Loja e pistë e SPAK me inceneratorët

Nga Klodian Tomorri

Disa muaj më parë, një program i vetëquajtur investigativ bëri një dokumentar, ku u tregonte shqiptarëve se sa të mirë ishin inceneratorët për mjedisin, se sa pak para fitonin pronarët e tyre dhe se sa nder të madh u kishin bërë ata qytetarëve shqiptarë. Nuk e di nëse emisioni u nderua me çmim nga këta ndërkombëtarët që vegjetojnë nëpër Shqipëri, por nuk do të ishte çudi. Fundja puseta e qelbit këtu është aq e thellë sa që i ka infektuar të gjithë.

I gjithë emisioni ishte praktikisht një bashkëpunim i mirëfilltë në krim. Me fakte të shtrembëruara, dokumenta të manipuluar dhe llogari financiare të stisura. Arsyeja se pse u zbulua së fundmi.

Prej disa ditësh portali CNA është duke publikuar dokumenta autentikë që tregojnë se si inceneratorët kanë korruptuar në masë media dhe gazetarë. Parimisht, në një ekonomi tregu, bizneset janë të lira të bëjnë reklama apo dhe të dhurojnë para ku të duan. Por në këtë rast ka një specifikë. Paratë me të cilat inceneratorët kanë paguar “Estref Dylekëshat” e mediave tashmë janë provuar si para korrupsioni, që u janë vjedhur qytetarëve.

Në doktrinën juridike kur faktohet një vjedhje, qëllimi kryesor i ndërhyrjes së organeve ligjzbatuese është ai i ndalimit të vjedhjes dhe rekuperimit të parave nga hajdutët për t’ia kthyer atij që i janë vjedhur. Në këtë rast, qytetarëve. Pastaj, në bazë të hetimeve, nxirren dhe përgjegjësitë përkatëse penale. Por në këtë rast SPAK nuk po bën detyrën, që i ngarkon ligji. Në vend të saj është duke bërë një farsë të madhe. Tashmë provat për këtë janë të pakontestueshme.

Kur lajmëroi masat bllokuese ndaj inceneratorëve, SPAK bëri një hile djallëzore, që në atë kohë nuk i vuri askush rëndësi. Për djegësin e Elbasanit, i cili kishte mbaruar punë dhe kishte marrë të gjitha pagesat nga buxheti i shtetit në vlerën 22 milionë euro, SPAK vendosi të sekuestrojë kompaninë që zotëron koncesionin, pra Albtek Energy. Por në rastin e Fierit, ku pagesat nuk kanë mbaruar dhe buxheti vazhdon të paguajë edhe tani, SPAK nuk bllokoi llogaritë e kompanisë që ka koncesionin Integrated Waste Treatment Fier, por bllokoi mëmën e saj, Integrated Technology Services. Ndërkohë që tek inceneratori i Tiranës nuk u fut fare. Kjo nuk ishte e rastësishme.

LEXO EDHE  Skocia ka vendosur të heqë masat anti-Covid-19

Bllokimi i llogarive të mëmës nuk e pengon aspak bijën. Sipas ligjit, personat juridikë, kanë identitete të ndryshme dhe të pavarur nga njëri tjetri. Si rezultat, ajo që ndodh tani është një fëlliqësirë e paparë dhe e padëgjuar në asnjë vend të botës.

SPAK mban të bllokuara llogaritë e kompanisë mëmë Integrated Technology Services, të cilat janë bosh dhe pa asnjë funksion, ndërkohë që buxheti vazhdon i paguan para bijës, Integrated Waste Treatment Fier. Kjo e fundit i merr paratë, që vidhen nga qytetarët dhe i çon në llogari të fshehta ose vazhdon të bëjë pagesa lirshëm për të korruptuar zyrtarë, media dhe gazetarë. Me pak fjalë, vjedhja vazhdon nën hundën e prokurorëve të SPAK.

Nëse SPAK nuk vë sa më parë nën sekuestro llogaritë e kompanive koncesionare, llogaritë individuale të pronarëve të tyre si dhe të gjithë zinxhirin e llogarivë të përshira në transaksione me inceneratorët, me ligj ata quhen bashkëpuntorë në vjedhje. Këtë e thotë ligj. Çdo person që dyshohet për një krim të tillë, i sekuestrohet për efekt hetimi çdo instrument që mund të pengojë hetimin apo të thellojë pasojat e krimit. Në këtë rast qeveria paguan lekët vetëm për administrimin e përkohëshëm të kompanive dhe çdo pagesë tjetër ngrin.

Pra qëllimi primar është që të ndalet vjedhja dhe qytetarëve t’u kthehen paratë e vjedhura, përfshirë ato që kanë përfunduar në kontot e mediave apo lehësve publikë.  Më pas hetimi duhet të nxjerrë përgjegjësitë penale. Për sa kohë nuk ndodh kjo, e gjitha mbetet një farsë e madhe. Një lojë e pistë me drejtësi të telekomanduar, shnatazhuar ose korruptuar. Kjo pak rëndësi ka.