Ish-kryeministri Sali Berisha tha sot se kush nuk e njeh statutin përjashton veten dhe del nga radhët e partisë. I pyetur se cila do të jetë lëvizja e tij në qoftë se Basha apo lidershipi i PD nuk e njeh Kuvendin dhe ndryshimet e statutit, Berisha tha në konferencën për mediat se çdo demokrat dhe demokrate do të respektojë vullnetin e shumicës, statutin dhe forumet e PD-së, përndryshe zgjedhin rrugën e vetëlargimit.
Ai theksoi se një nga ndryshimet e statutit do jetë lejimi i fraksioneve.
“Nuk dua të paragjykoj asgjë. Ai që nuk njeh statutin, përjashton veten. Del nga radhët e partisë. Statuti është kushtetuta e partisë. Pavarësisht nga deklaratat që janë bërë, unë mendoj se çdo demokrat dhe demokrate do të respektojë vullnetin e shumicës, statutin dhe forumet e PD-së, përndryshe zgjedhin rrugën e vetëlargimit, zgjidhje që nuk ua këshilloj. Një nga ndryshimet themelore të statutit, do të jetë lejimi i fraksioneve. NE PD-në do e shndërrojmë në shtëpinë e lirisë”, tha ai.
Sa i përket synimit për kryeministër, ndërsa ka deklaruar gjatë takimeve të “Foltores” se kush do të jetë kryeministër nuk do jetë dhe kryetar i partisë, ai tha se kryeministri do të votohet me primare. Teksa shtoi se ka një kërkesë masive për rikthimin e tij, gjë të cilës nuk i ka rezistuar dhe se e pranon si detyrim.
“Jo, kam deklaruar që mund ta bëj. Kam deklaruar se edhe kryeministri do të votohet me primare dhe jo detyrimisht do të jetë kryetari i partisë. Unë do pranoj çdo lloj verdikti që të japin demokratët me votën e tyre të përgjithshme, por në këtë lëvizje, siç është e qartë si drita e diellit se ka një kërkesë masive për rikthimin e Sali Berishës, gjë të cilës nuk i rezistoj. Unë e pranoj, e pranoj si një detyrim, por në çdo moment që demokratëve të mos iu duket e arsyeshme unë pranoj verdiktin e tyre. Por ju e shihni. Le të dalë Edi Rama në një debat televiziv me Sali Berishën. Morën çerekun e audiencës me foltoren. janë mërzitur njerëzit. Njerëzit duan debatin e lirë. Se çfarë ofron foltorja. Ofron fjalën e lirë të njerëzve të lirë. Gjithçka në rrafshin moral. pse është bërë kaq tërheqëse, kaq entuziazmuese, pikërisht fjala e lirë nga njerëz të lirë”, tha Berisha.
I pyetur se cili do të jetë fati i Lulzim Bashës nëse vjen në krye të PD-së, Berisha tha se PD nuk përjashton.
“Partia Demokratike nuk përjashton. Janë larguar njerëz, por janë larguar vetë për arsye që i kanë gjykuar të drejta. Lulzim Basha me gjithë dëmin e tmerrshëm që i ka bërë PD-së, megjithësë është peng për faj të vetin dhe të asnjë demokrati, përsëri mendoj se do jetë vetë ai që do e përcaktojë vendin e tij. Demokratët do të flasin me votë për Lulzim Bashën”, deklaroi ai.
Ndërsa pyetjes se çfarë do të ndodhë më 12 dhjetor në selinë e PD-së pasi Basha nuk e njeh Kuvendin dhe as produktin e këtij Kuvendi, Berisha iu përgjigj se PD më 12 dhjetor gdhin e rithemeluar.
“Tani është njëlloj si të thuash z. Basha nuk njeh më veten e tij. Edhe kjo mund të ndodhë por këto janë punët e tij.
PD me datën 12 dhjetor gdhin e rithemeluar, gdhin e fuqishme në këmbë, do vazhdojë projektin e saj. Nuk është projekt që përfundon më 11 dhjetor, ka faza të tjera. Kryetari pa parti, në vlerësimin tim, duhet të votohet nga anëtarësia e partisë, ndonëse Kuvendi ka pushtet absolut për shkarkimin e tij. Këto janë çështje që do zgjidhen gjatë rrugës”, tha Berisha