Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, u shpreh sot se shpallja “non grata” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve e tij nga SHBA-të u mbështet vetëm në fakte. Kim thotë se një vendim i tillë erdhi përmes një procesi shumëvjeçar të shqyrtimit të gjithë informacionit.
Në njv intervistë pvr Top Channel, Kim shprehet se kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor, zakonisht është shumë e dukshme. Ajo tregon se kur vendimi arrin në tryezën e tij, pavarësisht se kush është personi i shpallur non grata, bindja është 100 për qind e sigurt.
Duke folur për mundësinë nëse persona të tjerë në Shqipëri mund të shpallen non grata nga SHBA-të, ambasadorja amerikane thotë se do të vazhdohet të tregohen me gisht të gjithë ata që përfshihen në korrupsion dhe që minojnë demokracinë në vend.
Kim iu përgjigj pyetjes se çfarë do të ndodhë me PD nëse drejtimin e saj e merr Sali Berisha, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do angazhohen me askënd që është shpallur për korrupsion madhor nga Sekretari i Shtetit, duke theksuar më tej se kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka të bëjë fare me individët.
Pjesë nga intervista e Yuri Kim
Top Channel: SHBA kanë pasur marrëdhënie të mira me thuajse të gjitha qeveritë shqiptare të partive të ndryshme, PD dhe PS. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit ka deklaruar ish-Kryeministrin Sali Berisha non-grata, një figurë e rëndësishme dhe bashkëpunëtor i ngushtë juaji. Si e shpjegoni?
Ambasadorja Yuri Kim: Ne shohim faktet dhe nuk shohim partinë politike të dikujt. E di që ka disa teori konspirative sikur kjo vë në shënjestër një krah apo tjetrin. Do vija në dukje që deri më sot janë katër persona që janë shpallur nga Sekretari i Shtetit, besoj nga 2018. Dhe shumica e tyre nuk janë me Partinë Demokratike, pra, partia s’ka fare të bëjë me këtë. Ne shohim faktet; e gjitha kalon në një proces shumëvjeçar zakonisht, ku shqyrtojmë të gjithë informacionin. Vendimmarrësit bëjnë më shumë pyetje dhe në çastin kur vendimi arrin në tryezën e Sekretarit të Shtetit, pavarësisht kush është, ne jemi 100 përqind të sigurt. Dhe fakti është po ashtu që kur dikush shpallet, dhe nuk flas vetëm për Shqipërinë; shikoni edhe të tjerët që Shtetet e Bashkuara kanë shpallur në botë; në atë listë nuk është askush që njerëzit e shohin shpalljen dhe mendojnë: kjo qenka mister. Nuk është mister. Faktet janë përpara syve. Ndaj ne jemi shumë të bindur me shpalljet tona dhe duhet t’ju them që Presidenti Biden e ka bërë shumë të qartë përmes disa prej Urdhrave Ekzekutivë të tij dhe një Proklamate Presidenciale në qershor që, për Shtetet e Bashkuara, korrupsioni është një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Duam që partnerët dhe aleatët tanë si Shqipëria të jenë të fortë dhe të sigurt, të jenë demokraci të vërteta. Korrupsioni është pengesë për këtë. Ndaj, nëse pyetja tjetër e juaja do të jetë “A do ketë shpallje të tjera?”, të shohim, besoj se do të ketë dhe ne do të vazhdojmë të tregojmë me gisht ata që përfshihen në korrupsion, ata që minojnë demokracinë në këtë vend, të cilin e konsiderojmë mik të ngushtë. Nuk do t’ju braktisim. Kemi bërë rrugë tepër të gjatë. Shtetet e Bashkuara kanë investuar së tepërmi dhe Qeveria Amerikane kujdeset aq sa të mos ta lërë mënjanë këtë.
A do të kemi shpallje të tjera non-grata? A do të përfshihen edhe ndëshkimet nga Departamenti i Thesarit?
Ambasadorja Yuri Kim: Kemi një numër mjetesh në dispozicion të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara – shpalljet nga Departamenti i Shtetit, shpalljet nga Departamenti i Thesarit, si dhe të tjera. Ndaj, të shohim. Është proces shumë i mbyllur, pra shumë konfidencial dhe nuk kam ndonjë informacion që mund ta ndaj me ju këtë moment.
Çfarë ndodh në marrëdhënien tuaj me PD nëse ish-kryeministri Sali Berisha merr drejtimin e saj?
Ambasadorja Yuri Kim: Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur.
A e mbështet SHBA kryetarin e PD, Lulzim Basha?
Ambasadorja Yuri Kim: Njohim personin e zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj Z. Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë.
Cilat janë problemet kryesore që doni që Shqipëria të korrigjojë? Flitet shumë për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ambasadorja Yuri Kim: Keni identifikuar thelbin e problemit në Shqipëri. Kam qenë për thuajse dy vjet këtu dhe kanë qenë shumë të veçantë dhe shumë të mrekullueshëm. Shoh inteligjencën, sa fort punojnë dhe gëzimin e popullit shqiptar. Ndjej shpresën e tyre, por ndjej edhe frustrimin e tyre dhe Shtetet e Bashkuara, si mike dhe aleate e Shqipërisë dhe si mbështetëse të popullit shqiptar dhe dëshirës së tyre për demokraci, duam të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju mbështetur që ky vend të jetë sa më i drejtë që mundet, sa më demokratik që mundet, sa më i fortë që mundet, dhe sa më i pasur që mundet. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë pengesa në atë rrugë. Ndaj nuk është aksident që në të gjitha raportet tona që nxjerr Departamenti i Shtetit, ne e identifikojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar si shqetësime serioze. Ndaj, do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë, do të vazhdojmë të punojmë me opozitën, do të vazhdojmë të punojmë me shoqërinë civile, do të vazhdojmë të punojmë me organizatat ndërkombëtare për t’i trajtuar këto çështje. Synimi ynë nuk është vetëm të identifikojmë problemet apo të kritikojmë, kjo është e lehtë. Qëllimi ynë është të punojmë me partnerët për të korrigjuar problemet në mënyrë domethënëse dhe të vërtetë.
A jeni e kënaqur me punën e SPAK sot, thuajse dy vjet nga ngritja e tij?
Ambasadaroja Yuri Kim: Keni të drejtë, SPAK po i afrohet dyvjetorit dhe do lë Arben Krajën të ofrojë informacionin e plotë se sa përparim është bërë. Për pjesën tonë, siç e dini, Shtetet e Bashkuara kanë investuar jashtëzakonisht shumë në reformën në drejtësi. Jemi shumë të kënaqur të shohim SPAK që funksionon dhe po fillon të japë rezultate. Deri tani, mbi 250 persona janë dënuar, janë futur në burg. Mbi 80 milionë euro asete janë konfiskuar me sukses. Pra kaq janë konfiskuar në dy vite. E dini krahasimin me të shkuarën? Nga 2011 në 2019, u konfiskuan 20 milionë euro. Pra, dallimi është shumë i madh. Mendoj që edhe publiku ka parë disa raste të profilit të lartë që janë shpallur. Dhe jemi të kënaqur që kur SPAK shkon në gjykatë, fitojnë 90 përqind të rasteve. Është nivel shumë i lartë suksesi. Do të vazhdojmë të mbështesim fort përpjekjet e SPAK-ut. Jemi të kënaqur ta shohim Byronë Kombëtare të Hetimit të plotësuar me hetuesit e saj. Kjo do të ndihmojë shumë dhe do të vazhdojmë të nxisim të gjitha institucionet, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë, të kryejnë detyrën, përfshi nëpërmjet procesit të vetingut.
Mendimi juaj për punën e organeve të vetingut si dhe mandatin e tyre?
Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj që është në proces diskutimi ndaj nuk do them më shumë. Mendoj se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për këtë çështje është i qartë.