Një atentat i rëndë tronditi mbrëmjen e herët të 12 qershorit 2020, Tiranën. Në atë, që fillimisht u duk si një aksident, por që shpejt u kuptua se breshëria e plumbave të derdhur, ishin një sulm i organizuar, dhe i mirëkoordinuar.
Viktimë ka mbetur Hekuran Billa, 40 vjeç, i sapoliruar me kusht nga burgu, i cili po lëvizte me makinën e tij tip “BMW” X6, ngjyrë të bardhë, në zonën e ‘Komunës së Parisit’, kur automjeti i tij ra në pritë të armatosur.
Personi i fundit që e shoqëroi në të gjithë përditshmërinë, ishte miku i tij, Elton Puci. Personi, që tregoi përpara policisë të gjitha lëvizjet që 40-vjeçari kreu ditën para ekzekutimit.
Një dëshmi interesante që hedh dritë mbi itinerarin që mund të kenë ndjekur edhe vrasësit që ishin vënë në gjurmë të viktimës së tyre, është publikuar nga emisioni “Në shënjestër”.
Dëshmia, Elton Puci, mik i Hekuran Billës
“Rreth orës 08:00, kam komunikuar në telefon me Hekuran Billën dhe e lamë të takoheshim tek Kthesa e Kamzës pasi do iknim në Krujë sepse ai donte të merrte një vërtetim në Gjykatë që ishte me detyrim paraqitje. Pasi jemi takuar, u nisëm në drejtim të Krujës me automjetin e Hekuranit, një ‘BMË X6’, me ngjyrë të bardhë, me targa angleze. Diku rreth orës 09:30 kemi arritur në Krujë dhe aty takuam vëllain e avokatit të Hekuranit, i cili quhet Aldo Tabaku. Të tre u ulëm në një lokal. Aty erdhi dhe avokati Aldo i cili i dha vërtetimin Hekuranit. Diku rreth një orë pasi ishim ulur, në tavolinë erdhi dhe një djalë rreth 32-33 vjeç, i cili quhej Redi dhe mesa di unë ka qenë në burg me Hekuranin. Rreth orës 11:00, u ngritëm dhe u nisëm për në Tiranë. Rreth orës 12:00 mbërritëm tek ‘Casa Italia’ dhe aty u ndamë.
Rreth orës 14:00 kemi dalë sërish dhe jam takuar me shokun e tij që quhet Klinton Terziu dhe jemi nisur së bashku në drejtim të Durrësit pasi kisha për të marrë një automjet në portin e Durrësit, të cilin e kishte porositur Hekurani për kompaninë e tij. Rreth orës 15:00 kemi arritur në Port dhe kemi filluar procedurat e zhgodanimit të automjetit. Nga porti jemi larguar rreth orës 20:00.
Më pas kam marrë tre valixhe të cilat ndodheshin në automjet dhe kam shkuar për t’ia çuar Hekuranit i cili ndodhej në një lokal, në afërsi të Urës së Dajlanit.
Kur kam arritur aty, kam parë Hekuranin nën shoqërinë e një vajze bionde që nuk e njihja. Rreth orës 21:00 Hekurani u nis drejt Tiranës.
Kemi shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Domje, për të lënë automjetin e zhdoganuar.’
Ky është edhe momenti i fundit kur miku i tij u pa në të gjallë me Hekuran Billën. Vetëm pak orë më pas ai do të mësonte edhe lajmin e ekzekutimit të tij. Informacionin e mori nga vëllai i Hekuranit.
“Pasi kemi lënë automjetin jemi nisur në drejtim të Kamzës. Pa hyrë në Kamëz, më ka telefonuar vëllai i Hekuranit i cili quhet Elmi dhe më ka thënë se kishin qëlluar me armë Hekuranin. Jam kthyer menjëherë në drejtim të Domjes pasi mendova se kishte ndodhur tek shtëpia e Hekuranit. Gjatë rrugës mësova se ishte bërë një vrasje në ‘Komunën e Parisit’. Meqenëse isha afër Spitalit Ushtarak shkova për të parë se mos e kishin çuar aty Hekuranin. Pasi pyeta, më thanë se nuk kishte asnjë me këtë emër në spital. Aty gjeta vëllain e tij, Elmiun dhe motrën e tij, të cilën e kam marrë me vete dhe jemi nisur në drejtim të qendrës “Kristal” në Komunën e Parisit. Kur mbërritëm aty mësuam se Hekurani ishte vrarë”.
Hekuran Billa u ekzekutua më 12 qershor pranë “Qendrës Kristal” në Tiranë. Në orën 21:48, biznesmenit iu pre rruga teksa udhëtonte me mjetin e tij, të llojit ‘BMW X6′, nga ekzekutori. Hekuran Billa ishte i përfshirë në trafikun e drogës në Angli dhe në rrjetin e prostitucionit. Në vitin 2006 ai ka ekzekutuar me armë zjarri 22-vjeçarin Prel Marku, ngjarje për të cilën ishte dënuar me burg të përjetshëm, por u lirua nga gjykatat shqiptare. Pikërisht ky krim, dyshohet se solli edhe vrasjen e Billës. Në pranga i akuzuar si autor është vënë Viktir Marku, por ai nuk i ka pranuar akuzat.