socialiste në vite të tëra betejash. Me shumë prej jush nuk kam folur në këto ditë mbushur me budallallëqe, prandaj ditën që Tahiri pajtoi një avokat, detyra jonë për ta mbrojtur ka marrë fund. Kjo parti nuk do të bëhet mburoja e askujt përballë drejtësisë.
Unë e dua Saimirin, por sot dua më shumë drejtësinë të më tregojë të vërtetën. Për të shkuar tek e vërteta Saimir Tahiri nuk mund të burgoset, por duhet të hetohet në të gjitha mundësinë që parashikon Kodi Penal. Ne do të mbikëqyrim këtë proces siç kemi bërë me të gjithë.
Saimiri do të jetë një deputet i lirë për të bërë betejën e tij, jashtë forumeve të Partisë Socialiste dhe jashtë Grupit Parlamentar të kësaj partie. Nëse Prokuroria sjell prova dhe vjen këtu me fakte, se sipas saj duhet t’i hapë rrugë arrestimit, Komisioni i Mandateve do të mblidhet dhe do ta ngremë dorën pa asnjë rezervë. Siç do të ngremë dorën të mërkurën kundër arrestimit të Tahirit.