Harta e re mbyll 15 gjykata, VOA: Stok i madh, gjendja në Apel është e rëndë

Në Tiranë, përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë nisën sot një diskutim publik mbi hartën e re gjyqësore të vendit.

Harta e re riorganizon institucionet e drejtësisë në 12 rrethe gjyqësore dhe vetëm një prokurori apeli.

Autoritetet pranuan se largimi i shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve prej reformës dhe vetingut ka futur në emergjencë gjithë sistemin gjyqësor, i cili është mbingarkuar nga mijëra procese të prapambetura.

Harta e re gjyqësore e Shqipërisë është dorëzuar në ministrinë e drejtësisë qysh në shtator të vitit të kaluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, por diskutimi nisi sot pas 17 muajsh përreth një tryeze me përfaqësues të gjithë institucioneve të reja të ngritura nga reforma.

Drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, theksoi para gjithë përfaqësuesve vendas dhe atyre ndërkombëtarë që ndihmojnë në reformimin e sistemit gjyqësor, se në gjykatat e apelit dhe ato të shkallës së parë gjenden sot faktikisht vetëm 1/ 3 e trupës së gjyqtarëve që duhet të ishte sipas ligjit.

Nga janari në nëntor të këtij viti janë emëruar 866 gjyqtarë për të plotësuar trupat gjyqësore, tha zonja Llagami,

“Aktualisht jemi duke shkuar drejt një drejtësie ambulante. Kjo është një kosto e madhe për sistemin, jo vetëm financiare po edhe në cilësinë e munguar të shërbimeve dhe të motivimit të gjyqtarëve, të cilë duhet të mbajnë ngarkesën e kolegëve të larguar brenda gjykatës, si dhe peshën e gjykatave të tjera. Kemi shkuar në një mesatare prej 640 çështje për çdo gjyqtar në vit, pa përfshirë këtu ngarkesën, që ka Gjykata e Lartë” – thotë zonja Llagami.

Gjendja është edhe më e rëndë në gjykatën e Apelit Administrativ, ku sipas të dhënave zyrtare, mbipesha ka shkuar 3 mijë cështje për cdo gjyqtar, si dhe në Gjykatën e Apelit të Tiranës ku ka raporti është 2 mijë e 500 çështje për çdo gjyqtar.

Prej dy vjetësh Këshilli i Lartë Gjyqësor ka rritur kuotat e pranimit në Shkollën e Magjistraturës, e cila furnizion sistemin me gjyqtarë të rinj, por kjo masë pritet të sjellë përmirësim në një periudhë 3-5 vjeçare në gjykatat e shkallës së parë. Por vonesat aktuale me vetingun dhe boshllëqet që krijoi ai me shkarkimet e shumta, sipas zonjës Llagami, kanë ndikuar në besimin e qytetarëve ndaj reformës në drejtësi.

“Këmbana ka kohë që po bie. Prej mëse një viti e kam ngritur këtë shqetësim me secilin prej jush, edhe në Kuvend, edhe publikisht, me shumë përgjegjësi. Diskutimi nuk është të fitosh apo të kesh të drejtë. Sot në fakt jemi shumë vonë, madje edhe harta e propozuar nuk do të jetë e mjaftueshme për të stabilizuar humbjet që ne kemi në sistem. Ndërhyrje të tjera duhet të artikulohen sa më shpejt dhe do të jenë të nevojshme në system për të shmangur kolapsin” – thotë zonja Llagami.

Para se të dorëzohej në ministri, projekti i hartës së re gjyqësore u këshillua në detaje me Këshillin e Europës, USAID, Euralius sipas standarteve europiane dhe sipër kërkesave të ligjit për pushtetin gjyqësor.

LEXO EDHE  Zgjedhjet e 6 marsit, shansi për Bashën e Berishën dhe testimi për Ramën

Pjesëmarrësit në tryezën e sotme pohuan se aktualisht është e nevojshme që krahas përballimit të emergjencës, duhen marrë masa me rëndësi për të ardhmen, pra që mibngarkesa e sotme të mos bllokojë hapësirën dhe frytet e reformës. Një nga parimet mbi të cilat u ndërtua harta e re gjyqësore është: Më pak gjykata më shumë cilësi.

Ministri i drejtësisë Ulsi Manja, thotë se reforma synon drejtësi cilësore dhe të shpejtë, ndërsa harta e re do ta afrojë më shumë gjykatën me qytetarët. Ai theksoi se harta do të zbatohet për 6 muaj dhe qeveria garanton zbatimin e plotë të hartës gjyqësore pas hyrjes së saj në fuqi.

“Zbatimi me faza dhe qeveria do të zbatojë gjithçka sipas ligjit. E kemi detyrim zbatimin e reformës në drejtësi. Qeveria garanton zbatimin e plotë të kësaj harte, cilado të jenë kostot financiare, ne e kemi bërë të qartë raportin tonë si maxhorancë në lidhje me reformën në drejtësi. Edhe harta e re gjyqësore është përkthim i ligjit për pushtetin gjyqësor i miratuar në vitin 2016 me realitetin shqiptar. Dhe ne si qeveri e kemi detyrim zbatimin e këtij ligji dhe garantojmë zbatimin e plotë të reformës në sistemin e drejtësisë” – thotë zoti Manja.

Opozita nga ana tjetër ka kritikuar më herët vazhdimisht zbatimin dhe vonesat e reformës në drejtësi, duke theksuar se pikat më të rëndësishme në sistemin e ri të drejtësisë janë kapur nga Partia Socialiste.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar së fundi pas arrestimit të ish ministrit të mjedisit nga SPAK për aferën e inceneratorëve, se “një drejtësi e pavarur është aleati më i mirë për demokracinë dhe opozitën. Një drejtësi e kapur, e shantazhuar, është aleati i një qeverie të lidhur me krimin, që vjedh qytetarët”.

Zoti Basha shprehu mbështetje të plotë për SPAK, që të zhvillojë luftë të vazhdueshme kundër korrupsionit, si armiku numër një i shqiptarëve, duke theksuar se “kjo është arsyeja që opozita ka mbështetur reformën në drejtësi dhe ka diktuar ndryshimet kushtetuese për drejtësinë”.

Sfidat më të mëdha me hartën e re gjyqësore mbeten ndërtimi i një gjykate të re administrative për Tiranën dhe një gjykate apeli në kryeqytet.

Harta e re pritet të afrojë më shumë gjykatat me qytetarët, si dhe të ngrejë cilësinë e shërbimeve gjyqësore.

Gjashtë gjykata apeli do të mbyllen në rrethe dhe ndërtesat do t’u kalojnë gjykatave të shkallës së parë.

Edhe para reformës dhe vetingut, ku po përjashtohen një masë e madhe gjyqtarësh e prokurorësh, sistemi gjyqësor shqiptar isht i mbingarkuar nga një mori procesesh penale dhe civile në qytetet e mëdha, ku jeton pjesa më e madhe e popullsisë./ VOA