Përfaqësuesit e Komisionit Europian dhe institucioneve të vetingut kërkuan zgjatjen e mandatit për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerin Publik të premten, në një seancë dëgjimore me Këshillin për Legjislacionin në Kuvendin e Shqipërisë.
Maciej Popowski, kryetar i Bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM pranë Komisionit Europian tha përmes një lidhjeje online se e mbështeste nismën e kuvendit për amendimin e Kushtetutës me qëllim zgjatjen e mandatit të institucioneve të vetingut.
Ai e cilësoi reformën në drejtësi si një nga reformat më të mëdha që Shqipëria kishte ndërmarrë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
“ONM rekomandon zgjatjen e punës për të pasur një përfundim me sukses të procesit të reformës në drejtësi,”- tha Popowski, duke arsyetuar se organet aktuale të vetingut kanë eksperiencën dhe strukturat funksionale për ta bërë këtë.
“Zgjatja lejon KPK-në që të finalizojë këto çështje dhe puna që është bërë deri tani të mos ndërpritet dhe të fillojë gjithçka nga fillimi,” shtoi ai, duke premtuar se monitorimi i ONM do të vijojë mbi bazën e praktikës së deritanishme.
Edhe përfaqësuesit e KPK-së dhe Komisionerët Publikë kërkuan zgjatjen e mandatit, ndërsa e justifikuan me arsye objektive mospërfundimin e procesit sipas afateve kushtetuese.
Kryetarja e KPK-së, Pamela Qirko, tha se ky institucion ka bërë vetingun e 60 për qind të subjekteve dhe ka nisur procesi administrativ për 40 për qind të subjekteve të mbetura.
“Organet e rivlerësimit kanë fituar përvojën dhe kanë rritur eficencën,” tha ajo.
Sipas Qirkos, ndërprerja e procesit dhe kalimi tek Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijon mundësi për trajtim të pabarabartë, ndërsa zgjatja e mandateve të rivlerësimit bën që ky parim të mos cënohet.
“Në respekt të parimit të barazisë para ligjit, atyre subjekteve që nuk u ka përfunduar vetingu duhet të kalojnë si subjektet e tjera, nëpër të njëjtën procedurë, të njëjtat filtra dhe të njëjtat institucione,” tha ajo.
Qirko u përball me pyetje nga deputetët për arsyet që kanë çuar në mospërfundimin e procesit brenda afateve të parashikuara.
Deputeti Fatmir Xhafaj kërkoi të dinte nëse zgjatja e afatit do të garantonte ritëm më të shpejtë dhe integritet më të lartë të procesit, duke sjellë në vëmendje se ka pasur akuza publike për disa prej komisionerëve. Xhafaj kërkoi të dinte dhe shkaqet që kanë çuar në vonesën e procesit.
Pyetjeve zgjodhi t’u përgjigjej ish-kryetarja e KPK-së, Genta Tafa Bungo, e cila fajësoi nga ana e saj Kuvendin që nuk u miratoi kërkesat e vazhdueshme për shtimin e stafit të këshilltarëve. Ajo përmendi gjithashtu pandeminë e COVID-19 dhe volumin e lartë të punës me hetimin e subjekteve dhe familjarëve të tyre, si pengesat kryesore.
“Çdo vit kam ardhur në Kuvend dhe kam kërkaur staf këshilltarësh ekonomikë dhe ligjorë dhe më janë dhënë gjysmat e atyre që kam kërkuar,” tha Bungo, ndërsa shtoi se pas plotësimit të stafit, KPK e ka rritur ritmin e punës nga 10 vendime në 13 ose 14 të tilla në muaj.
Për akuzat publike ndaj komisionerëve, Bungo tha se “problemi qëndron kush i bën dhe sa bazë kanë”.
“Nëse akuzat kanë baza, të referohen në institucionet përkatëse, nuk mbajmë përgjegjësi për palën e pakënaqur,” u përgjigj ajo.
Qirko i kërkoi gjithashtu Kuvendit që të miratojë një status të veçantë për garantimin e karrierës së tyre dhe e argumentoi këtë kërkesë me faktin që ‘komisionerët e vënë jetën e tyre në rrezik çdo ditë”.
Edhe Komisionerët Publikë, Florian Ballhysa dhe Darjel Sina përmendën si pengesa mungesën e një godine të përshtatshme në muajt e parë të punës, problemet me rekrutimin e stafit dhe pandeminë që i detyroi të punonin nga shtëpia.
“Një çështje ka një kohëzgjatje mesatare një vit,” tha Sina, ndërsa shtoi se kanë bërë 59 ankime dhe për 34 prej tyre ka përfunduar vendimarrja nga Kolegji i Apelimit. Sina theksoi se shtyrja e afatit të Komisionerëve Publikë mund të bëhet për të garantuar standardin e deritanishëm të procesit të rivlerësimit.
Këshilli Legjislativ u zhvillua përsëri pa praninën e anëtarëve të opozitës, të cilët i kanë bojkotur që në nisje diskutimet për nismën kushtetuese duke kushtëzuar praninë me bashkimin e diskutimeve me nismën e tyre për vetingun e politikës, e cila po diskutohet paralelisht nga ky këshill./ BIRN