Kryeministri Edi Rama nuk e ndal cinizmin e tij ndaj zhvillimeve në partinë më të madhe opozitare.
Një ditë pas përplasjes së krijuar në selinë e PD, ku policia qartazi ndërhyri në mbrojtje të karriges së Lulzim Bashës, pasi ky i fundit kërkoi ndihmën me pretendimin e “shmangies së gjakderdhjes”, Kryeministri Edi Rama u shfaq në rrjetet sociale në atë që e konsideroi si “bashkëbisedimin e tij me demokratët”.
A thua se nuk ishte i njëjti me një ditë më parë, kur policia e tij, përdori metodat e dhunshme ndaj demokratëve protestues, duke i ndjekur këmba këmbës me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe shkopinj gome, sot Edi Rama u shfaq sikur i dhimbsej shkatërrimi i opozitës, të cilës pak muaj më parë i manipuloi edhe zgjedhjet, me patronazhistë, presione dhe blerje votash.
“Shqipëria ka njohur çoroditje të mëdha. Sot nuk është e çoroditur, përkundrazi është e goditur nga një çorodi ekstreme. Kjo nuk është çështje ujku e dhelpre, as çështje frikë.
Unë ujkun e dhelprën e kam mundur më shumë se një herë.
Nuk është çështje votash por është thirrje për të shpëtuar opozitën. Ndërkohë që unë jam këtu në dispozicion që çdo gjë të bëhet me paqe. Në djall të shkojë edhe pushteti nëse Shqipëria nuk shkon mirë”, u shpreh Rama.
Në vijimtë cinizmit, Rama tha se po shkatërrohet një aset kaq i rëndësishem dhe Shqipëria u bë gaz i botës, Dhe në fakt këtu ndoshta Kryeministri ka të drejtë, por gaz i botës, ky vend është bërë prej vitesh, që me kanabizimin masiv dhe deri te skandalet e njëpasnjëshme, përfshi edhe ndër aferat më të mëdha, atë të inceneratorëve.
“Këta nuk fitojnë dot zgjedhjet, jo për shkak të bandave apo regjimit por se këta janë pakicë. Dëmi që bëjnë shkon përtej tyre, duhet të jesh qorr që të mos shohësh se kanë interesa krejt personale, harrojeni se po mbrojnë PD nga agresioni anti-amerikan dhe tjetrin po mbron dinjitetin njerëzor përballë mafies.
Pas moshës 18 vjec si mund ta hani dollmën e tyre?
Ky është një qamet i madh, një fund tragjik i një politike që është katandisur kështu. Është koha miqtë e mi demokratë për tu ndarë nga këta, dhe nuk është çështje votash.
Politika nuk mund të katandiset në luftë me cekiçë. Ne nuk jemi barbarë.
Nuk po u kërkoj votën por u lutem tu varni teneqen që të dyve dhe të shpëtojnë opozitën”, shprehet Rama.