Në ditën e pestë Botërore e të varfërve, Ipeshkvinjtë katolikë të Shqipërisë kanë bërë një mesazh për sfidën e varfërisë në vendin tonë duke iu drejtuar Qeverisë, Parlamentit, Institucioneve financiare dhe Bashkive të vendit e njëkohësisht duke ofruar bashkëpunimin për t’i bërë ballë kësaj plage shoqërore.
Me rastin e Ditës së Pestë Botërore për të Varfrit, që kremtohet të dielën me 14 Nëntor 2021, me temë “Të varfrit i keni gjithmonë me ju”, Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, shprehin shqetësimin tonë, duke vënë re ndikimet shumë negative të krizës ekonomike botërore e cila ndërthuret edhe me veçantitë e situatës kritike që ka përfshirë vendin tonë prej kohësh.
“Si barinj të Kishës i kemi ndjekur ndryshimet fiskale të ndodhura në kohët e fundit, sikurse rritja e çmimeve të produkteve të shportës, karburanteve dhe gazit (si dhe është përfolur edhe për rritjen e çmimit të energjisë elektrike) dhe vërejmë me keqardhje mungesën e vëmendjes që duhet për të varfrit e nevojtarët, për të pamundurit e të mënjanuarit e shoqërisë sonë”, thuhet në një deklaratë.
“Të qenit qeveritar, vendimmarrës, politikëbërës nuk është vetëm një pozitë që reflekton autoritet, por është një thirrje për të shërbyer, për t’iu dhënë zë kauzave që u mungon zëri, për të qenë miqtë e nevojtarëve, për të dëgjuar britmat e të varfërve në mjerimet e tyre. Le ta kenë të varfrit e nevojtarët në mesin tuaj, si vendimmarrës, zërin e tyre të mbështetur e të fuqizuar e nëse ua fuqizojmë këtë zë, të mos t’i lëmë ta humbasin shpresën, sidomos kur ajo lidhet me mirëqenien e dinjitetin e jetesës. Kjo vëmendje dashurie është fillimi i një shqetësimi të vërtetë për qenien e tyre dhe duke filluar nga kjo, fillon edhe kërkimi i të mirës për ta”, thuhet më tej në mesazh.
Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri theksojnë se tërmeti, pandemia, kriza e përshkallëzuar ekonomike, që ndihet tek rritja e çmimeve të prodhimit e kanë shtuar numrin e parregullsive morale e shoqërore që sigurisht shkaktojnë gjithnjë e më shumë forma të reja varfërie, si pasojë e aktorëve ekonomikë e financiarë të paskrupullt, të privuar nga çdo ndjeshmëri njerëzore e përgjegjësi shoqërore.
“Radhët që shtohen e bëhen më të gjata në qendrat tona për të varfrit, kërkesa e vazhdueshme, sidomos e familjeve të reja dhe e të rinjve, për emigrim, janë shenjë e prekshme e përkeqësimit të ekonomisë dhe mundësive për nevojtarët, duke treguar rritjen e numrit të tyre.
‘Varfëria nuk shkaktohet prej fatit, por është pasojë e egoizmit’. ‘Kështu, të varfrit na mësojnë solidaritetin, bashkëndarjen, sepse mishërojnë dinjitetin e dhënë nga Zoti që askush nuk mund t’ua marrë’, – na thotë Papa Françesku në mesazhin e tij për Ditën botërore të të varfërve.
Prandaj, ky mesazh është një thirrje e fortë për ata të cilëve populli iu ka besuar administrimin e të mirës së përbashkët, për politikën, për qeverinë, që të mos e humbasin mundësinë për ta bërë të mirën, sepse ‘Zoti i do ata që dhurojnë me gëzim'”.
Mesazhi i drejtohet Qeverisë, Kuvendit të Shqipërisë, Institucioneve financiare vendase dhe ndërkombëtare, Bashkive të vendit, që të mbështesin dinjitetin e të varfërve dhe nevojtarëve.
“Kështu, le t’i kundërvihemi të gjithë së bashku kulturës së indiferencës, padrejtësisë dhe përjashtimit. Viktimat e para të kësaj kulture janë pikërisht të varfrit, nevojtarët e të mënjanuarit. Me bindjen se do të dëgjohet zëri i të varfërve, sikurse na fton edhe Papa Françesku, ne Ipeshkvijtë përtërijmë angazhimin tonë për të qenë pranë nevojtarëve, ashtu sikurse kemi bërë gjithmonë, duke ofruar mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë dhe të institucioneve tona të bamirësisë, në këtë sfidë kundër varfërisë, brenda mundësive tona, por me gjithë vetveten tonë. Gjithashtu sigurojmë lutjen tonë për të mirën e përbashkët, paqen dhe shpresën në vendin tonë! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”.