Në përgjithësi, vitaminat B janë të nevojshme për një sërë funksionesh në organizëm.
Ato ndihmojnë trupin për të kthyer ushqimin në energji dhe në formimin e duhur të qelizave.
Gjithsej ka tetë vitamina që bëjnë pjesë në kategorinë B dhe kur të teta janë të pranishme në një suplement, quhen kompleksi B.
Por dy prej këtyre vitaminave, specifikisht B6 dhe B12 marrin vëmendjen më të madhe.
Ato punojnë së bashku për të reduktuar nivelet e larta homocisteinës, një lloj aminoacidi që mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Një mungesë e vitaminës B6 mund të çojë në depresion, konfuzion ose shqetësime të lëkurës.
Ndërsa mungesa e B12 mund të shkaktojë anemi, ndryshime të humorit, probleme të zorrëve dhe dobësi të muskujve.
AgroWeb.org ju njeh shkurtimisht me ndryshimet midis tyre dhe me disa ushqime ku mund t’i gjeni këto vitamina kaq të rëndësishme.
Gjithçka rreth vitaminës B6!
Si fillim, vitamina B6 është e përfshirë në më shumë se 100 reaksione enzimatike brenda trupit, plus edhe në zhvillimin kognitiv dhe shëndetin imunitar.
Vitamina B6 ka treguar se zvogëlon ashpërsinë e të vjellave në mëngjes tek gratë shtatzëna dhe mund të ndihmojë gjithashtu në minimizimin e simptomave menstruale.
Doza ditore e rekomanduar për vitaminën B6 është 1,3 miligramë për të rriturit deri në moshën 50 vjeç.
Pas moshës 51 vjeç, për meshkujt është 1,7 miligramë dhe për femrat 1,5 miligram.
Disa probleme shëndetësore, të tilla si sëmundja e veshkave, alkoolizmi dhe problemet autoimune, mund të kontribuojnë në uljen e niveleve të kësaj vitamine.
Edhe pse konsiderohet përgjithësisht e sigurt, në doza të mëdha ajo mund të shkaktojë mungesë të kontrollit të muskujve, probleme gastrointestinale, mpirje ose ndjeshmëri ndaj dritës së diellit.
Çfarë është kaq e mirë rreth vitaminës B12?
Vitamina B12 luan një rol të rëndësishëm në funksionet e trupit tuaj, si prodhimi i qelizave të kuqe të gjakut dhe mirëmbajtja sistemit nervor qendror.
Sipas të dhënave të AgroËeb.org, kjo vitaminë është gjithashtu jetike për prodhimin e ADN-së dhe zhvillimin dhe funksionimin e qelizave të trurit.
Në fakt, nivelet e vitaminës B12 zvogëlohen me kalimin e moshës.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se marrja afatgjatë e dozave të larta nga suplementet dhe jo nga multivitaminat, lidhet me një rritje të rrezikut të kancerit të mushkërive tek meshkujt.
Vlera e rekomanduar për marrjen e saj është 2.4 mikrogramë për të rriturit.
Meqenëse shumë burime të vitaminës B12 janë me bazë shtazore, vegjetarianët dhe veganët priren të kenë nivele të ulëta të kësaj vitamine.
Duhet të dini se të dyja vitaminat janë të tretshme në ujë, kjo do të thotë se trupi juaj nuk mban rezerva të mëdha të tyre.
Prandaj, është e rëndësishme që t’i merrni këto lëndë ushqyese nga ushqimi, suplementet ose nga të dyja.
Burimet kryesore ushqimore të vitaminave B6 dhe B12 janë: mishi i viçit, gjoksi i pulës, salmoni dhe drithërat./AgroWeb.org