Prokurori Artan Lulaj përballet me barrë prove për pasurinë dhe profesionalizmin

Nga Vladimir Karaj/ BIRN

Prokurori i Tiranës, Artan Lulaj u përball të martën në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me barrë prove në kriterin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit.

Trupa që hetoi rastin e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Alma Faskaj, vuri në dukje se kishte vlerësuar paraprakisht se Lulaj nuk kishte qenë plotësisht bashkëpunues, ndërsa nuk kishte kthyer disa përgjigje, nuk kishte vënë në dispozicion dokumente dhe kishte refuzuar të bënte transparencë mbi pasurinë e së bijës.

Gjatë seancës dëgjimore, relatorja Genta Tafa Bungo replikoi disa herë me Lulajn dhe avokaten e tij, Romina Zano, sa i përket qëndrimeve të prokurorit mbi një kontratë sipërmarrje dhe refuzimin e shpjegimeve mbi pasuritë e së bijës dhe bashkëshortit të saj. Tafa këmbënguli se e bija, e përcaktuar në ligj si “fëmijë madhor” ishte person i lidhur.  Por Zano dhe më pas Lulaj pretenduan se kjo pasuri nuk mund të hetohej prej procesit të vetingut, ndërsa pretenduan se i kishin treguar KPK-së burimin e saj.

Artan Lulaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001. Ai ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe në Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda, përpara se të transferohej në Prokurorinë e Rrethit Tiranë në vitin 2015.

Hetimi i pasurisë

Relatoja vuri në dukje se Lulaj rezultonte me një bilanc negativ mbi 5 milionë lekë nga analiza financiare e bërë në KPK. Bilanci negativ, siç doli nga relatimi, krijohej kryesisht nga mungesa e burimeve të ligjshme në blerjen e një apartamenti në Tiranë në vitin 2001, rimodelimin e tij, blerja e një makine, kursimet cash dhe shpenzime të tjera.

Sipas Bungos, Lulaj kishte në vite disa mosdeklarime apo deklarime të pasakta, ndërsa shitja e tre pasurive të paluajtshme në Sarandë që ishin deklaruar si burim krijimi për apartamentin nuk ishin marrë parasysh.

Relatorja tha se këto pasuri ishin shitur pas blerjes së apartamentit dhe nuk mund të kishin shërbyer si të ardhura për këtë të fundit. Gjatë pjesës së pyetjeve, Bungo dhe anëtarët e Komisionit këmbëngulën të dinin nëse Lulaj mund të dokumentonte kohën kur i kishte marrë paratë nga shitjet, por ky i fundit tha se nuk kishte dokumentacion.

Avokatja Zano kundërshtoi gjetjet e KPK. Ajo këmbënguli se deklarimet vjetore dhe shpjegimet e dhëna ishin të mjaftueshme dhe e cilësoi të padrejtë vendimin e KPK për të mos i marrë në konsideratë si të ardhura të ligjshme të ardhurat nga shitjet.

Zano tha se përkundër analizës së KPK, Lulo rezultonte me një bilanc pozitiv prej 11 milionë lekësh në analizën e bërë me ekspertë të kontraktuar prej tyre.

Zano kundërshtoi edhe gjetjet e KPK-së se Lulaj nuk kishte vënë në dispozicion kontratën e sipërmarrjes për apartamentin në Tiranë. Sipas avokates, prokurori nuk e kishte gjetur dot këtë dokument dhe kjo ishte arsye pse nuk e kishte sjellë atë.

Ajo po ashtu kundërshtoi gjetjet në lidhje me moskthimin e disa përgjigjeve dhe tha se klienti i saj kishte bashkëpunuar me hetimin.

Një replikë mes palëve pati edhe në lidhje me apartamentin e blerë nga vajza e prokurorit dhe bashkëshorti i saj. Sipas KPK-së, çifti kishte blerë një apartament në shumën 9 milionë lekë vetëm pak kohë pasi apartamenti ishte vlerësuar 15 milionë lekë.

Por sipas relatores, prokurori kishte refuzuar të japë shpjegime mbi këtë apartament edhe pse vajza konsiderohej person i lidhur.

Zano tha në seancë se vajza e prokurorit nuk mund të konsiderohej person i lidhur në këtë rast dhe se kjo pasuri nuk ishte në ato që mund të hetohej nga vetingu, pasi nuk ishte pasuri e personave që deklaronin së bashku me subjektin.

Por relatorja këmbënguli se KPK duhej t’i viheshin në dispozicion dokumentet në lidhje me këtë pasuri dhe burimin e ligjshëm të saj, në mënyrë që Komisioni të vendoste nëse ajo kishte apo jo lidhje me subjektin.

Rasti “Mihali”

Prokurori Lulaj, i cili bëri mbrojtjen sa i përket profesionalizmit, tha se në materialet që i ishin dërguar atij nga Komisioni kishte vënë në dukje se avokatja që kishte shërbyer si përfaqësuese e shitësit në këtë shit-blerje në vitin 2021 ishte po ajo që kishte bërë mbrojtjen e të pandehurve të akuzuar për vrasjen e Marvin Mihalit në vitin 2018. Lulaj tha se kjo ishte një insinuatë e papranueshme për të, ndërsa tha se ai nuk kishte qenë prokuror i çështjes kur avokatja në fjalë ishte përfshirë në proces.

Por relatorja dhe kryesuesi Hamitaj i thanë Lulajt se po replikonte bazuar në një shënim, për të cilin nuk ishte as barrë prove dhe për të cilin nuk i ishte kërkuar shpjegim. Megjithatë, Hamitaj këmbënguli se gjetjet e hetimit përmendeshin të gjitha pasi materiali shërbente edhe për palët e tjera në proces. “Ky është thjeshtë citim i një fakti,” tha Hamitaj.

Nga sa u kuptua nga relatimi, KPK i kishte kaluar barrë prove Lulajt në lidhje me hetimin e vrasjes së Marvin Mihalit. Relatorja vuri në dukje disa mungesa të hetimit, mosvlerësim të disa rrethanave, mungesën e hetimet në lidhje me rolin e tre personave veç autorit të dyshuar dhe të tjera.

Relatorja tha se Lulaj kishte bërë ndryshimin e akuzës ndaj tre të akuzuarve, nga bashkëpunëtorë në moskallëzim krimi dhe kishte pranuar zbutjen e masës së sigurisë ndaj tyre, edhe pse një ditë pas kësaj dha dorëheqjen nga çështja.

Lulaj kundërshtoi gjetjet e KPK-së në këtë çështje. Ai tha se hetimet kishin qenë të plota dhe përfundimet që ai kishte arritur ishin të sakta. Ai këmbënguli se ishte larguar nga çështja për shkak të akuzave në disa portale. Lulaj megjithatë nuk u fut në detaje, pasi tha se çështja ishte ende në gjykim në Gjykatën e Lartë dhe se ai nuk donte të dukej se po mbronte të akuzuarit.

Faskaj dhe relatorja thanë se prindërit e viktimës kishin kërkuar largimin e Lulajt nga çështja 12 ditë para se ky të pranonte zbutjen e masës së sigurisë për tre nga të akuzuarit. Ato pyetën prokurorin për konflikt interesi në këtë çështje dhe për vijimin e veprimeve prej tij, pavarësisht kërkesës për përjashtim.

Lulaj këmbënguli se ai kishte qenë i detyruar të merrte pjesë në seancën e masave të sigurisë dhe se nuk kishte ndërmarrë veprime proceduriale, pasi zbutja e masës së sigurisë ishte bërë me kërkesë të mbrojtjes.

Lulaj kërkoi të konfirmohej në detyrë. Seanca e njoftimit të vendimit u caktua në 13 janar, ora 9.30.