Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, anëtar i Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, tha në mbledhjen e sotme se të dhënat sensitive personale të qytetarëve u kepërdorën për të favorizuar Partinë Socialiste dhe për të shantazhuar zgjedhësit.
Sipas demokratëve, përgjegjës për këtë skandal të përmasave ndërkombëtare, janë shtetasit Edi Rama, Kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryeministrër i Republikës së Shqipërisë, Bledi Çuçi, Ministër i Brendshëm, Anila Denaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Arben Pëllumbi, Sekretar Organizativ dhe i Koordinimit Elektoral në Partinë Socialiste dhe Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Mirlinda Karçanaj, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Bledar Doracaj, Drejtori i Pergjithshëm i Gjendjes Civile dhe Enton Duro, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, të cilët me veprime konkrete kanë konsumuar veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” parashikuar nga neni 328/a, “Përhapjes së sekreteve vetjake” parashikuar nga neni 122 dhe “Grupit të strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a të Kodit Penal.
Bardhi tha se sipas një investigimi të publikuar në 11 prill, media Lapsi.al ka arritur ta sigurojë një database ku janë të përfshira të dhëna personale dhe sensitive të 910 mijë votuesve të Tiranës nga 19 deri në moshën 99 vjeç.
Sipas tij, dokumenti përmban të dhënat personale, si numrat e telefonit, numrin e kartës së identitetit, numrin e qendrës së votimit, vendin e punës për shumicën e të regjistruarve dhe një përshkrim të përkatësisë politike për secilin prej qytetarëve të Tiranës, e cila praktikisht është fryti i një pune monitorimi të qytetarëve, që ka në themel të saj, të dhënat që ne ia kemi besuar shtetit.
“Në database, përmbajtja e të cilit përbën vepër penale, janë të dhënat për 910 mijë qytetarë të Tiranës të cilët nuk i kanë dorëzuar me vullnetin e tyre informacionet për Partinë Socialiste, por ato i janë vjedhur secilit prej nesh, që nga numrat e telefonit, numri ID i kartës së identitetit apo vendi i punës etj.
Sipas investigimit, ky dokument është shpërndarë në kompjuterat e selisë së PS të Tiranës, ku bëhet përpunimi i të dhënave, e njëjta procedurë antiligjore ndodh në selitë e degëve të PS në qarqet e tjera, duke e shpërndarë këtë skemë pune për të gjithë votuesit e Shqipërisë.
Nga një verifikim i thjeshtë, rezulton se të dhënat e qytetarëve janë azhornuar në muajt e fundit. Gjatë kohës së pandemisë, e-Albania ka qenë një ndër aplikacionet jetike, kur secili prej nesh është detyruar ta përdorë për një qëllim apo një tjetër”, tha deputeti demokrat.
Në vijim ai theksoi se të gjitha të dhënat personale që përpunohen nga portali e-Albania kanë qëllim vetëm marrjen e shërbimeve të ofruara nga kjo e fundit dhe në bazë të ligjit nuk lejohet transferimi i këtyre të dhënave ndonjë pale të tretë pa miratimin paraprak të personit të të dhënave.
“Sistemi i të dhënave përfshin informacione për ministra, familjarë të tyre, drejtorë, prokurorë, avokatë, gjyqtarë, policë, gazetarë të të gjitha mediave në Tiranë, aktorë të angazhuar apo jo në politikë, personazhe të shoqërisë civile dhe të jetës publike, të gjithë nën vëzhgimin syrit magjik, që sheh përtej ligjit.
Përdorimi i të dhënave personale dhe sensitive vjen në kundërshim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën, Kodin Penal, Kodin Zgjedhor si dhe Ligjin Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Ky krim i shumëfishtë me përmasa ndërkombëtare, përbën një rast flagrant se si shteti i vë në dispozicion Partisë infrastrukturën e tij për të fituar zgjedhjet. Mbledhja, përpunimi dhe publikimi i të dhënave të personale dhe sensitive, për të cilat askush nuk ka dhënë pëlqimin e tij për mbledhjen, përpunimin apo publikimin e tyre, përbën shkelje ligji sikurse është trajtuar në çështjen Radu v. Moldavia, 2014. Nga ana tjetër, origjina etnike, bindjet, anësia politike, ose pjesëmarrja në shoqata apo sindikata parashikohen edhe si të dhëna sensitive nga neni 3 § 2 i ligjit 9887 të trajtuara gjithashtu në çështjet Catt k. Mbretërisë së Bashkuar § 112, dhe S. and Marper k. Mbretërisë së Bashkuar § 66.
Nëpërmjet kësaj skeme kriminale që cënon rëndë procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në mënyrë të paprecedentë janë instaluar kompjutera dhe servera në Selinë e Partisë Socialiste, duke përdorur për fushatë të dhënat konfidenciale dhe personale të qytetarëve nga portali e-Albania”, tha Bardhi.
Sipas tij, duke përdorur të dhënat personale të administruara nga shteti, Partia Socialiste ka disponuar në mënyrë të paligjshme të dhënat personale të qytetarëve në kohë reale bazuar në qendrat e votimit, të tilla si: a janë apo jo qytetarët e punësuar, a kanë detyrime tatimore, a kanë aplikuar për legalizime, hipoteka apo do certifikatë tjetër të lëshuar nga ASHK-ja, a kanë paguar sigurime shoqërore, a kanë aplikuar për leje ndërtimi, a kanë aplikuar për licence apo leje të ndryshme etj.