Në Komisionin e Ligjeve është diskutuar projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes”, ku ka qenë i pranishëm zëvendësministri i Brendshëm Andi Mahila.
Ky i fundit mohoi kjo marrëveshje bëhet me qëllimin që Shqipëria të kthehet në një kamp të madh refugjatësh, siç kanë bërë të ditur mediat britanike. Sipas tij kryeministri Edi Rama dhe ministrja Olta Xhaçka kanë qenë të qartë se lajmi i servirur nga mediat britanike nuk është i vërtetë.
“Jo nuk vijnë, nuk është mundësia për të ardhur. Për këtë pyetje tuajën është dhënë sqarim shterues nga Kryeministri, ministrja, ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe, që nuk ka asnjë marrëveshje, asnjë diskutim. Kjo marrëveshje e esktradimit, apo kjo që po diskutojmë tani nuk kanë fare lidhje me këtë lajm totalisht të rremë që është dhënë tani”, u shpreh Mahila në Komision.
Por, sipas deputetit të PD-së Enkelejd Alibeaj, ndryshe nga sa thotë Mahila, në këtë marrëveshje, çështja kryesore është ripranimi i shtetasve të palës së tretë. Alibeaj pyeti zëvendësminsitrin nëse Shqipëria po kërkon që të bëjë biznes me çështjen e emigrantëve nga vendet e treta.
“Me palë të tretë që ta kuptojnë të gjithë, është çdo shtet tjetër përveç Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, nuk është asnjë nga shtetet kufitare të Shqipërisë. Që do të thotë, as kanë kaluar nga Shqipëria dhe as kanë kaluar në Shqipëri, kanë mbërritur në Britani përmes kanalit, dhe ku do i çojnë, do ti çojnë në Shqipëri. Kjo çështje i dedikohet më së shumti këtyre refugjatëve. Dhe çështja tjetër që e bën më delikate këtë marrëveshjes, është çështja e tranzitimit. Gënjej unë apo gënjeni ju? Po them unë diçka që nuk ekziston dhe nuk është e vërtetë? Kjo ishte pyetja”, tha Alibeaj.
Në vijim ai u shpreh se kur Qeveria futet në një procedurë për ratifikimin e një marrëveshje, deputetët duhet të njihen me të gjithë dokumentet, sipas ligjit, në nenin 17 pika 3, do të duhej të kishim dhe një sërë dokumentesh të tjerë, që janë edhe rezultatet e pritshme, efektet financiare, që nuk i kemi, dhe është detyrim ligjor, që të gjitha këto ky Kuvend duhet ti ketë, që ne të kuptojmë nëse bëhet fjalë apo jo për një kamp refugjatës.
“Cila është kostoja e një refugjati joshqiptar që do të vijë dhe të depozitohet në vendin tonë, media britanike ka nxjerrë edhe koston reale. Kërkohet mesatarisht 100 mijë paund për person, a mos ndoshta është duke u bërë ndonjë biznes në territorin shqiptar për të depozituar refugjatë këtu, me qëllim për të përfituar të gjitha shpenzimet”, tha më tej Alibeaj.