“Lulzim Basha është mësuar vetëm me dhurata. Është tejet i llastuar dhe tërësisht jashtë realitetit. Fundi i tij politik është i qartë”.
Kështu u shpreh presidenti Ilir Meta gjatë intervistës për A2, duke komentuar zhvillimet brenda PD.
“Lulzim Basha ka tradhëtuar të gjitha kauzat e opozitës, në bashkëpunim të plotë me Qeverinë. Tradhtarin kushdo mund ta përdorë, por askush nuk e do”, tha kreu i shtetit.
Meta tha nuk mund të quhet lider dikush që blindon selinë dhe takimet ia organizojnë forcat e policisë.
“Basha lider? Si mund të quash lider dikë që blindon selinë dhe aktivitetet ja organizon FNSH-ja?”
Pjesë nga intervista
Pyetje: Zoti President, kush është populli i 2 Marsi, kush e përbën atë? Në atë kohë kur ju, e keni organizuar manifestimi, kishit paralajmëruar një marshim që në 8 dhjetor, por për shkak të tragjedisë së tërmetit e zhvilluat në 2 Mars. A ishte opozita populli i 2 Marsit, që morrën pjesë, sepse ishte koalicioni me zotin Basha, Kryemadhin, Idrizi, Dule?
Presidenti Meta: Populli i 2 Marsit është populli i Kushtetutës. Është populli patriot, i cili mbron Kushtetutën, sovranitetin e Republikës, sovranitetin e vetë qytetarëve. Populli i 2 Marsit ka një kontribut shumë të rëndësishëm, sepse falë reagimit të tij të jashtëzakonshëm në një manifestim po kaq të jashtëzakonshëm dhe paqësor si rallë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Ai popull dha një mesazh të qartë, për të mos bërë lojëra me ligjin e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Lana, që kishte çuar mazhoranca në mënyrë të njëanshme dhe të pabesë në Kuvendin e Shqipërisë. Ky është një popull i jashtëzakonshëm, dhe nuk është një popull që mund ta profilizosh, apo etiketosh si popull i kësaj force politike apo i një force tjetër.
Populli i 2 Marsit është popull i sovranitetit, dinjitetit, demokracisë dhe i së ardhmes.
Pyetje: Kur ju shpallet, se do të bënit këtë marshim në datën 8 dhjetor në Ditën e Rinisë, ky manifestim zakonisht është organizuar nga demokratët, të cilët e kanë shpallur dhe festë kombëtare. A kishit ju në atë kohë një zemërim me Lulzim Bashën në vitin 2019?
Presidenti Meta: Kur flasin për 8 dhjetorin, unë jam student i Lëvizjes së Dhjetorit, jam një nga 30 studentët dhe pedagogët që përfaqësuan Lëvizjen Studentore të dhjetorit në takimin me Presidentin e asaj kohe, në ditën kur ai, u detyrua të pranoj kapitullimin e Partisë së Punës dhe të atij regjimi dhe pranoi pluralizmin politikë. Kështu që 8 dhjetori për mua, nuk është nuk dita që ka të bëjë thjeshtë me një subjekt të caktuar politikë. Pavarësisht se forca e parë politike që u krijua ishte Partia Demokratikë. 8 dhjetori është dita e pluralizmit, e demokracisë është dita e të gjithëve, dhe si e tillë është dhe Dita e Europës
Pyetje: Nuk kishte një lloje karshilliku ndaj Lulzim Bashës në atë kohë?
Presidenti Meta: Po për çfarë arsye, do bëja unë karshillëk ndaj zotërisë në fjalë! Cila ishte arsyeja?
Unë zotërisë i thashë mos ik nga Parlamenti, i kam thënë mos bojkoto Reformën në Drejtësi, i kam thënë mos bojkoto zgjedhjet vendore.
Zotërisë kur futi Shqipërinë në konflikt edhe m’u lut për të shpallur datën të re për zgjedhje, se donte të hynte në zgjedhje, e zgjodhi vetë datën 13 tetor dhe nuk pranoi të regjistrohej në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ky bojkot nuk i shërbente as atij, dhe as Presidentit por i shërbente vetëm Edi Ramës, për të thënë që çfarë zgjedhje do bëjmë ne në 13 tetor, kur vetë Partia Demokratike nuk regjistrohet në KQZ!
Pyetje: A ju kishte premtuar që do të regjistrohej zoti Meta?
Presidenti Meta: Caktoi datën ai, sepse zoti Rama e kishte 30 qershorin siç e kishin bërë marrëveshjen më përpara e donte pa opozitë pushtetin lokal totalisht. Ky bëri sikur caktoi 13 tetorin, për t’i dhënë justifikim të vetëve që ne do shmangim tani këtë përplasje se ne do bëjmë 13 tetorin. Pastaj vazhdoi atë pushimet e tij në Holandë dhe kur erdhi momenti për tu regjistruar nuk u regjistrua. U regjistrua Partia Republikane, Parti Agrare dhe LSI, po ky nuk mund të regjistrohej se nuk e linte Edi Rama. Pse? Që ti thoshte dhe Bundestagut që kërkuan zgjedhje pluraliste për çeljen e negociatave në 20 tetor bashkë me Maqedoninë e Veriut, e cila sapo kishte arritur marrëveshjen historike të Prespës, nuk kemi zgjidhje sepse PD nuk regjistrohet. Ta pranojmë këtë situatë dhe ta bëjmë fakt të kryer, kur të bëhet Gjykata Kushtetuese të shohim dhe të dëgjojmë dhe siç kanë ardhur të gjitha zhvillimet për Shqipërinë. Ne, jemi ndoshta i vetmi vend në botë që nuk kemi asnjë këshilltar opozitar në pushtet vendor. Me një pushtet që ka të bëje me 3 milion qytetar dhe jo vetëm ata që votojnë.
Pyetje: Si do t’i përgjigjeshit Lulzim Bashës, në atë që e ka konsideruar në fakt dhe gjatë një materiali që ka shpërndarë zyra e shtypit ditën e sotme, që nuk e konsideron më Berishën, po thotë Meta dhe Rama, duke e konsideruar marrëveshjen me LSI-në, si një dhuratë, që Sali Berisha, paska pasur ndërmend që t’i japë PD, Ilir Metës.
Presidenti Meta: Ai është mësuar, vetë të marri dhurata, ai është mësuar t’i bëjnë dhurata edhe e ka mendjen vetëm tek dhuratat. Është tejet i llastuar, por është edhe tërësisht jashtë realitetit dhe sigurisht që fundi i tij politik është i qartë. Një njeri që ka tradhtuar çdo kauzë, një njeri që ka çuar vite mbrapa vendin, duke asgjësuar opozitarizmin dhe duke i shërbyer si fasadë, herë me ekstremizimin e tij fals dhe artificial dhe herë me bashkëpunimet e hapura të qeverisë në pushtet.
Pyetje: Bashkëpunëtorët e zotit Basha që tashmë janë të pozicionuar në Komisionin e Rithemelimit, në fakt janë shprehur që zoti Basha tentoi të ndërtonte profilin e vet si autokrat, që nga protesta në çadër 3–mujore në 2017, por ju e përjashtoni zotin Basha nga profili i një autokrati. Pse?
Presidenti Meta: E përjashtoj unë zotin Basha?
Pyetje: Sikurse jeni shprehur në intervistat e fundit, që nuk është autokrat, por është i llastuar, është mësuar që ti ketë…
Presidenti Meta: Unë nuk kam thënë që është autokrat, nuk është lider. Autokratët kur kanë vulën dhe kanë atë, firmosin është tjetër çështje, tjetër gjë.
Unë kam thënë që nuk është lider sepse lideri merr vendime, merr përgjegjësi, jep dorëheqje, lideri votohet, lideri votëbesohet, lideri ka mjete politike për të ndihmuar forcën e vetë, për të ndihmuar vendin. Lider që mbyllesh me brava dhe nga kush? Lider të blindosh partinë nga kush, përse? Lider të thuash që nuk do të ketë kuvend dhe pastaj kur të tjerët mbledhin firmat, thua unë do të bëj një kuvend tjetër, ku ka ndodhur kjo? Është e qartë që aty ka pasur një dualizëm, që e ka pranuar ai vetë. Në qoftë se ka pasur dualizëm është faji i tij. Si mund të rrish ti 8 vjet të të dualizojë dikush tjetër? Respektoje, tregoji vendin, në kuptimin e mirë të fjalës, do të rrish këtu rri, nuk do të rrish këtu. A ke konflikt me mua hajde pajtohemi, kjo është demokracia, vota e lirë.
Kjo i zgjidh krizat. Nuk zgjidhet kjo situatë, aktivizo gjithë FNSH-në, Forcat Speciale për të ndjekur njëri-tjetrin, se nuk është normale. Momentin që ty aktivitetin politik, ta organizon Qeveria, ta organizon Policia e Shtetit, ka përfunduar gjithçka, këtu nuk ka më politikë. Edhe është për të ardhur keq që kemi arritur në këtë situatë. Sepse opozita duhet të jetë shembull i votës së lirë, duhet të jetë një shembull i përfshirjes së qytetarëve. Ke premtuar primare kaq vite, përse nuk i bën, kush të pengoi, kush e ka penguar? Zotëria tjetër i premtoi në shtator, i bëri në janar. Mund të ishin bërë më mirë, nuk ka rëndësi është çështje tjetër. Thonë i ka shpallur Presidenti në 6 Mars, se do të vejë në situatë të vështirë këta, jo zotëri, ti nuk humbet asgjë nga kjo. Ti nuk humbet asgjë, sepse e vetmja bashki që ka opozita për shkak të rrethanave të caktuara është Bashkia e Shkodrës.
Ne e dimë që kryetarja e Bashkisë së Shkodrës zonja Voltana Ademi, një grua e jashtëzakonshme, që ka përballuar presione të jashtëzakonshme nga të gjitha drejtimet dhe ajo kaloi me foltoren. Nëse dikush nga opozita, nuk ka se çfarë të humbasë, kjo është Foltorja, apo lëvizja e rithemelimit, ky nuk ka çfarë të humbasë dhe tani përse ankohet? Unë nuk mund t’i lë qytetarët pa votuar, kur çështja e zgjedhjeve të përgjithshme vendore mori fund, për shkak të qëndrimit që mbajti Gjykata Kushtetuese dhe kjo është çështje e saj. Në 6 qytete, 6 bashki të rëndësishme të vendit, ne kemi një situatë të tillë. Unë, dëgjova dikë që kishte thënë, përse do të harxhojmë ne, kaq lekë për të bërë zgjedhjet vendore edhe për një vit? Të shkojnë të pyesin në ndonjë bashki, se nuk dua të flas për bashki konkrete, sesa fonde abuzohen dhe shpërdorohen, vetëm për çështjen e mbetjeve. Kështu që për një vit e ca, padyshim duhet të ketë një kujdes të madh dhe ata, që janë në krye të këtyre bashkive të votojnë qytetarët, për kë të duan. Ky nuk është interesi dhe shqetësimi i Presidentit Ilir Meta dhe as Ilir Metës, kjo është çështje e tyre. Të zgjedhin më të mirin, më me integritet.
Pyetje: Ju u shprehët edhe mbrëmë gjatë një interviste, që fillimisht zoti Basha fliste në emër të gjermanëve, tani flet në emër të amerikanëve. A nuk ka brumë le të themi për ti ndërtuar këto akuza zoti Basha, kur flet në emër. Vetë trupi diplomatik a nuk duhet të reagojë, që të mos përdoret le të themi?
Presidenti Meta: Kjo nuk është çështja ime, unë flas në emër të Kushtetutës në emër të qytetarëve shqiptarë dhe mendoj që çdo politikan, duhet të flasë në emër të disa parimeve, që kanë të bëjnë me demokracinë dhe detyrimet, që kanë të bëjnë me qytetarët shqiptarë.
Pyetje: Po tjetër e gjykojnë dhe duke qenë protagonist në lojë secili prej tyre dhe zoti Basha që ju karakterizon si trekëndëshin e Bermudës, për të cilën ju keni folur, zoti Rama, zoti Berisha, dhe ju, ndërkohë që Lulzim Basha është përballë jush. Por pikërisht në këtë atmosferë, duke pasur dhe një garë elektorale në këto 6 bashki. Si e konsideroni faktin që zoti Basha, thuajse nuk i përmend këto zgjedhje?
Presidenti Meta: Nuk është çështja ime. Ndoshta ai i konsideron të parëndësishme, se në nivel lokal dhe është e drejta e tij. Nuk kam asnjë arsye të bëj komente për këtë çështje.
Pyetje: Sa më shumë qëndroni në politikë, e kam në përgjithësi, jo vetëm për ju, bëheni lojtarë më të zotë të politikës. A ka një fund kjo?
Presidenti Meta: Mendoj se në politikë, secili duhet të qëndrojë, për aq kohë sa beson tek demokracia, sa beson tek vota e lirë. Dhe për aq kohë sa e ndjen që ka njerëz që besojnë tek ai dhe ai është i detyruar ti përgjigjet besimit të tyre. Me pahir askush nuk duhet të qëndrojë, as me procedura dhe as me imponime. Unë jam një politikan, që në jetën politike kam qëndruar duke u votuar, kam qëndruar duke bërë akte politike, duke bërë dorëheqjen në momente të caktuara për të zgjidhur kriza të ndryshme. Duke zhbllokuar proces të ndryshme dhe pse nuk mund të ketë qenë përgjegjësia ime, në interes të integrimit evropian, apo në interes të zgjidhjes së një Presidenti konsensual, apo në interes të marrëveshjeve që i kanë shërbyer vendit.
Për aq kohë sa t’i ndjen që ke besim nga njerëzit dhe ata të përkrahin dhe ndjehesh i detyruar ndaj tyre, nuk ka asnjë arsye përse të mos angazhohesh në politikë. A do të doja unë të isha ambasador në Danimarkë, ju siguroj që po. A do të doja të isha ambasador në Suedi, padyshim që po. Por në këtë situatë që është vendi, jam i sigurt që shumë qytetarë, por në mënyrë të veçantë, shumë prej tyre që kanë besuar tek unë, që më kanë përkrahur dhe që do të ndjeheshin të pa përfaqësuar, të pambrojtur nga dikush tjetër, në ato çështje që unë kam besuar, se ata besojnë, apo ndjejnë, do të thoshin që ky na braktisi, ky shikon punën e vet, po shikon komoditetin e vet. Dhe unë nuk dua kurrë t’i tradhtoj përkrahësit, t’i tradhtoj shqiptarët në tërësi, sepse më mirë të jesh i tradhtuar, se sa të jesh tradhtar. Tradhtarin kushdo mund ta përdorë, por askush nuk e do.