Ngadalësia e funksionimit të sistemit, si dhe dublimi i faturave, për audituesin ligjor Sokol Toska konsiderohen faktorë kyçë që do të ndikojnë te shtimi i informalitetit.
“Sistemi është i ngadaltë, dhe procesi i rakordimit (përgatitja e faturave dhe veprimeve për t’u dorëzuar për qëllime të TVSh-së) parashikon verifikimin e të gjitha faturave mujore dhe shumë shpesh, edhe ndërhyrjen në fatura për t’i paraqitur në përputhje me kërkesat e ligjit të TVSh-së.
Bizneset që përpunojnë numër të lartë faturash me ritmin e ngadaltë të funksionimit të portalit nuk mund të arrijnë në kohë datën 10 të muajit pasardhës për rakordimin e faturave. Shpesh faturat janë të dubluara, apo në raste të tjera nuk shfaqen në raportet që gjeneron portali SelfCare. Për shkak të gjithë këtyre problematikave, pa nisur mirë zbatimin, fiskalizimi duket një proces që do të konsumojë mjaft energji, kohë dhe kosto nga bizneset. Nga ana tjetër nuk duket se fiskalizimi do të ndikojë dukshëm në shmangien e transaksioneve fiktive, ku operatorët gjenerojnë fatura për të dokumentuar me qëllim ndryshimin e detyrimeve tatimore”.
Periudha tranzitore e fiskalizimit, sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo nuk duhet të shfrytëzohet për vlerësime nga tatimorët, pasi duke qenë se disa janë të fiskalizuar dhe të tjerë jo, do të krijojë pabarazi në trajtimin e biznesit. “Nëse administrata tatimore do të merret vetëm me ata që janë të fiskalizuar dhe do të marrë informacion vetëm prej tyre, kjo do të thotë që po vendos pabarazi në trajtimin e tatimpaguesve.
Mendoj se kjo periudhë nuk duhet të merret në konsideratë nga tatimet për të bërë vlerësime, pasi është e kotë kur nuk janë të gjitha bizneset e fiskalizuara. Duhet ta konsiderojë si periudhë tranzicioni për të kuptuar se çfarë mangësish ka procesi i ri, por jo të vlerësohet si periudhë për kontrollin e subjekteve”, thekson z. Dhamo.
Informaliteti
Bizneset që përpunojnë numër të lartë faturash me ritmin e ngadaltë të funksionimit të portalit nuk mund të arrijnë në kohë datën 10 të muajit pasardhës për rakordimin e faturave. Shpesh faturat janë të dubluara, apo në raste të tjera nuk shfaqen në raportet që gjeneron portali SelfCare. Për shkak të gjithë këtyre problematikave, pa nisur mirë zbatimin, fiskalizimi duket një proces që do të konsumojë mjaft energji, kohë dhe kosto nga bizneset. Nga ana tjetër nuk duket se fiskalizimi do të ndikojë dukshëm në shmangien e transaksioneve fiktive, ku operatorët gjenerojnë fatura për të dokumentuar me qëllim ndryshimin e detyrimeve tatimore
A do të zbatohet fiskalizimi në të gjithë Shqipërinë
Në fillim të procesit të ri të faturimit, pajisjet e bizneseve me zgjidhje software, internet dhe njohuri për përdorimin e tyre ishin në qendër të debatit për mosrealizimin e tij. Tashmë kur kanë kaluar 10 muaj nga nisja e fiskalizimit (procesi nisi më 1 janar 2021, Faza I mes bizneseve dhe enteve publike për transaksionet pa para në dorë), Sokol Toska, auditues ligjor, thotë se për këto arsye, reforma nuk mund të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. “Mendoj se shtrirja e fiskalizimit në të gjithë territorin e Shqipërisë do të jetë shumë e vështirë, pasi zbatimi i këtij procesi kërkon pajisje kompjuterike, internet, njohuri përdorimi, por edhe mbështetje për biznesin, pa përmendur kostot. Edhe udhëzimet dhe aktet ligjore dhe nënligjore të publikuara nuk janë të qarta, gjë që mund të sjellë që edhe trajtimi i mëvonshëm i problematikave nga ana e autoritetit tatimor të jetë arbitrar”, thotë z. Toska.
Ai pohon se nëse fiskalizimi për 3 vjet do të zbatohej nga korporatat e mëdha dhe institucionet publike, do të funksiononte pa probleme. Audituesi ligjor, Sokol Toska, thotë më tej se duhej vlerësuar nëse me infrastrukturën që disponojnë bizneset dhe administrata tatimore kur ishte koha e duhur për të kaluar te bizneset e tjera deri te njësitë e vogla.
“Zbatimi i fiskalizimit në 3 faza të shkurtra (nga fillimi i fazës së parë në janar 2021, 6 muaj deri në fillimin e fazës së dytë nga 1 korriku 2021 dhe dy muaj më pas deri në 1 shtator kur nisi faza e tretë) ekspozoi në mënyrë të menjëhershme operatorët, duke i gjetur të papërgatitur për implementimin e sistemit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për administratën tatimore, e cila nuk është në gjendje të mbështesë me informacion apo zgjidhje për problematikat e krijuara, shpesh duke dhënë zgjidhje të bazuara te praktika dhe përvoja e secilit subjekt”, nënvizon z. Toska.
Problematikat e pazgjidhura të procesit
Për kontabilistin Armand Mala, shumë probleme në fillim të procesit janë zgjidhur, por sipas tij ende kanë mbetur pa zgjidhje problematikat, si: mosshfaqja e faturave në platformën e blerësit; shfaqja e deklaratave doganore me shumë ditë vonesë; formatimi shumë i keq nëse fatura e blerjes printohet etj. Disa nga problematikat më kryesore sipas kontabilistit Armand Mala janë:
-Vonesa në marrjen e certifikatës dixhitale. Kohëzgjatja për marrjen e certifikatës elektronike është jo më pak se dy javë, por mund të vonojë edhe deri në një muaj. Por si hap i parë i procesit të fiskalizimit të subjektit ka krijuar jo pak problematika. Nga ngërçi i krijuar për muajin shtator, ka subjekte të cilat nuk kanë faturuar fare, duke e shtyrë faturimin, pasi të pajisen me certifikatën elektronike.
-Mosshfaqja e faturave në platformën e blerësit. Një problem shumë i shpeshtë mbetet fakti që edhe pse shitësi ka lëshuar një faturë të rregullt të fiskalizuar me të gjithë elementet, kjo faturë nuk shfaqet në portalin e blerësit, në këtë mënyrë duke krijuar dhe mërzitje mes subjekteve shitës-blerës. Pasi në shumë raste, blerësi i kërkon shitësit të kontrollojë edhe një herë faturimin, por ndërkohë shitësi nga ana e vet ka kryer faturimin sipas ligjit e me të gjithë elementet e faturës. Duhet të gjendet sa më parë arsyeja përse sistemi nuk ndërvepron mirë midis blerësit dhe shitësit, dhe nëse përditësimi për shfaqjen e faturave është vendosur një herë në ditë, ndoshta përditësimi do të jetë i nevojshëm në kohë reale. Në shumë raste, subjektet dëshirojnë të paguajnë menjëherë faturën e pranuar, por nuk mund të veprohet në bankë, sepse fatura nuk i është shfaqur.
-Shfaqja e deklaratave doganore me shumë ditë vonesë. Cilido subjekt që kryen zhdoganime ka detyrimin ligjor që brenda 72 orësh të fiskalizojë faturën e furnitorit të huaj. Kjo gjë praktikisht është e pamundur, pasi deklarata doganore shfaqet në portalin e blerësit me shumë ditë vonesë. Në opinionin tim, afati prej 72 orësh duhet të rishikohet, është logjike që gjithë blerjet të fiskalizohen para se librat e shitblerjes të konfirmohen, por afati 72 orë e vështirëson shumë edhe nëse nuk do të ketë probleme teknike të sistemit. Kujtojmë që shumë biznese mbajnë shërbimet e kontabilitetit nga zyra kontabiliteti dhe procesi, me afate të tilla, bëhet shumë i vështirë dhe do të ketë kosto ekstra për subjektet.
-Formatimi shumë i keq nëse fatura e blerjes printohet. Në praktikën e biznesit, subjektet dokumentojnë faturat në një dosje, edhe nëse ligji nuk detyron printimin e faturës. Printimi i saj nuk ka për t’u shmangur. E para, pasi jo të gjitha subjektet e kanë të mundur ndërlidhjen e programit të fiskalizimit me atë të mbajtjes së kontabilitetit, gjë që e bën të detyrueshme për t’u printuar fatura e më pas ta kontabilizojë në programin e kontabilitetit. E dyta, një faturë e printuar shërben për shumë procese të kontrollit të brendshëm të kompanisë.
Nuk mundemi t’i referohemi gjithnjë sistemit për të gjeneruar faturën për çdo gjë që mund të na nevojitet. Kur fatura printohet është e formatuar shumë keq, kolona e sasisë është e përzier me përshkrimin. Fatura shfaqet në 4 faqe edhe nëse ka një artikull apo të tjera problematika me të. Do të ishte e udhës që fatura të formatohet në formatin që bizneset janë mësuar deri më sot. Nëse do të ishte e mundur teknikisht, subjektet mund të ngarkonin edhe një logo apo një shenjë identifikuese të vetën, ku në kokën e faturës identifikohej shitësi, duke mos i bërë faturat binjake të njëra-tjetrës në shikim të parë.
-Vështirësitë me administrimin e artikujve dhe funksionaliteteve të tjera të sistemit. Përveçse lëshimi i një fature shitje apo pranimi i një fature blerje, sistemi ka një gamë të gjerë funksionalitetesh. Si, shtimi-largimi i operatorëve, raportimi i gjendjes së arkës, shënjimi i faturave si të paguara, inventari (gjendje, blerje, shitje), etj. Shumë biznese (kryesish të vogla) nuk i kanë kualifikimet për të kryer gjithë këto procedura në sistem.
Nëse në vetvete faturimi (lëshim fatura shitje – pranim fatura blerje) është një reformë dhe me shumë vështirësi subjektet do të mësohen, kryerja e funksionaliteteve të tjera si më sipër e bën shumë më të vështirë këtë proces. Mendoj se është e tepërt t’i kërkohet një biznesi të vogël të hyjë në portal dhe të administrojë artikujt e inventarit, të bëjë raportime të gjendjes së arkës, etj. Mendoj se në një periudhë 1-2-vjeçare, sistemi të shërbejë vetëm si një mjet faturimi, pa e vënë fokusin te funksionalitetet e tjera. Në këtë formë, përshtatja e bizneseve do të jetë më graduale.
-Anulimi i faturave. Nëse ke lëshuar një faturë në mënyrën e vjetër dhe për një arsye të duhet ta anulosh këtë faturë, teknikisht është e pamundur. Problematika të tilla duhet të ndiqen në kohë reale dhe të jepen udhëzime përkatëse nga Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve (DPT) për të ndihmuar sa më shumë në këtë proces të rëndësishëm.
-Pranimi i faturave të blerjes. Disa biznese, profesione të cilët janë kryesisht të vetëpunësuar, e kanë të pamundur të njohin sistemet e fiskalizimit. Është e tepërt t’u shpjegosh sesi duhet të veprojnë për të pranuar një faturë apo për t’u loguar në SelfCare. Në një periudhë kaq të shkurtër nuk janë të pakta rastet kur biznese të caktuara faturohen pa dijeni (me apo pa qëllime dashakeqëse), pa qenë fare në transaksion.
Është shumë e vështirë për një kategori biznesesh të vogla të kërkojnë në portal, në mënyrë të shpeshtë e periodike se nga cilët janë faturuar. Kjo problematikë mund të hapë shtigje që biznese të caktuara të faturojnë subjekte pa dijeninë e tyre. Mendoj se në këtë pikë, për të ardhur në ndihmë, sistemi duhet të mundësojë për këdo që dëshiron të vendosë të njoftohet nëpërmjet një mesazhi apo emaili sa herë që në portalin e tij postohet një faturë.”
Kontabilisti Sotiraq Dhamo kërkon që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) të qartësojë se si do të veprohet me faturat e parapaguara para datës të fiskalizimit, pasi nuk mund të bësh korrigjimin e tyre në platformë. Për shqetësimin e ngritur nga kontabilisti mbi korrigjimin e faturave të lëshuara para fiskalizimit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dha këtë përgjigje për “Monitor”: “Tashmë jemi në fazën e testimit dhe shumë shpejt do të finalizohet në sistem korrigjimi i faturave të lëshuara përpara datës së fiskalizimit. Menjëherë me vënien në funksion të këtij procesi, të gjithë tatimpaguesit do të njoftohen për mënyrën e korrigjimit të faturave të mëparshme”.
Tatimet sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo duhet të sqarojnë edhe se cilat fatura duhet të kalojnë në platformë. “Më herët u tha për faturat e lëshuara para 1 korrikut se do të kalojnë në platformë. Çfarë do të ndodhë më 1 janar 2022? Cilat fatura do të kalojnë në platformë? Faturat e fiskalizuara apo ato që janë deklaruar në e-filling nga exeli i librave të shitblerjes? Ende ka probleme që nuk besoj se zgjidhen me kontrollin e Tatimeve te bizneset me radhë”, thotë Dhamo. Për këtë qartësi, administrata tatimore shpjegoi se në platformë është e regjistruar çdo faturë që ka lëshuar tatimpaguesi nëpërmjet platformës.
Efektet e fiskalizimit, një nga faktorët që ndikojnë në shtrenjtimin e bukës
Importuesit kryesorë të produkteve ushqimore paralajmërojnë se zbatimi i plotë i procesit të fiskalizimit do të ndikojë te rritja e çmimeve. Administratori i kompanisë “Bloja” z. Adi Haxhiymeri, thotë se efektet nuk do të ndihen vetëm te çmimi i miellit dhe bukës, por edhe te produktet e tjera ushqimore.
“Çmimet e produkteve ushqimore parashikohet të rriten, jo vetëm për shkak të rritjes të tyre nga importi, por edhe nga fiskalizimi. Ndryshimi i faturimit pritet të rrisë kostot te të gjitha bizneset e vogla. Para zbatimit të procesit të fiskalizimit, shitësit pas dorës së dytë deri te dyqanet e vogla (që furnizohen me produkte nga importuesit) nëse pa u fiskalizuar nuk prisnin fatura dhe kjo ka ndikuar tek ulja e çmimit, me procesin e fiskalizimit, këto biznese do të jenë të detyruara të lëshojnë faturë të fiskalizuar.
Kjo pritet të rrisë kostot e tyre dhe detyrimisht ata do të rrisin çmimet, pasi nuk kanë se si ta amortizojnë rritjen. Zbatimi i procesit të fiskalizimit është pozitiv, pasi synon uljen e informalitetit, por në anën tjetër, konsumatorët duhet të jenë të përgatitur, pasi pritet të ndikojë te rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe të tjerë”. /Revista Monitor/
Efektet e fiskalizimit gjysmak, do ndikojnë në shtimin e informalitetit