Itali/ Qendra e djathtë italiane kërkon Berlusconin për president, të majtët refuzojnë

Foto - EPA/ANGELO CARCONI

Ish-lideri italian, Silvio Berlusconi duket gjithnjë e më i prirur për të kandiduar për president në zgjedhjet që fillojnë më vonë këtë muaj, pasi partitë e qendrës së djathtë të Italisë ranë dakord për kandidaturën e tij.

Manfred Weber, politikani konservator gjerman që kryeson grupin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), gjithashtu mbështet Berlusconin.

EPP përbëhet nga parti konservatore dhe të qendrës së djathtë nga i gjithë kontinenti.

“Si lider i Partisë Popullore Evropiane, unë mbështes Berlusconin për presidencën e republikës, sepse ai ka treguar se ka vetëdijen për të mbajtur postin”, tha Weber për gazetën ”Corriere della Sera”.

Në Itali, deputetët, senatorët dhe përfaqësuesit e 20 rajoneve zgjedhin presidentin e republikës.

Për të fituar, nevojitet një shumicë prej dy të tretash në tre raundet e para të votimit.

Në të katërtin mjafton një shumicë absolute.

LEXO EDHE  Putin pranon ftesën e Erdogan për të vizituar Turqinë

Votimi i parë është caktuar për më 24 janar.

Anëtarët drejtues të disa partive të krahut të djathtë u takuan dje në vilën e Berlusconit në Romë.

Ligjvënësit nga partia konservatore ”Forza Italia”, ”Lega” e ekstremit të djathtë, ”Fratelli d’Italia” dhe të tjerë ranë dakord se 85-vjeçari Berlusconi ishte personi i duhur për t’u bërë president.

Ndërkohë, ligjvënësit kryesorë të majtë kanë kritikuar planet e tij për të qëndruar.

Giuseppe Conte, i cili drejton lëvizjen populiste ”Pesë Yjet”, e përshkroi kandidaturën e tij si një “opsion të paimagjinueshëm”.

“Figura e presidentit të republikës duhet të pasqyrojë një profil moral të lartë dhe të padiskutueshëm. Unë nuk mendoj se Berlusconi mund të mburret me këto kërkesa”, shkroi sot ndërkohë në Twitter politikania e majtë, Loredana de Petris.