Nga Grigels Muçollari
Reporterët e terrenit, kolegët e tyre operatorë por edhe vetë demokratët, cilido përveç administratës së partisë, i ishte ndaluar hyrja në seli.
Prej ditësh kishte një kureshtje të madhe për të parë se ç’bëhej brenda kalasë së demokratëve. Për herë të parë që nga themelimi i PD-së, hyrja në seli bëhej me vizë. Mirëpo një gazetar nuk ia përtoi, gjeti një dritare të hapur dhe me shpejtësinë e një pulitjeje qepallash e demaskoi live Lulzim Bashën, teksa ky i fundit nga një studio televizive po mohonte blindimin e dyerve.
Prandaj imazhet e fortifikimit të selisë blu u shpërndanë rrufeshëm. Një valë reagimesh u përhap si kërpudhë atomike. Paranoja e Bashës ishte derdhur në hekur ngjashmërisht me një parabolë politike të Kujtim Çashkut, e quajtur ‘Kolonel Bunker’.
Filma me bunkerë gjen sa të duash por ky i Çashkut i rri Bashës si një kostum dhëndërie.
Sikur të jetë bërë posaçërisht për të.
Për të provuar cilësinë e bunkerit merreshin nja dy a tre ushtarë të regjimit, vendoseshin brenda tij dhe prisnin efektin e predhës që do të binte mbi ta. Le të themi si kavie eksperimentale. Kjo formë primitive të menduari u pa edhe tek ish kryetari ynë.
I pushtuar nga paranoja e humbjes së karriges, Lulzim Basha e shndërroi selinë e partisë në bunkerin e marrëzisë. Thirri një mbledhje për të mos u gjendur vetëm në bunkerin që projektoi. Protesta e demokratëve nisi dhe përfundoi në oborrin e selisë. Historia u përsërit dhe bunkeri tmerroi vetëm ata që u mbajtën peng brenda tij. Historia gjithashtu na mëson se bunkeri është marrëzia e fundit e një politikani.
Hitleri për shembull, doli i vetëvrarë nga bunkeri që ndërtoi. Me të drejtë mund t’ju lindin shumë pyetje. Përse një seli partie kthehet në bunker? Cilët janë armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm që do të sulmojnë? Nga kush mbrohet Lulzim Basha dhe përse hyn në bunker? Pyetje që nuk ma merrte mendja se një ditë do të më duhej të digjja neurone për të mos i lënë pa përgjigje. Mendoj se, pa ju lodhur gjatë sytë, kam vetëm një përgjigje për të gjitha. Lulzim Basha mbrohet nga vota dhe hyn në bunker sepse është pakicë. Është aq e thjeshtë sa është dhe e lexueshme. Në literaturën ushtarake bunkerizimi është taktikë difensive për të zgjatur rezistencën në një përballje të pabarabartë në numër me armikun.
Thënë ndryshe, pala kundërshtare ka më shumë trupa. I ndodhur në këto raporte numrash, Lulzim Basha vendosi ta thellojë krizën politike duke përdorur një taktikë ushtarake. Zero rëndësi ka për Bashën nëse kjo do të prodhonte skizmën më të madhe në partinë që e bëri tre herë ministër dhe kryetar të saj. Mesa duket zero rëndësi ka edhe për mercenarët e tij në bunker, të cilët u panë duke festuar. Pamje që po t’ia tregoje një vizitori të huaj, do të mendonte me të drejtë se PD kishte fituar zgjedhjet dhe po festonte. Por PD nuk i ka fituar zgjedhjet. Ka humbur për një shkak madhor, se Lulzim Basha në zgjedhjet e 25 prillit nuk vepronte dot siç vepron me zgjedhjet brenda partisë.
Dikush tjetër e ka tagrin për të organizuar zgjedhjet. Basha humb sepse e tmerron përballja reale me votën. Humb sepse është një qylaxhi politik që kërkon pushtet në tavolinë për t’u pleqëruar në bashkëqeverisje me Ramën. Me një ujdi që e nxorri nga Çadra e Lirisë për ta strukur si kungull në sqetullën e Ramës.
Ka vetëm një arsye përse Basha merr vendime personale, bën emërime dhe jo zgjedhje. Sepse kështu shmang votën. Kështu nuk del hapur që është pakicë.
Ka vetëm një arsye përse mohoi Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit dhe referendumin e 18 dhjetorit. Sepse aty u votua!
Atëherë si mundet që tmerri më i madh i tij të bëhet instrument i zgjidhjes së krizës politike? Përgjigjen e kësaj e dha vetë ai me një deklaratë. Nuk pranoi asnjë dialog, asnjë negociatë, sepse kjo do ta çonte në një përballje me votë, e për rrjedhim pakica do të humbiste. I fundit që reagoi pikërisht për këtë ishte vetë Escobar. Vetëm me një fjali, Escobar na tha se mënyra amerikane e zgjidhjes së krizës politike është vota.
Mëse dakord. Vota shmang dhunën, përplasjet, bunkerizimin dhe bën të qartë një herë e mirë se kush është shumicë e kush jo. Ishte kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, që i ofroi një zgjidhje Bashës; të kandidojë në zgjedhjet që referendumi i hapi rrugën, si një zgjidhje që do të shpëtonte edhe vetë Lulzim Bashën. Por vota të zhvesh maskën, të nxjerr zbuluar. Ai nuk e pranoi dhe nuk ka për ta pranuar ndonjëherë. Projektoi një bunker për t’u mbrojtur prej saj, si për të na thënë se kjo është aventura e fundit e Kolonel Bunker.