Qeveria ka vendosur transferimin e 209 pasurive me një sipërfaqe mbi 80 hektarë në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike.
Ky fond administrohet nga ministria përgjegjëse për ekonominë dhe pasuritë e fundit i janë shtuar në funksion të projektit “Durrës Yacht & Marina” që do të zbatohet nga “Symphony Real Estate Development”. I njëjti vendim sqaron se pasuritë që janë në përdorim të Aeroportit Portual Durrës do të mund të përdoren sipas përcaktimeve të bëra në vendimin që ka marrë më herët Këshilli i Investimeve Strategjike që detajon edhe fazat e zhvendosjes. Këto prona nuk mund të tjetërsohen apo t’ua kalojnë në përdorim palëve të treta.
“Përdorimi i pronës së paluajtshme shtetërore për projektin strategjik “Marina dhe jahtet e Durrësit (Durrës Yachts & Marina)” të realizohet sipas fazave të përcaktuara në vendimin nr. 14/6, datë 2.12.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, i cili fillon me fazën e zhvillimit pilot. Pronat, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, të përdoren nga Autoriteti Portual Durrës deri në zhvendosjen përfundimtare të tij, sipas fazave të zbatimit të projektit, të përcaktuara në vendimin nr. 14/6, datë 2.12.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike. Autoritetit Portual Durrës i ndalohet të ndryshojë destinacionin, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve” thuhet në vendimin e qeverisë.
I njëjti sqaron se aplikimi për leje dhe licenca dhe autorizimet e nevojshme për realizimin e projektit strategjik “Marina dhe jahtet e Durrësit (Durrës Yachts & Marina)”, në përputhje me afatet e parashikuara, do të realizohen sipas legjislacionit për investimet strategjike.
Nga ana tjetër Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe të gjitha institucionet, të cilat kanë në përgjegjësi administrimi pasuri të përfshira në planvendosjen bashkëlidhur vendimit të qeverisë janë ngarkuar që të kryejnë të gjitha procedurat përkatëse për vënien në dispozicion të tyre, për projektin investues strategjik “Marina dhe jahtet e Durrësit (Durrës Yachts & Marina)”, me subjekt investues “Symphony Real Estate Development” sh.p.k.
Çfarë parashikon projekti
Referuar faqes zyrtare të kompanisë (ëëë.durresyachtsmarina.com) pritet që të ndërtohen njësi rezidenciale dhe parqe e hapësira të hapura.
“Duke shfaqur një plazh të pacenuar natyror prej 14 km gjatësi, komuniteti do të jetë shtëpia e mbi 12,000+ njësive rezidenciale me më shumë se 80,000 m2 të parqeve dhe hapësirave të hapura, si dhe njësive argëtuese, të shërbimit dhe restoranteve. Zhvillimi i Jahteve dhe Marinës së Durrësit do të përfshijë gjithashtu ekskluzivisht një marinë dhe terminal kroçerash që do të lidhë Durrësin me shkëlqimin vezullues të Detit Adriatik e më gjerë”, thuhet në uebsajt. Vlera e investimit është lakuar se do të jetë 2 miliardë euro.
Porti i Durrësit shpërngulet në Porto Romano
Në gusht të vitit te shkuar u miratua një vendim që i lejonte zgjerimin portit ekzistues në Porto Romano dhe i hapte rrugë projektit të grupit Emaar në Durrës. Zgjerimi mundëson ndërtimin e disa kalatave të tjera që do të shërbejnë për përpunimin e anijeve të mallrave, krahas atij të karburanteve që kryhet aktualisht.
Ndërkohë po kryen edhe investime në rrugën që lidh Porto -Romanon me Durrësin me një autostradë të kategorisë A.
Më herët në kulmin e karantinës, në datën 31 mars 2020 Porti MBP (Multi Buoy Mooring) në administrimin e “Kastrati Group” që realizon shërbimet e përpunimit të ngarkesave dhe depozitimit të naftës në Porto Romano mori miratimin për një shtesë kontrate nga Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë.
/Monitor.al/