Pas miratimit me konsensus të rregullores së brendshme të komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, partia Demokratike ka publikuar edhe 21 kërkesat për hetimin e zgjedhjeve.
Në këtë listë, i kërkohet SPAK-ut se çfarë faze ndodhen hetimet lidhur me kallëzimet penale për krimet zgjedhore dhe hetimet lidhur me publikimin e të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve të Tiranës. PD kërkon informacion të plotë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, për numrin e shtetasve të ndaluar, arrestuar dhe që janë referuar pranë organit të akuzës për krime zgjedhore, si edhe për ata që kanë hyrë në vend gjatë periudhës 19 mars deri më 25 prill 2021.
PD kërkon informacion edhe nga kreu i SHISH për personat që kanë kryer krime zgjeshore. Po kështu, PD-ja kërkon informacion për tenderat dhe lejet e ndërtimit gjatë periudhës 1 janar 2020 deri më 30 prill 2021, si edhe për certifikatat e pronësisë të dhëna gjatë kësaj periudhe. Në listën e PD-së, bie në sy edhe kërkesa ndaj bashkive, ministrisë së Brendshme, OSHE, Administratën Publike për numrin e të punësuarve në këtë periudhë. Kërkohet informacione dhe për shqiptarët që kanë pasur të drejtë vote jashtë vendit dhe për shqiptarët që kanë ndërruar adresat.
21 kërkesat për hetimin e zgjedhjeve nga PD
1. SPAK
PD kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Drejtuesit të Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Arbe Kraja, për numrin e kallëzimeve penale të depozituar pranë kësaj prokurorie lidhur me krimet zgjedhore. Numrin e procedimeve penale të regjistruara lidhur me krimet zgjedhore dhe në çfarë faze ndodhen hetimet lidhur me to dhe në çfarë faze ndodhen hetimet lidhur me publikimin e të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve të Tiranës.
2. Prokurorisë së Përgjithshme
PD kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, në lidhje me numrin e kallëzimeve penale të depozituar pranë prokurorive të rretheve gjyqësore lidhur me krimet zgjedhore. Numrin e procedimeve penale të regjistruara lidhur me krimet zgjedhore dhe në çfarë faze ndodhen hetimet lidhur me to.
3. Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
PD kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, për numrin e shtetasve të ndaluar, arrestuar dhe që janë referuar pranë organit të akuzës për krime zgjedhore, në rang kombëtar dhe për secilin qark. Numrin e shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë nga Republika e Greqisë dhe e Maqedonisë së Veriut në periudhën 19.04.2021 – 25.04.2021 si dhe vendosja në dispozicion e listës së plotë e këtyre personave.
4. Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit
PD kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Drejtor i Përgjithshëm i Rezervave Materiale të Shtetit, Sokol Zaimi, për gjendjen e rezervave të shtetit në depozitat qëndrore dhe lokale për çdo muaj në periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021.
5. Inspektoriatet
PD kërkon informacion të plotë dhe të detajuar 10 inspektoriateve në lidhje me numrin e të punësuarve pranë këtij institucioni dhe pranë institucioneve vendore (inspektorateve/drejtorive vendore) përgjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021. Në lidhje me rritjen e rrogës, apo shpërblime për secilën kategori punëmarrësish dhe sa punonjës kanë përfituar nga kjo rritje? Nëse ka patur shtesa apo shpërblime ndaj punonjësve të institucionit tuaj, masat administrative të marra ndaj subjekteve të inspektimit, numrin e inspektimeve të kryera dhe masave të marra në secilin qark përgjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021
6. Agjensia e Prokurimeve Publike
PD kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Drejtores së Përgjithshme të Agjencisë së Prokurimeve Publike, Reida Kashta, në lidhje me numrin e tenderave, koncesioneve, PPP-ve të shpallura apo për të cilat fituesi është shpallur në periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndarë sipas muajve. Vlerën totale e fondit limit për procedurat e mësipërme për secilin muaj gjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021. Vlerën totale të ofertave të shpallura fituese për secilin muaj gjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021.
7. Këshilli Kombëtar i Territorit
PD kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit, Edi Rama, në lidhje me numrin e lejeve të ndërtimit që janë dhënë për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndara sipas secilit muaj të kësaj periudhe dhe për secilën njësi vendore. Numrin e hapësirës në metër katrorë që këto leje zënë, sipas bashkive në të cilat janë dhënë lejet, për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021.
8. Agjensisë Shtetërore e Kadastrës
PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Drejtorit të Përgjithshëm të Kadastrës Artan Lame në lidhje me numrin e lejeve të legalizimit të dhënë përgjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndara sipas secilit muaj të kësaj periudhe. Numrin e certifikatave të pronësisë të dhëna përgjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndara sipas secilit muaj të kësaj periudhe.
9. Bashkitë
PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar kryetarëve të 61 bashkive ku i drejtohen 9 pyetje në lidhje me numrin e të punësuarve pranë Bashkisë, institucioneve të saj të varësisë, përfshi edhe shoqëritë në pronësi të saj, rritjen e fondeve të pagave, rritjen e numrit të punonjësve, rritjen e shtesave dhe shpërblimeve, numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike dhe numrin e lejeve të ndërtimit si edhe hapësirat në metër katrorë të dhëna nga bashkia për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021.
10. Ministri i Shtetit për Rindërtimin
PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Ministrit të Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj, në lidhje me numrin e banesave të ndërtuara/rindërtuara, për të cilat është bërë dorëzimi i banesave gjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndara sipas secilit muaj të kësaj periudhe dhe në secilën Bashki. Numrin e familjeve që janë prekur nga tërmeti dhe që kanë përfituar dëmshpërblim gjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndara sipas secilit muaj të kësaj periudhe dhe në secilën Bashki? Sa është masa e shpërblimit për këto familje.
11. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile
PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile Bledar Doracaj, në lidhje me numrin e shtetasve shqiptarë që kanë ndryshuar adresën e banimit në periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021. Kompanitë e nënkontraktura në pesë vitet e fundit për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave të gjendjes civile, emrat e kompanive dhe të dhënat kryesore të marrëdhënieve kontraktore që kanë ekzistuar këto kompani. PD kërkon të dhëna nëse janë vërejtur incidente me bazën e të dhënave që administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në rrjedhje të të dhënave, hyrje të paautorizuara apo cenime të tjera të parametrave të sigurisë dhe nëse Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile zyrtarisht ose informalisht i ka vënë në dispozicion të dhëna personale Partisë Socialiste apo personave të lidhur me të.
12. Departamenti i Administratës Publike
PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Drejtores së Përgjithshme të Departamentit të Administratës Publike Albana Koçiu në lidhje me numrin e punonjësve në administratën publike, qendrore dhe vendore për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021, të ndarë për secilin muaj të kësaj periudhe. Për administratën publike vendore, sa është numri i punonjësve në secilin qark dhe secilën bashki?
13. Kompani Publike
PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Korporatës Elektronergjitike Shqiptare (KESH), Operatorit të Sistemit Të Transmetimit (OST) Postës Shqiptare, në lidhje me numrin e punonjësve si edhe të rinj të punësuar, rritjen e pagave, shërblimet dhe shtesat mbi pagat dhe me cfarë akti është miratuar shpërblimi apo shtesa mbi pagë, për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021.
14. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në lidhje me numrin e personave apo familjeve që kanë përfituar ndihmë ekonomike, familjeve që kanë hyrë në skemën e ndihmës ekonomike për here të parë, rritjen e masës së përfitimit të ndihmës ekonomike për familjet përfituese përgjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021.
15. Bashkitë – Tërmeti
PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar 11 bashkive, Durrës, Shijak, Krujë, Lezhë, Mirditë, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë, Rrogozhinë, mbi numrin e banesave të ndërtuara dhe të rindërtuara, numrin e familjeve që janë prekur nga tërmeti dhe që kanë përfituar dëmshpërblim gjatë periudhës 01.01.2020 – 30.04.2021 dhe sa është masa e shpërblimit për këto familje.
16. Agjensia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit
PD i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Mirlinda Karcanaj, nga Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit, ku i drejtohen tre pyetje në lidhje me kompanitë e nënkontraktura në pesë vitet e fundit për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave të gjendjes civile. Emrat e kompanive të shoqërohen edhe me të dhënat kryesore të marrëdhënieve kontraktore që kanë ekzistuar këto kompani. Nëse janë vërejtur incidente me bazën e të dhënave që administrohet nga Agjensia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit, në hyrje të paautorizuara apo cënime të tjera të parametrave të sigurisë, nëse ka pasur ndonjë/disa raste kur institucioni juaj zyrtarisht ose informalisht i ka vënë në dispozicion të dhëna personale Partisë Socialiste apo personave të lidhur me të, nga ato që administrohen nga ky institucion.
17. Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave personale
PD i kërkon Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, vënien në dispozicion të praktikës së plotë të ndjekur për rastin e publikimit të të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve të Tiranës.
18. Ministria e Brendshme
PD i kërkon Ministrin të Brendshëm Bledar Çuçi, informacion të plotë dhe të detajuar lidhur me numrin e shqiptarëve me të drejtë vote që jetojnë jashtë Shqipërisë, veçanërisht atyre që jetojnë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut.
19. Ministritë
PD i kërkon 11 ministrive informacion të plotë dhe të detajuar mbi numrin e punonjësve të Ministrisë si edhe ata të rinj, në institucionet e saj të varësisë, përfshi edhe shoqëritë ku Ministria ka pronësinë, për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021.
20. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
PD i kërkon Ministres së Bujqësisë dhe Zhvilimit Rural, Frida KRIFCA, vënien në dispozicion të një informacioni të detajuar mbi numrin, vlerën e rimbursimeve, tollonave të karburanteve të dhëna fermerëve për periudhën 01.01.2020 – 30.04.2021.
21. Shërbimi Informativ Shtetëror
PD i kërkon Drejtorit të Përgjithshëm i Shërbimit Informativ të Shtetit, Helidon BENDO, informacioni të detajuar në lidhje me 4 pyetje të cilat kanë të bëjnë me veprimtarinë dhe nëse janë konstatuar persona të dyshuar si të përfshirë në krime zgjedhore. Nëse ky institucion ka përcjellë pranë organeve ligjzbatuese informacione lidhur me dyshime të arsyeshme për persona të përfshirë në krime zgjedhore dhe numrin total të informacioneve të përcjella për këtë çështje. SHISH i shtrohet gjithashtu pyetja nëse gjatë veprimtarisë së saj ndaj elementëve të krimit të organizuar, a janë konstatuar raste të përfshirjes së tyre në krime zgjedhore apo në fushatë zgjedhore? A janë informuar organet ligjzbatuese lidhur me këto raste? Sa është numri i tyre? Sa është numri total i informacioneve të trajtuara dhe përpunuara nga institucioni juaj, që përfshinë dyshime për angazhim në krime zgjedhore, e ndarë sipas secilit qark?