Kolegji e cilësoi të drejtë vendimin e Komisionit për përfundimin e vetingut pa vendim përfundimtar për ish-gjyqtarin e shkarkuar për korrupsion, Ibrahim Hoxha, duke shënuar standard të ndryshëm nga qëndrimi që mbajti për çështjen e ish-gjyqtarit Shkëlqim Miri, kur u pranua ankimi i Komisionerit Publik, Darjel Sina i cili kërkoi unifikimin e praktikës për çështje të tilla.
Ndryshe nga sa vendosi në rastin e ankimit të Komisionerit Publik, Darjel Sina ndaj vendimit të përfundimit të vetingut ndaj ish-gjyqtarit Shkëlqim Miri pa vendim përfundimar, duke e pranuar kërkimin për ndryshimin e vendimit të Komisionit – Kolegji e rrëzoi ankimin e ngjashëm për Ibrahim Hoxhën.
Kolegji i Posaçëm i Aplimit KPA shpalli të enjten vendimin lidhur me ankimin e Komisionerit Darjel Sina për vendimin e Komisionit të Pavaur të Kualifikimit, KPK për ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, duke e cilësuar të pabazuar.
Sina kreu ankim ndaj vendimit të KPK-së për ndërprerjen e vetingut për ish-gjyqtarët Ibrahim Hoxha dhe Shkëlqim Miri pa një vendim përfundimtar, duke pretenduar se këto raste nuk janë të parashikuara në ligj dhe se duhet të cilësohen si procese të papërfunduara. Sina argumentoi në parashtrimet e tij se në rast se Gjykata e Lartë mund të rrëzonte dënimet e Mirit dhe Hoxhës, ata mund të rifitonin statusin e magjistratit që kishin humbur për shkak të dënimit penal.
Ai i kërkoi Kolegjit që të jepte orjentim për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme, kur subjekte rivlerësimi janë ish-gjyqtarë apo ish-prokurorë të dënuar për vepra penale me vendim të formës së prerë. Në rastin e Shkëlqim Mirit, trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Ardian Hajdari, me shumicë votash vendosi të prishë vendimin e KPK-së duke i dhënë të drejtë Komisionerit Sina, por pa njoftuar gjatë shpalljes së vendimit ndonjë orjentim për zgjidhjen e çështjeve në raste të tilla.
Ndërsa në rastin e –ish gjyqtarit Ibrahim Hoxha Kolegji vlerësoi ndryshe duke sjellë kështu dy orjentime të ndryshme për zgjidhjen e çështjeve kur rivlerësimi kryhet për subjektet e shkarkuara si pasojë e një dënimi penal të formës së prerë.
KPA konstatoi se në kohën kur është marrë vendimi i Komisionit, Hoxha e kishte humbur statusin e magjistratit në bazë bazë të vendimit të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD që e kishte shkarkuar nga detyra për shkak të dënimit të tij për kryerjen në krimi me vendim penal të formës së prerë. “Ky vendim i cili ka shkaktuar edhe mbarimin e statusit të magjistratit për subjektin e rivlerësimit ka marrë formë të prerë që nuk rezulton të jetë kundërshtuar prej tij në rrugë gjyqësore apo administrative”, tha kryesuesja e trupit gjykues të KPA, Natasha Mulaj.
Ajo argumentoi se situata faktike që i është nënshtruar vlerësimit të Komisionit nuk ka pasur asnjë ekuivok në drejtim të sigurisë së faktit se subjekti e kishte humbur statusin e magjistratit. Sipas Mulajt, situata faktike e kësaj çështjeje nuk i përket vendimarrjes së institucioneve të vetingut në objekt të zgjidhjes së çështjes objekt gjykimi. Ndërkohë, është verifikuar se vendimi i ish-KLD-së nuk është ankimuar nga Hoxha dhe ka marrë formë të prerë.
Kolegji shprehet se vendimi i Komisionit është analizuar edhe në funksion të dispozitave ligjore dhe nuk janë konstatuar shkelje ashtu si ka pretenduar Sina.
Sipas vlerësimit të Kolegjit, humbja e statusit të magjistratit me vendim të formës së prerë të institucionit kompetent kushtëzon edhe humbjen e statusit të subjektit të rivlerësimit sipas dispozitave të legjislacionit të vetingut. Mulaj vijoi se vendimi i shkarkimit të Hoxhës, zhbën vetë objektin e procesit të rivlerësimit që synon rivlerësimin e subjekteve sipas kategorizimit ex officio.
“Në këto kushte, mbetur pa objekt procesi i rivlerësimit për Hoxhën e ka humbur qëllmin e tij për sa kohë që qëllimi kushtetues i kthimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë nëpërmjet pastrimit të radhëve të magjistratëve është arritur nëpërmjet shkarkimit nëpërmjet një juridiksioni tjetër kushtetues”, pohoi Mulaj.
Sipas KPA, në mungesë të rregullimit të posaçëm për zgjidhjen e një situate të tillë, me të drejtë Komisioni ka aplikuar Kodin e Procedurave Administrative.
Kolegji nuk e gjen të drejtë e të mbështetur në interesin publik ankimin e paraqitur nga Komisioneri Publik, si për shkakun ligjor ashtu edhe për kërkimin e tij për prishjen e vendimit të KPK. Në përfundim, vendimi i KPK për përfundimin e vetingut për Ibrahim Hoxhën pa vendim përfundimtar është gjetur i drejtë nga KPA dhe e ka lënë atë në fuqi. /BIRN/