KPK u nda për riçeljen e hetimit të figurës dhe profesionalizmit të gjyqtares Adelina Zarka

Komisionerët Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici i konsideruan të mjaftueshme për shkarkimin mungesat financiare dhe gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit, ndërsa kryesuesja Xhensila Pine shkon me tej duke kërkuar riçeljen e hetimit për të vlerësuar mbi mosdeklarimin e kontaktit të bashkëshortit me një person të dënuar për krim të organizuar, si dhe çmon se gjyqtarja ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 16 shtator 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Fierit Adelina Zarka për deklarim të pasaktë të pasurive, mungesë burimesh financiare për krijimin e tyre dhe gjendjen në situatën e konfliktit të interesit. Sipas shumicës së trupit gjykues të KPK-së që kreu vetingun e Zarkës, relatores Valbona Sanxhaktari dhe anëtarit Olsi Komici, problemet e konstatuara në kriterin e pasurisë janë të mjaftueshme për shkarkimin e gjyqtares duke e çmuar të panevojshëm hapjen e hetimit për dy kriteret e tjera të rivlerësimit, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Kdërkohë, kryesuesja e trupit gjykues, Xhensila Pine, megjithëse shprehet dakord për shkarkimin për pasurinë, ka paraqitur mendim paralel lidhur me kërkesën e gjyqtares Zarka për riçeljn e hetimit për figurën dhe profesionalizmin.

Në mendimin paralel Pine sqaron se ka votuar pro pranimit të kërkesës së subjektit për çeljen e hetimit për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Ajo i referohet gjetjes së hetimit adminsitrativ për mospasqyrimin nga subjekti në deklaratën për kontrollin e figurës lidhur me udhëtimin e bashkëshortit në vitet 2005 dhe 2009 jashtë kufijve të Shqipërisë me një person që rezulton i dënuar për krim të organizuar.

Megjithëse shumica nuk doli në konkluzion për këtë gjetje me argumentimin se nuk u riçel hetimi për figurën dhe gjetjet për pasurinë ishin të mjaftueshme për marrjen e vendimit përfundimtar – Pine sjell në vëmendje se subjektit iu kërkuan shpjegime dhe thekson se çelja e hetimit për dy komponentët e tjerë do të mundësonte arsyetimin lidhur me këtë pjesë të hetimit administrativ.

Shkarkimi për pasurinë

Në deklaratën veting gjyqtarja Adelina Zarka ka deklaruar pjesën takuese ½ të një shtëpie banimi në Fier, me dy kate banimi dhe një kat magazinë, me sipërfaqe totale ndërtimore 1176 m2. Ajo ka sqaruar se ndërtimi është kryer gjatë periudhës 2000-2004 dhe se vlera totale e investimit ka qenë 10 milionë lekë.

Komisioni ka kryer krahasimin e vlerës së ndërtimit të deklaruar nga subjekti me vlerën referuese sipas kostove të Entit Kombëtar të Banesave, prej nga është konkluduar se me vlerën e tregut të lirë të kostos së ndërtimit për vitin 2001, vlera totale e investimit duhej të ishte në shumën 23.5 milionë lekë.

Komisioni konstaton se subjekti i rivlerësimit nuk ka paraqitur dokumentacion justifikues për të vërtetuar se shpenzimet për ndërtimin e shtëpisë kanë qenë 10 milionë lekë, ashtu sipas deklarimit të saj.

Si burim për pjesën e investimit të kryer prej familjes së saj, Zarka ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti 66.04 m2 në Fier në vitin 2000 kundrejt vlerës 4.5 milionë lekë, por që në kontratën e shitblerjes çmimi i pasqyruar ka rezultuar 600 mijë lekë.

Nga hetimi nuk janë gjetur probleme për burimin e apartamentit 66.04 m2 që ka rezultuar se është privatizuar në vitin 1993 nga bashkëshorti i subjektit. Ndërkohë, nga dokumentacioni i administruar prej KPK-së gjatë hetimit ka rezultuar se kjo pausri është shitur për shumën 600 mijë lekë në maj të vitit 2000, vlerë për të cilën janë paguar edhe detyrimet tatimore.

E pyetur për diferencën e çmimit të pretenduar me atë të pasqyruar në kontratën e shitjes, subjekti e ka cilësuar si një lapsus. Ajo ka paraqitur si provë faktin se bashkëshorti e ka arkëtuar në bankë pjesën më të madhe të vlerës 4.5 milionë lekë të përfituar nga shitja e apartamentit, po në të njëjtën ditë kur është kryer transaksioni.

Gjatë hetimit administrativ, Zarka ka deklaruar si burime krijimi edhe tre hua pa interesa, një në shumën 400 mijë lekë të marrë nga babai në vitin 2000; një hua në vitin 2001 në shumën 2 milionë lekë të marrë nga bashkëshorti tek një shok i tij dhe 200 mijë lekë të marrë nga djali i tezes së bashkëshortit në vitin 2002.

Komisioni konstaton se subjekti nuk i ka deklaruar asnjëherë si burim për ndërtimin e shtëpisë huatë e pretenduara gjatë hetimit administrativ. “Duke qenë se nuk u gjet asnjë gjurmë lidhur me ekzistencën e tyre duket se janë deklaruar në këtë fazë vetëm për të plotësuar vlerat negative të rezultuara për krijimin e kësaj pasurie[…]”, vlerëson KPK në hetimin paraprak.

LEXO EDHE  Mori 5 000 mijë për të “rregulluar” ekstradimin e të burgosurit, arrestohet avokati në Tiranë

Në përfundim, Komisioni ka konstatuar se nuk është provuar që nga shitja e apartamentit në vitin 2000 të jetë përfituar shuma e pretenduar 4.5 milionë lekë, si dhe është kërkuar që subjekti të vërtetojë bindshëm burimin e vlerës 4 milionë lekë të depozituar në bankë ditën kur është kryer shitja e kësaj pasurie.

“Duket se subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të/bashkëshorti kanë realizuar një kontratë shitjeje në vitin 2000, duke shmangur detyrimin për pagimin e taksave ndaj shtetit”, konstaton trupi gjykues.

Pretedimet e subjektit se detyrimet janë paguar dyfish në zbatim të një një gjobe të caktuar nga ILDKPKI-ja dhe ekzekutuar sipas një vendimi të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Komisioni nuk i quan bindëse. Trupi gjykues arrin në përfundimin se masa administrative e dhënë nga ILDKPKI-ja për deklarim të rremë, si dhe pagimi në vitin 2018 i vlerës përkatëse të gjobës, nuk përmbush kërkesat ligjore, si dhe nuk legjitimon vlerën 4 milionë lekë të deklaruar nga subjekti i rivlerësimit si një e ardhur e ligjshme për krijimin shtëpisë.

Komisioni konsideron se vlera e pretenduar e shitjes 4.5 milionë lekë është më e lartë nga ajo e tregut dhe se nuk u gjet ndonjë lidhje e këtij deklarimi të subjektit me shumën e derdhur nga bashkëshorti në bankë.

Ndërkohë, ka rezultuar pamundësi financiare për të kryer investimet në shtëpinë me dy kate + magazinë gjatë viteve 2000-2003. “Subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të/bashkëshorti duket se kanë ndryshuar deklarimet lidhur me burimin e të ardhurave të përdorura për ndërtimin/investimet në këtë pasuri”, konstaton KPK lidhur me deklarimet për marrjen e huave.

Trupi gjykues vlerëson se huatë nuk janë deklaruar as më parë dhe as në deklaratën veting dhe se subjekti ka deklaruar si burim për ndërtimin e kësaj pasurie një burim tjetër dhe deklaratat e paraqitura si provë nuk mund të pranohen si të besueshme.

Duke iu referuar kostove të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave, EKB në vitin 2001, nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në vlerën -5.7 milionë lekë për insvetimet e kryera në ½ e vlerës së shtëpisë.

Megjithëse kryesuesja Xhensila Pine paraqet mendim paralel, ajo shprehet dakord për shkarkimin për problemet e gjetura për pasurinë, si dhe shton se subjekti nuk e ka kaluar testin e besimit të publikut tek drejtësia, “Firmosja e kontratës nr. ***, datë 17.5.2000, e cila u pranua nga subjekti se përmbante elemente fiktive lidhur me çmimin bie ndesh me mënyrën e sjelljes që pritet nga një gjyqtare, e cila edhe jashtë orarit të punës duhet të kujdeset që sjellja të jetë në të mirë të funksionit zyrtar që ushtron dhe cenon besimin e publikut te drejtësia”, vlerëson Pine.

Gjyqtarja Zarka është gjetur prej Komisionit në dy raste në kushtet e konfliktit të interesit. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se në vitin 2018 ajo ka shqyrtuar një çështje të kompanisë “Bankers Petroleum”, ndërkohë që familjarët i kishin dhënë me qira ambjentet e shtëpisë për 3200 euro në muaj që prej vitit 2006.

“[…]arrihet në konkluzionin se në periudhën kohore kur është shqyrtuar kjo çështje, shoqëria tregtare “***” sh.a. vijonte marrëdhëniet kontraktuale të qirasë me bashkëshortin e subjektit të rivlerësimit J. Z. për ndërtesën magazinë dhe 2 kate banimi me pagesë 3.200 (tre mijë e dyqind) euro/muaj”, konstaton KPK.

Zarka ka pretenduar se kjo marrëdhënie kontraktuale qiraje nuk ka ndikuar në punë, për më tepër në gjykimin e një çështjeje penale të veçantë me objekt pushimin e çështjes për efekt të afateve të parashkrimit.

Megjithëse ajo ka dorëzuar si prova kërkesat për heqjet dorë nga shqyrtimi i dy çështjeve të tjera me palë këtë këtë shoqëri, trupi gjykues konkludon se Zarka është gjetur në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin e vitit 2018.

Po ashtu, Komisioni konkludon se Zarka është gjetur në kushtet e konfliktit të interesit edhe në shqyrtimin e kërkesës së vjehrrit për tu regjistruar si person fizik.

Lidhur me shqyrtimit e këtyre dy çështjeve, kryesuesja Pine në mendimin paralel shprehet se subjekti ka treguar mungesë kujdesi për të vlerësuar me objektivitet mundësinë e dorëheqjes për të shmangur çdo dyshim për paanësinë e saj në gjykim. “[…]kam vlerësuar se subjekti i rivlerësimit dështoi të kalonte testin e moscenimit të besimit të publikut”, vlerëson Pine duke u bazuar në shkeljet e konstatuara në kriterin e pasurisë. /BIRN/