Vettingu i politikanëve/ Braho: Krijon zgjedhje të lira …

Partia Demokratike ka dorëzuar amendamentet e ndryshimeve kushtetuese ku përfshihet dhe vettingu i politikanëve.

Ledio Braho, anëtar i Komisionit të Sanksioneve dhe Ankesave në KQZ në një intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se  drafti që ka depozituar PD duket që është pothuajse i njëjti proces si në rastin e gjyqtarëve e prokurorëve, me ndryshimin që struktura që do të merret me këtë proces do të jetë një strukturë ekzistuese siç është SPAK.

Braho: Ndryshimi tjetër është për faktin që prokurorët e gjyqtarët hetohen dhe gjykohen dhe për kriterin e profesionalizmit, ndërkohë për politikanët kriteret do të jenë vetëm pasuria dhe figura apo integriteti. Ky propozim nga PD është bërë dhe më parë në 2018 dhe i është kërkuar opinion Komisionit të Venecias, i cili në raportin që dërgoi ngrinte një sërë pikëpyetjesh në atë draft.  Ndërsa drafti që ka dërguar tani PD-ja mesa duket është korrigjuar dhe në pamje të parë duket sikur i plotëson ato kritere.

A kemi ne ligje që mund ta parandalojnë korrupsionin në nivele të larta?

Sipas Brahos, kemi ligje por reforma në drejtësi i ka ashpërsuar ligjet në këtë fushë. Gjithashtu duhet të kemi parasysh që krijimi i SPAK dhe GJKKO duhet të sillte si pasojë ndëshkimin e korrupsionit, sipas tij.

LEXO EDHE  Oktapodi i inceneratorëve dhe njeriu me dy emra

Braho: Kur bëhet fjalë për një proces vettingu barra e provës kthehet në krahun tjetër. Nëse organi i akuzës SPAK do të duhet që të provojë në rastin e veprës penale të korrupsionit akuzën dhe prezumohet parimi i pafajësisë për subjektet, në rastin e vettingut në politikë barra e provës i kalon subjekti, pra do të jenë politikanët që do të duhet të provojnë pasurinë e tyre.

Ai u shpreh se në rastin e vettingut nuk është detyrë e SPAK që të provojë, por subjektet duhet të bëjnë deklarimet dhe në bazë të ndryshimeve kushtetuese barra e provës do t’i kalojë kë tyre subjekteve.

Braho: Bërja e vettingut në politikë mund të ndihmojë në zgjedhje të lira sepse të gjithë ata që mund të kandidojnë supozohet që duhet të jenë kandidatë që do vetohen paraprakisht dhe do duhet të provojnë pasurinë. Në momentin që nuk kanë pasuri që vijnë si burim i korrupsionit e kanë të pamundur të blejnë vota. Nëse procesi do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me Ligjin patjetër që do të ndihmojë dhe në zhvillimin e demokracisë, sidomos në zgjedhjet e lira.

Në përfundim Braho u shpreh se deputetët  duhet të ulen dhe të diskutojnë se si do të zgjidhet çështja e kolapsit që është përfshirë procesi gjyqësor sot.