Procesi i rivlerësimit për ish-drejtuesin e Prokurorisë së Matit, Hysni Vata ekspozon trajtimin e padrejtë nga ana e organit të akuzës, të minatorëve të dëmtuar dhe të atyre që kanë humbur jetën në aksidentet e përsëritura të ndodhura në minierat e Bulqizës.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK e shkarkoi prokurorin Vata më 9 shtator 2019, pasi gjeti shkelje në dy prej kritereve të rivlerësimit, profesionalizmit dhe pasurisë, si dhe u konkludua se kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësisa. Vendimi i arsyetuar i KPK-së zbardh një skemë të përsëritur në hetimet për aksidente në punë, sipas të cilave faji u mbetet viktimave. Gjashtë dosje të studiuara prej Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM tregojnë se hetimet pushoheshin pa verifikime të plota, pa pyetur të plagosurit dhe gjithmonë duke ia lënë fajin viktimave.
Edhe në analizën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA evidentohet e njëjta situatë, ku pretendimet në ankimin e ish-prokurorit Vata janë çmuar të pabazuara dhe janë rrëzuar, duke lënë në fuqi vendimin e shkarkimit të tij nga detyra.
Trupi gjykues i Kolegjit vëren se në çështjet penale të trajtuara në kriterin e profesionalizmit, në të cilat janë evidentuar probleme në drejtim të arsyetimit ligjor dhe njohurive ligjore të subjektit, lidhen me hetimin e veprave penale të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë.
Pa kryer hetime të plota për këto çështje, Vata ka vendosur pushimin ose mosfillimin e procedimit penal, duke përcaktuar se përgjegjësia për aksidentet e ndodhura në ambientet e punës në minierat e Bulqizës, ka qenë në të gjitha rastet e viktimave të aksidenteve, duke shmangur nga hetimi dhe përgjegjësia e mundshme subjektet minerare.
“Punonjësit e minierave kanë rezultuar pala më e dobët në marrëdhëniet e punës, por edhe në procedimet penale, pasi subjekti i rivlerësimit me vetëdije, duke ditur njohuritë e kufizuara të tyre dhe pamundësinë financiare për të ndjekur rrugën ligjore për të ankimuar çështjen, nuk ka hetuar mbi ekzistencën e kontratave të punës, kushtet e sigurisë teknike dhe shëndetit në punë, sipas legjislacionit në fuqi, dhe ka vendosur mosfillimin e procedimit përkatës penal, pa pritur ardhjen e aktit të ekspertimit tekniko-minerar, duke vepruar në kundërshtim me misionin e organit të akuzës, për të zbuluar të vërtetën[…]”, konkludon KPA.
Duke mos hetuar për vendosjen para përgjëgjesisë të shkelësve të vërtetë të ligjit, subjekti i ka bazuar konkluzionet e tij në analiza sipërfaqësore dhe ka arritur konkluzione të njëjta duke fajësuar viktimat, që sipas KPA janë konstatime të mjaftueshme për penalizimin e Vatës në kriterin profesional.
Në vlerësimin e Kolegjit, gjykimi dhe qëndrimi i subjektit të rivlerësimit në këto çështje të shqyrtuara prej subjektit, konsiderohet se ka rrezikuar apo cënuar të drejtat e qytetarëve.
Vata nuk ka arritur të kundërshtojë as konkluzionet për pasurinë dhe janë rrëzuar pretendimet e tij për mosdhënien e mundësisë për tu mbrojtur për figurën; shkaqet e ngritura për mos ofrimin e një procesi të rregullt ligjor në KPK, si dhe nuk është pranuar kërkesa për kalimin e çështjes për gjykim në seancë publike në Kolegj. Ndërkohë KPA e gjen të padrejtë vlerësimin tërësor të çështjes nga Komisioni në kuadër të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.
Ashtu si KPK dhe Kolegji vlerëson se Vata nuk ka justifikuar dot burimet që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 91.34 m2 në Tiranë, si dhe është vlerësuar i pabazuar pretendimi se ka pasur burime të ligjshme për krijimin e gjithë pasurive që zotëron, pasi vlera totale e të ardhurave familjare në vite është më shumë se trefishi i vlerës së tyre.
KPA vëren se të ardhurat neto të familjes së subjektit nuk janë sa trefishi i pasurisë neto të që ai zotëron. Pavarësisht këtij përfundimi, trupi gjykues vlerëson se kontrolli i kriterit të pasurisë nuk mund të jetë në asnjë rast një përllogaritje e thjeshtuar e raportit të vlerës së të ardhurave neto në total dhe vlerës totale të pasurive për periudhën e marrë në analizë.
“[…]procesi i rivlerësimit për kriterin e pasurisë është një proces kompleks që përfshin vlerësimin financiar në mënyrë të gërshetuar me interpretimin ligjor të rrethanave dhe fakteve që lidhen me krijimin e pasurisë, në drejtim të ligjshmërisë së burimit të krijimit të pasurive dhe përmbushjes së detyrimeve financiare të subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të, në kohën e krijimit të pasurisë përkatëse”, argumenton KPA dhe e konsideron të drejtë konkluzionin e Komisionit se subjekti ka rezultuar me balancë negative në shumën 3.4 milionë lekë për periudhën e rivlerësimit.
Informacionet e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK se Vata ishte përfshirë në veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës nuk u gjetën të mjaftueshme prej Komisionit për të konstatuar papërshtatshmërinë e ish-prokurorit Vata për këtë kriter.
Megjithatë, subjekti e ka kundërshtuar Komisionin dhe për figurën duke pretenduar se nuk ka pasur mundësi të mbrohej pasi informacioni për figurën nuk ka qenë i plotë, se nuk i është dhënë ansjë provë, si dhe është ndryshuar barra e provës me qëllim që t’i pamundësohej e drejta e mbrojtjes. Ai ka pretenduar gjithashtu se mbi bazën e raportit të kontrollit të figurës është paragjykuar i gjithë procesi ndaj tij.
Kolegji vëren se nga verifikimi i dosjes është konstatuar se Komisioni i ka mundësuar Vatës garancitë e duhura për t’i siguruar mundësinë e mbrojtjes efektive. Trupi gjykues vlerëson se nuk qëndron edhe pretendimi tjetër se në bazë të raportit të figurës është paragjykuar i gjithë i vetingut, pasi ka rezultuar i pajustifikuar e i pambështetur në asnjë fakt apo prove.
Nisur nga fakti se KPK nuk e ka vlerësuar të mjaftueshëm raportin e DSIK-së, për të konkluduar për papërshtatshmërinë e subjektit, Kolegji e çmon të pabazuara shkaqet e ankimit dhe për këtë kriter.
Vata ka pretenduar se Komisioni në asnjë rresht të vendimit nuk ka arsyetuar se cila është ajo shkelje e cila ngrihet në nivelin e dhënies së masës disiplinore të shkarkimit nga detyra, por vetëm ka bërë citimin formal të dispozitës, në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe jurisprudencën e Kolegjit. Lidhur me këtë pretendim, Kolegji konstaton se Komisioni në përfundim të çdo analize për secilën dosje penale për veprën penale “Shkelje e rregullave të sigurisë teknike në punë”, ka arritur në konkluzione konkrete sipas të cilave vendimmarrja e subjektit të rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
Ndërsa në vlerësimin tërësor të çështjes, Komisioni ka vlerësuar si shkaqe të cenimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë deklarimet e pasakta dhe të pamjaftueshme në ILDKPKI për pasurinë; mosdeklarimin e shkëmbimit të një apartamenti; dyshime mbi integritetin e figurës të ngritura nga organet ligjzbatuese dhe të konfirmuara nga informacionet me të cilat janë njohur anëtarët e trupit gjykues; mangësitë profesionale të përsëritura dhe dyshime të arsyeshme mbi favorizime të personave nën hetim.
Kolegji vëren se të gjitha çështjet e analizuara në kuadër të vlerësimit të profesionalizmit, që janë konsideruar prej Komisionit si shkak për shkarkim, janë vlerësuar po ashtu se përbëjnë bazë për të konkluduar se subjekti gjendet për të njëjtat shkaqe edhe në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia, që sjellin shkarkimin dhe në këtë rast.
Trupa gjykuese sjell në vëmendje jurisupudencën e Kolegjit, sipas të cilës nuk mund të ketë penalizim dy herë pë të njëjtën shkelje. “Në zbatim të parimit të mosndëshkimit dy herë për të njëjtën shkelje, qëndrimi i Komisionit i cili kualifikon dy herë si shkak shkarkimi, për efekt të këtij procesi, të njëjtën shkelje, nuk është i drejtë”, vlerëson KPA.
Po ashtu, Kolegji çmon se deklarimet e pasakta të subjektit për ish-pasurinë apartament banimit mund të ishin përfshirë nga Komisioni në vlerësimin e përgjithshëm, por nuk mund të kualifikohen për shkarkimin e tij në kushtet e cënimit të besimit të publikut.
Kontradiktore janë gjetur në vlerësimin tërësor edhe konkluzionet e Komisionit për pastërtinë e figurës. Sipas KPA, konkluzioni i arritur nga KPK se dyshimet e arsyeshme mbi integritetin e figurës përbëjnë cenim të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë, është i paqartë dhe kontradiktor me arsyetimin e bërë për këtë kriter se, informacionet dhe provat e DSIK janë të pamjaftueshme për papërshtatshmërinë në këtë kriter.
“Vlerësimi i cenimit të besimit të publikut te drejtësia, duke u mbështetur në dyshime të paprovuara, nuk është në përputhje me frymën e ligjit[…]”, argumenton Kolegji dhe vlerëson se konkluzionet e renditura nga Komisioni për cenimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë nuk mund të kualifikohen sipas nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016 për vetingun e magjistratëve.
Në përfundim, trupa gjykues e KPA e kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtare Natasha Mulajn, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz kanë vendosur të lënë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e Hysni Vatës. /BIRN/