Elezi: Rama, Basha dhe Bardhi janë gjysëmburra

Tre orë protestë ditën e djeshme, 8 janar e kthyen selinë blu në një fushë beteje. Mbështetësit e Sali Berishës të vendosur për të hyrë në seli u përplasën me mbështetësit e Lulzim Bashës në tentativë për të mos i lejuar të hynin brenda. U desh ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës dhe ujë që protestuesit të shpërndaheshin.

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ibsen Elezi i ftuar në studion e Ora Neës me gazetaren Siklajda Shorja u shpreh se demokracia nuk është dhunë. I pranishëm në protestën e 8 janarit, Elezi tha se janë shkelur të gjitha parimet e demokracisë.

Elezi: Fakti që parimet kryesore të demokracisë në Shqipëri janë shkelur nga të gjitha partitë dhe duke u shkelur demokracia produkti që ne marrim është i tillë, produkt që hap në çdo moment konflikt. Këtu demokracia po shkelet me këmbë. Kur një vend nuk ka demokraci nuk mund të pranojmë neodiktatura për shkak të stabilitetit.

Elezi komentoi edhe deklaratat e Ramës një ditë pas protestës ku ftonte demokratët t’i bashkoheshin dhe u shpreh se vendi nuk ka pasur ndonjëherë opozitë.

Elezi: Të dalësh për misionin tënd, për të cilin je votuar nga qytetarët dhe të shesësh dokrra për demokracinë duhet të jesh shumë palaço si zoti Rama që të dalë t’i thotë këto fjalë. Ose të bëjë aktin tjetër që sjell policinë dhe dhunon barbarisht demokratët. Zoti Rama po provokon në këtë vend akte dhune, pavarësisht se shoqëria jonë nuk është e konsoliduar mirë në themel ta konceptojë se  çfarë po bën zoti Rama. Për tu hakmarrë ndaj nesh pasi ka çliruar oborrin e selisë dje na ka ndjekur me polici dhe na ka dhunuar deri te ura kryesore.

LEXO EDHE  VIDEO/ Pamjet kur “Range Rover-i” i Bashës qëllohet me vezë

Elezi u shpreh se protesta ishte paqësore, por njerëzit të cilët kishin vendosur dyert e blinduara provokuan dhunë.

Elezi: Dje kam parë se si i ka kërcitur koka demokratëve nga shkopinjtë e njerëzve të afërt të Lulzim Bashës. Duhet të jesh kafshë që t’i gjuash një njeriu ashtu. Këta gjysmë-burrat janë problem, janë si gjysma e së vërtetës. Kjo është skena politike e gjysmë burrave, Edi Rama, Çuçi, Lulzim Basha, Salianji, Gazment Bardhi, janë gjysmë-burra. Janë më të këqij se burrat e këqij. Këta po provokojnë dhunën në mënyrë të vazhdueshme.

Zoti Elezi tha se Edi Rama dje i ka sulmuar demokratët dhe do përgjigjet për këtë.